Mbreti i Belgjikës, Philippe, ka refuzuar dorëheqjen e kryeministrit Bart De Wever, duke i kërkuar të rifillojë menjëherë negociatat për buxhetin e vitit 2027.
Vendimi vjen pas krizës politike brenda koalicionit qeverisës, ku partitë nuk kanë arritur të bien dakord për planin e shpenzimeve të vitit të ardhshëm.
“Mbreti vendosi të refuzojë dorëheqjen e kryeministrit dhe i kërkoi atij të rifillojë menjëherë negociatat për buxhetin. Kryeministri do t’i raportojë sërish Mbretit të hënën, më 16 nëntor”, thuhet në deklaratën e Pallatit Mbretëror belg, përcjell Euronews.
De Wever, një politikan konservator flamand, paraqiti dorëheqjen të hënën, pas dështimit të partnerëve të koalicionit për të gjetur një marrëveshje mbi buxhetin e vitit 2027.
Mbreti Philippe e kishte pezulluar më parë vendimin për dorëheqjen dhe kishte nisur konsultimet me drejtuesit e partive politike.
Pas takimeve me përfaqësuesit e pesë partive që përbëjnë shumicën qeverisëse, Pallati Mbretëror bëri të ditur se të gjithë drejtuesit kishin shprehur angazhimin për të përfunduar negociatat sa më shpejt.
“Të gjithë riafirmuan vendosmërinë për të arritur një marrëveshje mbi një plan të qëndrueshëm buxhetor për tre vitet e ardhshme”, thuhet në njoftimin e Pallatit.
Sipas të njëjtit njoftim, mbreti ka marrë gjithashtu një angazhim formal nga pesë drejtuesit politikë se partitë e tyre janë të gatshme të bëjnë lëshime për të arritur një marrëveshje brenda qeverisë.
Kryeministri De Wever synon të sigurojë rreth 10 miliardë euro deri në vitin 2029 për të mbuluar deficitin buxhetor. Megjithatë, partitë e koalicionit janë të ndara për mënyrën se si do të sigurohen këto të ardhura.
Masat e propozuara përfshijnë shkurtimin e shpenzimeve publike dhe rritjen e TVSH-së, një ide që kundërshtohet nga partia liberale frankofone Lëvizja Reformiste (MR).