Gjoba deri në tre paga mujore për punonjësit e institucioneve publike, qeveria propozon masa për shkeljet në kontabilitet Ndërsa paketa fiskale po diskutohet në komisionet parlamentare, bizneset gjerman në Shqipëri kanë shprehur kundërshtimet me ndryshimet e propozuara për vitin 2027. Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri ngre shqetësimin se ndryshimet në projektligje rrisin barrën fiskale për kompanitë dhe rrezikojnë klimën e investimeve në vend.
Në një deklaratë publike shoqata kritikon mungesën e konsultimit me biznesin gjatë hartimit të paketës duke theksuar se projektligjet nuk u publikuan dhe se kompanitë nuk patën kohën e nevojshme për t’u përgatitur.
“DIHA shpreh keqardhjen që komuniteti i biznesit nuk u përfshi në procesin e hartimit të paketës. Projektligjet nuk u publikuan për konsultim publik ndërsa tekstet përfundimtare iu paraqitën Këshillit Tatimor vetëm pak kohë përpara dorëzimit në Parlament. Një kuadër tatimor i parashikueshëm mbetet një nga faktorët kryesorë që investitorët gjermanë dhe të huaj marrin në konsideratë kur vendosin se ku të investojnë”, deklaron shoqata gjermane e Industrisë dhe Tregtisë.
Shoqata gjermane vlerëson disa masa lehtësuese si ulja e TVSH-së për ushqimet bazë dhe e tatimit mbi të ardhurat për shtresën e mesme por paralajmëron se këto përfitime financohen kryesisht përmes rritjes së taksave mbi biznesin dhe konsumin.
Sipas DIHAs rritja e tatimit mbi dividendët mund ta bëjë Shqipërinë më pak tërheqëse për investitorët ndërsa TVSH-ja standarde në 21% rrezikon të reflektohet në çmimet për konsumatorët.
“Të marra së bashku, këto rritje mund të kufizojnë burimet financiare që kompanitë kanë në dispozicion për riinvestime, modernizim dhe krijimin e vendeve të reja të punës”, deklaron shoqata gjermane e Industrisë dhe Tregtisë.
Bizneset gjermane i kërkojnë qeverisë dhe Parlamentit rishikimin e disa masave, konsultim të plotë përpara miratimit të paketës dhe një periudhë tranzicioni në mënyrë që kompanitë të përshtaten me ndryshimet fiskale.
Top Channel