Pas akuzave ndaj kryeministrit Rama për kërcënime nëse nuk do të dorëzonte bashkinë e Tiranës, kryebashkiaku Erion Veliaj thotë se do të vazhdojë t’i shërbejë qytetit pavarësisht kushteve ku ndodhet.

Mesazhin e radhës, Veliaj e ndau përmes një video të krijuar me Inteligjencë artificiale, ku thotë se pavarësisht persekutimit politik ai firmosi 15 kopshte dhe çerdhe të reja për kryeqytetin. Sipas Veliajt, me projektet e reja, numri i çerdheve dhe kopshteve të ndërtuara ose të projektuara gjatë administrimit të Bashkisë nga ai, arrin në 130.

“Përsëri sot miratova projektet për 15 çerdhe dhe kopshte të reja për fëmijët e Tiranës!”, shkruan mes të tjerash Veliaj.

Veliaj renditi disa nga padrejtësitë që ai pretendon se janë bërë kundrejt tij, duke theksuar se u rrëmbye nga zyra e kryetarit, u shkarkua nga detyra në mënyrë anti-kushtetuese dhe u persekutua duke qëndruar në paraburgim prej 20 muajsh. Ai nënvizoi se edhe sikur ta internojnë në Hënë, do t'u qëndroj besnik prioriteteve të tij.

Reagimi i Veliajt:

Pasi më rrëmbyen nga zyra e Kryetarit të Bashkisë me letra anonime, pasi tentuan të më shkarkonin nga detyra në mënyrë antikushtetuese, pasi e bënë çorbë menaxhimin e Tiranës, pasi më persekutojnë dhe më mbajnë në paraburgim politik prej 20 muajsh, në një ping-pong gjykatash, pasi më rrëmbyen për të më ndërruar birucën pa një shkresë te vetme dhe pasi më kërcënuan edhe aty, përsëri sot miratova projektet për 15 çerdhe dhe kopshte të reja për fëmijët e Tiranës!

Me këto projekte, numri i çerdheve dhe kopshteve të ndërtuara apo të projektuara gjatë administrimit tim arrin në 130!

Jo në Durrës e Fier, por edhe në Hënë po të duan të më internojnë, unë do t’u qëndroj besnik prioriteteve të mia!

Këto janë kopshtet e çerdhet që kam miratuar sot:

Nj. 9, Kopsht, Don Bosko, 150 fëmijë

Nj. 12, Kopsht, Fresku, 150 fëmijë

Nj. 13, Çerdhe, Kodra e Diellit, 50 fëmijë

Nj. 9, Çerdhe, Don Bosko, 100 fëmijë

Nj. 13, Çerdhe, Liqeni i Thatë, 50 fëmijë

Nj. 9, Çerdhe, Stracioni i Trenit, 100 fëmijë

Petrelë, Kopsht, Daias, 16 fëmijë

Dajt, Kopsht, Tufinë, 33 fëmijë

Nj. 12, Kopsht, Sh. 17 Shkurti, 122 fëmijë

Nj. 1, Kopsht, Tregu Elektrik, 120 fëmijë

Nj. 7, Çerdhe, Fusha Aviacionit, 100 fëmijë

Nj. 7, Çerdhe, Dogana, 100 fëmijë

Nj. 7, Kopsht, Zogu i Zi, 150 fëmijë

Nj. 14, Çerdhe, Yzberisht, 100 fëmijë

Nj. 14, Çerdhe, Astir, 100 fëmijë