Tajlanda rrit taksën për makinat elektrike në 35%, prodhuesit e huaj nxiten të hapin fabrika në vend
Tajlanda ka vendosur të rrisë nga 10% në 35% akcizën për makinat elektrike të importuara që nuk plotësojnë kriteret e prodhimit vendas, në përpjekje për të tërhequr investime dhe për të mbrojtur industrinë automobilistike. Masa, që hyn në fuqi më 1 janar 2027, po nxit prodhuesit ndërkombëtarë të shqyrtojnë ngritjen e fabrikave në vend, ndërsa pritet të shtrenjtojë automjetet që importohen plotësisht nga jashtë.
Sipas Bloomberg, kompania Millennium Group Corporation, distributore e automjeteve të prodhuesit kinez XPeng në Tajlandë, po studion mundësinë e ndërtimit të një fabrike në bashkëpunim me këtë të fundit. Diskutimet përfshijnë madhësinë e investimit, kapacitetet e prodhimit dhe mundësinë e përdorimit të komponentëve të prodhuar nga furnizuesit vendas.
Tajlanda është qendra më e madhe e prodhimit të automjeteve në Azinë Juglindore, ku për dekada kanë dominuar kompanitë japoneze. Zgjerimi i shpejtë i prodhuesve kinezë të makinave elektrike ka ndryshuar konkurrencën, ndërsa qeveria po përpiqet të ruajë vendin e saj në zinxhirin ndërkombëtar të industrisë automobilistike.
Investimet e miratuara në sektorin e automjeteve elektrike janë pothuajse dyfishuar gjatë pesë viteve të fundit, duke arritur në mbi 141 miliardë baht deri në shtator.
Sipas rregullave të reja, makinat elektrike të importuara plotësisht do t’i nënshtrohen akcizës prej 35%, ndërsa automjetet e prodhuara në Tajlandë do të vazhdojnë të përfitojnë norma më të ulëta, në varësi të përdorimit të komponentëve vendas.
Qeveria synon gjithashtu që, brenda dy viteve, automjetet e prodhuara në vend të përbëjnë 70% të furnizimit të tregut. Gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2026, Kina përbënte 96% të importeve tajlandeze të makinave elektrike.
Ndryshimet po nxisin edhe prodhues të tjerë të zgjerojnë aktivitetin. Omoda & Jaecoo planifikon të rrisë prodhimin dhe përdorimin e pjesëve vendase, ndërsa autoritetet kanë konfirmuar interesimin e kompanive të tjera për investime të reja.
Megjithatë, politika pritet të ndikojë edhe te konsumatorët. Disa modele të importuara mund të shtrenjtohen deri në 10%, ndërsa prodhuesit dhe distributorët po përpiqen të përshpejtojnë importet përpara hyrjes në fuqi të taksës së re.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









