Ekonomia amerikane tejkalon pritshmëritë, krijohen 165 mijë vende të reja pune në tetor

Ekonomia amerikane ka shënuar një ecuri më të mirë se parashikimet në tregun e punës gjatë tetorit 2026, me 165 mijë vende të reja pune, sipas të dhënave të raportuara nga Financial Times.
Rezultati ka tejkaluar pritshmëritë dhe sugjeron se tregu amerikan i punës vijon të mbështesë rritjen ekonomike, pavarësisht pasigurive për perspektivën e ekonomisë më të madhe në botë.
Sipas të dhënave të Byrosë Amerikane të Statistikave të Punës (BLS), ekonomia krijoi 100 mijë vende pune më shumë sesa parashikimi prej 65 mijë vendesh i ekonomistëve të anketuar nga Reuters. Norma e papunësisë zbriti në 4.1%, nga 4.2% në shtator, ndërsa numri i të papunëve ishte rreth 7.1 milionë.
Rritja e punësimit në tetor ishte dukshëm më e lartë se mesatarja mujore prej 48 mijë vendesh pune gjatë 12 muajve të mëparshëm.
Kontributin më të madh e dhanë shërbimet profesionale dhe të biznesit, me 70 mijë vende të reja pune, shumë mbi mesataren mujore prej 15 mijë të vitit të fundit. Sektori i shëndetësisë shtoi 42 mijë vende pune, transporti dhe magazinimi 25 mijë, ndërsa industria përpunuese 19 mijë.
Të dhënat e muajve të mëparshëm u rishikuan gjithashtu në rritje. Në gusht, ekonomia amerikane kishte krijuar 186 mijë vende pune, nga 133 mijë të raportuara fillimisht, ndërsa në shtator 60 mijë, nga 29 mijë. Në total, rishikimet shtuan 84 mijë vende pune në statistikat e dy muajve.
Megjithatë, përmirësimi i punësimit nuk ka eliminuar dobësitë e tregut. Numri i personave që punojnë me kohë të pjesshme për arsye ekonomike u rrit me 339 mijë, duke arritur në 4.8 milionë. Këta janë punonjës që dëshirojnë punësim me kohë të plotë, por nuk kanë arritur ta sigurojnë.
Pagat mesatare për orë në sektorin privat u rritën me 0.4% gjatë tetorit, duke arritur në 38 dollarë, ndërsa rritja vjetore ishte 3.1%.
Tregu i punës i jep më shumë hapësirë Rezervës Federale për të luftuar inflacionin.
Sipas Financial Times, të dhënat e forta të punësimit kanë shtuar pritshmëritë për një rritje të normave të interesit nga Rezerva Federale në dhjetor. Rendimentet e obligacioneve amerikane dhe dollari fillimisht u rritën pas publikimit të raportit, por më pas lëvizjet u përmbysën.
Investitorët mbeten veçanërisht të shqetësuar për inflacionin, i cili është ndikuar nga konflikti në Lindjen e Mesme dhe rritja e kostove të energjisë. Megjithëse ekonomia vijon të krijojë vende pune, presioni i çmimeve mbi familjet amerikane mbetet një sfidë e rëndësishme për politikën monetare. / Financial Times, Reuters, BLS
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









