Arsenali merr një lajm të keq për Bukayo Saka. Sulmuesi anglez do të mungojë për disa javë pas dëmtimit të pësuar në ndeshjen e Champions League kundër Bayern Munich, më 21 tetor.
Lajmin e ka konfirmuar trajneri Mikel Arteta, i cili në konferencën për shtyp të së premtes bëri të ditur se futbollisti 25-vjeçar nuk do të jetë i gatshëm për një periudhë të caktuar. Saka u detyrua të largohej nga fusha përpara përfundimit të takimit ndaj bavarezëve, pasi pësoi një dëmtim në muskulin kuadriceps.
Sipas Artetës, sulmuesi do të nisë gradualisht rikthimin në fushë dhe aktivitetet individuale pas përfundimit të pushimit ndërkombëtar. Megjithatë, trajneri spanjoll nuk dëshiron të vendosë një afat konkret për rikthimin e tij, në mënyrë që të mos ushtrojë presion mbi stafin mjekësor.
“Do të jetë jashtë për disa javë. Pas pushimit ndërkombëtar do të nisë të rikthehet në fushë dhe të bëjë më shumë aktivitete, por fatkeqësisht do të mungojë për një kohë. Stafi mjekësor po bën gjithçka për ta rikthyer në formën më të mirë”, deklaroi Arteta.
Mungesa e Sakas vjen në një moment të rëndësishëm të sezonit për Arsenalin. Pas pushimit ndërkombëtar, londinezët kanë përpara sfida të forta në disa fronte, mes tyre përballjet në Champions League me Borussia Dortmundin, më 24 nëntor, dhe Real Madridin, më 9 dhjetor.
Në Premier League, ndërkohë, skuadra e Artetës do të ketë përballë Manchester Cityn dhe më pas Tottenhamin në derbin e Londrës Veriore. Një kalendar i ngjeshur, në të cilin Arsenali do të duhet të bëjë llogaritë pa një nga lojtarët më të rëndësishëm të repartit ofensiv.
