Siguria e digave në territorin e Prefekturës së Qarkut Tiranë do të jetë në fokus të një nisme për vlerësimin e gjendjes së tyre dhe forcimin e masave parandaluese.
Prefekti i Qarkut Tiranë, Shkëlqim Hajdari, ka bërë të ditur përmes një reagimi në rrjetet sociale se më 6 nëntor ka zhvilluar një takim me kryetarin e Komitetit Kombëtar të Digave të Mëdha, Ardian Islami.
Gjatë takimit është diskutuar mbi gjendjen aktuale të digave, nevojën për mirëmbajtje të vazhdueshme, investimet e nevojshme dhe marrjen e masave për parandalimin e problematikave të mundshme.
“Sot zhvillova një takim me Kryetarin e Komitetit Kombëtar të Digave të Mëdha, z. Ardian Islami, për vlerësimin e gjendjes dhe forcimin e sigurisë së digave në territorin e Prefekturës së Qarkut Tiranë.
Në fokus ishte rëndësia e mirëmbajtjes, investimeve dhe masave parandaluese, me parimin: “T’i ruajmë në fillim, pastaj t’i zhvillojmë.”
Javës që vjen,do të organizojmë një takim ndërinstitucional me përfaqësues të bashkive, institucioneve dhe ekspertë të fushës, për koordinimin e planeve të veprimit dhe identifikimin e investimeve emergjente”, shkruan Hajdari.
