Kryeministri Edi Rama, ka prezantuar një platformë të re online me emrin “Folmekm.al”, përmes së cilës synon të krijojë një kanal komunikimi dhe dialogu me studentët, në një kohë kur përpjekjet për zhvillimin e takimeve të drejtpërdrejta nuk janë pranuar nga të rinjtë, që prej disa muajsh i kërkojnë dorëheqjen.
Prej disa javësh studentët kanë refuzuar ftesën e kryeministrit Edi Rama për dialog, ku ai nxirrte para kryeministrisë disa karrige me shënimin “dialog” dhe më pas një tavolinë guri.
Të lidhura
None found
Megjithatë, këto ftesa janë refuzuar në mënyrë të vazhdueshme nga studentët.

Në prezantimin e portalit të ri, kryeministri tha se platforma do të jetë e hapur 24 orë në ditë dhe do të shërbejë si një urë komunikimi për shkëmbimin e informacionit dhe opinioneve.

Por ajo që vihet re është se për të hyrë në dialog do të duhet të futesh përmes e-albania, një mënyrë kjo që kryeministri të identifikojë qytetarët.
Kreu i qeverisë shprehu bindjen se përmes kësaj nisme mund të kapërcehet situata e tensionuar, duke besuar se do te shkrihen akujt, sipas tij te vendosura artificialisht dhe te kete dialog.
“Cilido që është i dëshiruar për të komunikuar, për të hyrë në një dialog në kushtet, kur vijmë nga një sfond protestash, përshkallëzimesh, dhune, presioni, kërcënimi, përpjekjesh për ta penguar me çdo kusht dialogun, kjo është ura që është ngritur për ju. Një urë funksionale, një urë e hapur 24 orë, një urë ku patjetër një skuadër e dedikuar do të garantojë gjithë qarkullimin e informacionit edhe të opinioneve që shkëmbehen dhe kështu jemi në kushtet kur në këtë fazë, sepse besoj që më herët se vonë do të shkrihen dhe akujt e vendosur artificialisht nga ata të cilët mendojnë se mund t’i imponohen shoqërisë, mund t’i imponohen bashkëjetesës demokratike, mund t’i imponohen të gjithë atyre që mendojnë ndryshe prej tyre dhe ndërkohë ne shfrytëzojmë këtë mundësi të artë që na jep teknologjia. E keni në kompjuter, e keni në pasqyrën e celularit. Mirë se vini në “Dialog””, u shpreh Rama.







