Kryeministri Edi Rama ka njoftuar hapjen e platformës për dialog online, “Folmekm.al”.
Përmes kësaj platforme synohet të komunikohet dhe dialogohet me qytetarët dhe veçanërisht studentët lidhur me kërkesat dhe ankesat e tyre.
Rama thotë se “Fol me kryeministrin” do të shërbejë si një urë funksionale 24 orë ku një skuadër e dedikuar do garantojë qarkullimin e gjithë informacioni që shkëmbehet.
“Faqja është gati. Cilido që dëshiron të komunikojë dhe të hyjë në një dialog, në kushtet kur vijmë nga një valë protestash, përshkallëzimesh, dhune, presioni, kërcënimesh dhe përpjekjesh për ta penguar me çdo kusht dialogun, kjo është ura që është ngritur për ju. Një urë funksionale, një urë e hapur 24 orë, ku patjetër një skuadër e dedikuar do të garantojë gjithë qarkullimin e informacionit dhe të opinioneve që shkëmbehen.
Kështu, jemi në këto kushte, sepse besoj që herët a vonë do të shkrihen edhe akujt e vendosur artificialisht nga ata që mendojnë se mund t’i imponohen shoqërisë, bashkëjetesës demokratike dhe të gjithë atyre që mendojnë ndryshe prej tyre.
Ndërkohë, ne shfrytëzojmë këtë mundësi të artë që na jep teknologjia. E keni në kompjuter, e keni në pasqyrën e celularit. Mirë se të vini në dialog”, tha Rama.