Elbasani do të jetë mikpritës i Kupës së Pavarësisë në volejboll, një aktivitet mbarëkombëtar që do të zhvillohet në datat 27, 28 dhe 29 nëntor, në Pallatin e Sportit “Tomorr Sinani”, me pjesëmarrjen e ekipeve nga Shqipëria, Kosova dhe Tetova e Maqedonisë së Veriut.
Në kuadër të përgatitjeve për organizimin e këtij aktiviteti, Drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë së Kulturës dhe Sporteve, Artin Kovaçi, priti Presidentin e Federatës Shqiptare të Volejbollit dhe njëkohësisht Zv.Presidentin e KOKSH, Erlind Pëllumbi, si dhe Sekretarin e Federatës, Ervis Dosti.
Ky aktivitet pritet ta kthejë Elbasanin në një pikëtakim të rëndësishëm të volejbollit, duke promovuar sportin, bashkëpunimin dhe miqësinë mes sportistëve dhe ekipeve pjesëmarrëse.
Klubi Shumësportësh Elbasani vijon bashkëpunimin me Federatën Shqiptare të Volejbollit për zhvillimin e mëtejshëm të këtij sporti, mbështetjen e talenteve të reja dhe organizimin e aktiviteteve me rëndësi kombëtare e ndërkombëtare. Elbasani bëhet gati të mirëpresë një tjetër festë të bukur sportive.