Rajoni

Vëllezërit Bellingham bashkohen në kombëtaren e Anglisë, Thomas Tuchel grumbullon Jobe përkrah Jude për ndeshjet e Ligës së Kombeve

Një moment i veçantë pritet për familjen Bellingham, pasi Jobe është grumbulluar për herë të parë në kombëtaren A të Anglisë, ku do të luajë përkrah vëllait të tij, Jude Bellingham.

Trajneri Thomas Tuchel ka publikuar listën e futbollistëve për dy ndeshjet e radhës në Ligën e Kombeve, ku Anglia do të përballet fillimisht me Kroacinë të enjten e ardhshme, përpara transfertës ndaj Spanjës të dielën.

Jobe Bellingham, 21 vjeç, është shpërblyer për paraqitjet e mira me Borussia Dortmundin, ku luan prej 18 muajsh, pas transferimit nga Sunderland. Mesfushori ka qenë pjesë e rregullt e përfaqësueses U21, me të cilën ka zhvilluar 12 ndeshje, ndërsa tashmë merr mundësinë për të debutuar me ekipin e parë.

Nëse të dy aktivizohen, Jude dhe Jobe do të bëhen çifti i katërt i vëllezërve që luajnë për Anglinë në epokën moderne, pas Gary dhe Phil Neville, Bobby dhe Jack Charlton, si dhe Trevoh dhe Nathaniel Chalobah.

Një tjetër emër i ri në listën e Tuchel është Josh King i Fulhamit, i cili merr ftesën e parë me kombëtaren A. Ndërkohë, trajneri ka lënë jashtë Cole Palmer, Kobbie Mainoo dhe Phil Foden. Palmer, i cili ka regjistruar gjashtë kontribute në gola në Premier League këtë sezon, nuk është përfshirë në grumbullim, ndërsa Mainoo vjen pas një paraqitjeje të plotë në fitoren e Manchester United ndaj Romës në Champions League.

Në listë rikthehet edhe Ben White, ndërsa Trent Alexander-Arnold ruan vendin e tij. Djed Spence është gjithashtu pjesë e skuadrës, në ndryshim nga grumbullimi i mëparshëm.

Anglia renditet pas Spanjës në grup, me tri pikë më pak se iberikët, të cilët kanë fituar të katër ndeshjet e zhvilluara deri më tani. Humbja 3-2 ndaj Spanjës në “Wembley” në shtator mbetet i vetmi rezultat negativ i anglezëve në këtë edicion. Dy vendet e para sigurojnë kualifikimin në çerekfinalet me dy ndeshje, që do të luhen në mars.

 

 

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.