“Askush nuk mund ta shkatërrojë”/ Tjetër veprim i papritur nga Trump, Presidenti amerikan shpall Zyrën Ovale monument kombëtar Një gjykatë në Kenia dënoi të premten me 200 vite burg udhëheqësin e një kulti fetar, Paul Mackenzie, për vrasjen e 190 fëmijëve, të cilët vdiqën nga uria me urdhër të tij dhe u varrosën në një pyll. Ata janë mes rreth 500 viktimave të dyshuara të një prej masakrave më të rënda me karakter ritual të kohëve moderne, raporton agjencia e lajmeve Reuters.
Dënimi përbëhet nga 100 vite burg për vrasjet përmes privimit nga ushqimi dhe 100 vite të tjera për vrasje të drejtpërdrejta, deklaroi gjyqtarja Diana Kavedza gjatë shpalljes së vendimit.
Sipas prokurorëve, Mackenzie, i cili drejtonte një kishë të krishterë me besime apokaliptike në një pyll pranë bregdetit të Oqeanit Indian, në lindje të Kenias, u kishte kërkuar ndjekësve të tij të vdisnin nga uria, së bashku me fëmijët e tyre, për të arritur në parajsë përpara fundit të botës.
Bashkëpunëtorët e tij i kërcënonin dhe i rrihnin viktimat për t’u siguruar që ato zbatonin urdhrat e tij. Trupat e viktimave, të dobësuar rëndë nga uria, u gjetën në varre të cekëta dhe të hedhur në gropa të përdorura si tualete. Disa prej tyre ishin varrosur të gjallë.
Mackenzie, i veshur me një bluzë polo gri dhe pantallona të zeza, buzëqeshi teksa hyri në një tendë të ngritur jashtë gjykatës, ku u zhvillua seanca. Ai i kishte mohuar akuzat për vrasje, duke pretenduar se nuk i kishte detyruar viktimat të qëndronin pa ngrënë. Megjithatë, gjykata e hodhi poshtë mbrojtjen e tij.
Ngjarja tronditi Kenian në prill të vitit 2023, kur policia nisi zbulimin e trupave të pajetë në pyllin Shakahola, pranë qytetit bregdetar Malindi. Megjithëse procesi gjyqësor përfshinte vetëm rastet e 190 fëmijëve dhe një viktime të rritur, Komisioni Kombëtar i Kenias për të Drejtat e Njeriut deklaron se në pyll u gjetën gjithsej 448 trupa.
Mackenzie akuzohet gjithashtu se ka urdhëruar vdekjen e 52 personave të tjerë, trupat e të cilëve u zbuluan në një vendndodhje tjetër, në një fshat rreth 30 kilometra larg. Kjo e çon numrin e përgjithshëm të viktimave të dyshuara në 500. Ai është deklaruar i pafajshëm edhe për këtë çështje.
Përmasat e masakrës janë të krahasueshme me ato të një kulti fetar që shkaktoi vdekjen e më shumë se 700 personave në Ugandë në vitin 2000, si dhe me masakrën e Jonestown në Guajanë në vitin 1978, kur një udhëheqës amerikan kulti shkaktoi vdekjen e më shumë se 900 personave, duke i urdhëruar të pinin helm.
Stephen Mwiti, 48 vjeç, babai i gjashtë fëmijëve që humbën jetën si pasojë e urdhrave të Mackenzie dhe bashkëshorti i njërës prej bashkëpunëtoreve të dënuara të tij, tregoi se gruaja e kishte marrë fëmijët në Shakahola, ku ata kishin vdekur nga uria.
Edhe nëse të rriturit kishin pranuar të agjëronin, “po fëmijët?”, pyeti Mwiti gjatë një interviste për Reuters përpara shpalljes së dënimit.
“Kam humbur fëmijët e mi dhe nuk do të mund t’i kthej më, pavarësisht se çfarë ndodh me Mackenzie dhe bashkëpunëtorët e tij. Pres që ai të dënohet me vdekje ose me burgim të përjetshëm, në mënyrë që të mos dalë më kurrë dhe të shkaktojë vdekje të tjera”, tha ai.
Dan Mackenzie, një nga djemtë e Paul Mackenzie, deklaroi se babai i tij nuk kishte kursyer as familjen e vet.
“Unë nuk përfundova në Shakahola, sepse nuk besoja më tek ideja e shkuarjes në parajsë. Prandaj u largova nga kisha dhe fillova të ndiqja rrugën time”, tha ai për Reuters.
“Kam humbur edhe miq, si dhe vëllain tim më të vogël. Ky vendim është drejtësi për njerëzit që humbëm atje, në Shakahola”, vijoi ai.
Mackenzie kishte qenë nën vëzhgimin e autoriteteve që prej vitit 2017, kur policia kishte kontrolluar ambientet e tij. Në vitin 2019, autoritetet mbyllën kishën e Mackenzie në Malindi, pas së cilës ai e zhvendosi aktivitetin e tij në pyllin e afërt Shakahola.
Zbulimi i viktimave nxiti thirrje për forcimin e mbikëqyrjes së grupeve fetare. Në maj të vitit 2023, presidenti William Ruto ngriti një grup pune për të shqyrtuar kuadrin ligjor dhe rregullator për veprimtarinë e organizatave fetare.
Në vitin 2024 u publikuan propozime të veçanta, njëri i mbështetur nga qeveria dhe tjetri nga Senati, por ato ende nuk janë miratuar si ligje.
Ojiro Odhiambo, drejtues i sektorit të reagimit të shpejtë në Komisionin e Kenias për të Drejtat e Njeriut, deklaroi se dënimi përbën një hap të rëndësishëm, por kërkoi që përgjegjësia të shtrihet edhe më tej.
Sipas tij, administratorët vendorë, policia, shërbimet e inteligjencës dhe udhëheqësit fetarë mbajnë gjithashtu përgjegjësi, pasi nuk vepruan pavarësisht sinjaleve të përsëritura paralajmëruese.
“Të gjithë këta njerëz i kanë zhgënjyer qytetarët”, deklaroi ai.
Në vitin 2023, presidenti Ruto kishte pranuar përgjegjësinë e tij si kreu i shtetit për dështimin e qeverisë në parandalimin e vdekjeve.
Top Channel