Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka vlerësuar se muaji i parë i punës së Legjislaturës së 11-të të Kuvendit të Kosovës është karakterizuar nga mungesa e një plani të integruar dhe koordinimi i dobët ndërmjet organeve parlamentare. Në një konferencë për media, KDI prezantoi raportin “Kuvend pa rend!
Organizimi dhe planifikimi i punës së Kuvendit në Legjislaturën e re”, i cili analizon punën mujore të Kuvendit, me fokus në planifikimin dhe organizimin e aktiviteteve parlamentare. Sipas KDI-së, mungesa e një plani të integruar që do të përcaktonte prioritetet, afatet dhe koordinimin e aktiviteteve ka ndikuar në organizimin e përgjithshëm të punës parlamentare dhe në llogaridhënien ndaj qytetarëve të Kosovës.
Raporti evidenton se fillimi i punës së Legjislaturës së 11-të nuk ka nisur me organizim të mirëfilltë. Ai e cilëson atë si kaotik në planifikim dhe organizim. Violeta Haxholli nga KDI theksoi se pas gati dy vitesh krizash institucionale dhe pa Kuvend funksional, pritjet e qytetarëve janë që agjenda e Legjislativit duhet të ndjekë një dinamikë ndryshe.
Kjo do të bënte të mundur zënë hapin me përmbushjen e detyrimeve dhe reformave që po presin një kohë të gjatë. “Andaj, Kuvendi e ka të domosdoshme qysh tani një planifikim të integruar të punës duke vendosur me prioritete të qarta, afate të matshme dhe koordinim më të mirë të aktiviteteve parlamentare.
Në këtë drejtim, duhet shqyrtuar seriozisht riorganizimi i punës duke shfrytëzuar edhe përparësitë që ofron teknologjia informative dhe AI”, tha ajo. Monitorimi i KDI-së tregon që Agjenda Legjislative e sjellë nga Qeveria është përcaktuese në planifikimet e Kuvendit. Komisionet parlamentare, pa një analizë dhe sfidim të kompleksitetit apo volumit të kësaj agjende, e cila vetëm për këta tre muaj ka parapa 65 projektligje, janë duke e bartur këtë agjendë kryekëput në planet e veta të punës, sipas fushave që trajtojnë.
“Asnjë komision nuk ka përfshirë asnjë iniciativë të vetme që buron nga vetë deputetët për ligje të reja”, tha Haxholli. Kjo ngarkesë qysh në fillim të punës së komisioneve, pa analizuar as edhe faktin nëse komisionet kanë kapacitete për të shqyrtuar këtë volum ligjesh në mënyrë efektive, përveç që do të shpërfaqet në fund në ligje jocilësore dhe jo mjaftueshëm të konsultuara me palët, do t’a kufizojë edhe kohën e komisioneve për t’u marrë me mbikëqyrjen e zbatimit të ligjeve, e cila në Kosovë është problemi më akut.
“Kjo është parë edhe në planet e punës së komisioneve, ku vetëm 5 nga 16 komisione kanë paraparë aktivitete për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjeve”, u tha në konferencë. Mungesa e planit të integruar të punës, ku do të mund të përcillet secili aktivitet parlamentar, po tregon edhe anomali në shpërndarjen e pabarabartë të punës për deputetë.
Sipas raportit, disa deputetë, kryesisht të partive të vogla, janë njëkohësisht anëtarë në dy, tre apo katër komisione, ndërsa 10 deputetë të Kuvendit nuk janë pjesë e asnjë komisioni. “Vetëm gjatë tetorit janë evidentuar tri raste kur oraret e mbledhjeve të komisioneve ishin caktuar në të njëjtën kohë dhe në 20 raste të tjera kur ato ishin caktuar brenda intervaleve shumë të shkurtra, duke shkaktuar që deputetët pa përfunduar mbledhjen të lëviznin në angazhimin tjetër.
Moskoordinimi me administratën e Kuvendit përveç që shkakton probleme teknike në organizim, e dëmton seriozisht cilësinë e angazhimit të deputetit në punën e komisioneve”, u theksua në raport. Organizimi i komisioneve është vështirësuar edhe nga moskompletimi i përbërjes së tyre.
Gjatë gjithë periudhës së monitorimit, deputetët e propozuar nga Lista Serbe nuk ishin emëruar në komisione. Kjo ka cenuar përfaqësimin e komunitetit serb dhe pjesëmarrjen e deputetëve të tij në proceset parlamentare. Mbështetja administrative mbetet e kufizuar: pesë zyrtarë mbulojnë nga dy komisione, ndërsa shtatë komisione kanë koordinatorë me ushtrues detyre.
Sa i përket punës së Kuvendit gjatë muajit tetor, Haxholli bëri të ditur se u mbajtën gjashtë seanca, tri plenare dhe tri të jashtëzakonshme. Në to u shqyrtuan 10 projektligje në lexim të parë, u miratuan tetë në lexim të dytë dhe katër marrëveshje ndërkombëtare. Komisionet parlamentare mbajtën 59 mbledhje, prej të cilave tri nuk u zhvilluan për mungesë kuorumi, si dhe organizuan vetëm një dëgjim publik.
Mbikëqyrja parlamentare mbeti e kufizuar: nga 42 pyetje parlamentare, vetëm 18 morën përgjigje, ndërsa nuk u zhvillua asnjë interpelancë. Në disa raste, ministrat dhe përfaqësuesit e institucioneve të tjera nuk iu përgjigjën pozitivisht ftesave të komisioneve për raportim. Sfidë mbetet edhe transparenca, pasi oraret e mbledhjeve publikohen kryesisht vetëm një ditë përpara.
Nga 59 mbledhjet e mbajtura, vetëm 21 procesverbale ishin publikuar në ueb-faqen e Kuvendit. KDI vlerëson se Kuvendi e ka të domosdoshme qysh tani një planifikim të integruar të punës, me prioritete të qarta, afate të matshme dhe koordinim më të mirë të aktiviteteve parlamentare. Ai duhet të shqyrtojë seriozisht edhe riorganizimin e punës me ndihmën e teknologjisë informative dhe AI.
