Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka denoncuar mungesën e medikamentit PHESGO në Spitalin Onkologjik në QSUT, duke akuzuar qeverinë se po përdor shëndetësinë për propagandë, ndërsa pacientët përballen me vështirësi për të siguruar trajtimin e nevojshëm.
Në një reagim në rrjetet sociale, Salianji thotë se PHESGO, një medikament i përdorur në trajtimin e kancerit të gjirit HER2 pozitiv, mungon në spital dhe se pacientëve po u ofrohet HERCEPTIN, një terapi tjetër që, sipas tij, nuk përmban të njëjtin kombinim të përbërësve aktivë.
Sipas ish-deputetit, mungesa e medikamentit lidhet me përfundimin e kontratës së furnizimit, e cila nuk është rinovuar në kohë, ndërsa kontrata e re ende nuk është firmosur nga ministrja përgjegjëse. Ai pretendon se edhe në rast të nënshkrimit të menjëhershëm, furnizimi do të kërkonte të paktën 60 ditë.
Salianji ngre gjithashtu shqetësimin për një njoftim që, sipas tij, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor u ka përcjellë mjekëve, lidhur me ezaurimin e fondeve deri në fund të vitit. Ai thotë se kjo situatë rrezikon shtyrjen e trajtimeve në disa shërbime, përfshirë onkologjinë, neurologjinë, imunologjinë, kardiologjinë dhe okulistikën.
Në reagimin e tij, ish-deputeti akuzon qeverinë se po vendos propagandën dhe inaugurimet përpara nevojave të pacientëve, ndërsa kërkon llogari për mungesën e barnave dhe fondet e ezauruara.
“Ministrja Spahiu duhet të përgjigjet! Ku janë barnat? Ku janë paratë? Kush i merr përgjegjësitë për kontratat e pambyllura dhe fondet e ezauruara?”, shkruan Salianji.
Ai e cilëson të papranueshme që pacientëve që trajtohen për kancer t’u kërkohet të presin për furnizimin me medikamente, ndërsa për pacientët e shërbimeve të tjera trajtimet mund të shtyhen deri në janar.
Në përfundim të reagimit, Salianji kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, duke e lidhur situatën në sistemin shëndetësor me përgjegjësinë e qeverisë.