Vendosni fjalën kyçe....

Rama prezanton platformën “Fol me Kryeministrin” mes protestave të studentëve: E hapur 24 orë për qytetarët



Kryeministri Edi Rama ka prezantuar platformën e re online “Fol me Kryeministrin”, përmes së cilës qytetarët do të kenë mundësi t’i drejtohen drejtpërdrejt atij për të përcjellë mesazhe, opinione dhe shqetësime.

Sipas Ramës, platforma do të jetë e aksesueshme 24 orë në ditë dhe do të funksionojë përmes një skuadre të dedikuar, e cila do të kujdeset për qarkullimin e informacionit dhe të opinioneve të qytetarëve.

Gjatë prezantimit, kryeministri e cilësoi nismën si një mundësi për komunikim dhe dialog, në një periudhë që, sipas tij, është shoqëruar me protesta, tensione dhe përpjekje për të penguar dialogun.

“Cilido që është i dëshiruar për të komunikuar, për të hyrë në një dialog, në kushtet kur vijmë nga një fond protestash, për shkallëzime, dhunë, presioni, kërcënimi, përpjekje për ta penguar me çdo kusht dialogun, kjo është ura që është ngritur për ju. Një urë funksionale, një urë e hapur 24 orë”, deklaroi Rama.

Prezantimi i platformës vjen në një kohë kur studentët vijojnë protestat, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Protestuesit kanë deklaruar se largimi i tij nga detyra është kërkesë e panegociueshme, ndërsa kanë refuzuar ftesën e kryeministrit për dialog.