IA, pyetjet që duhet të prisni në intervistat e punës

Inteligjenca artificiale (IA) po ndryshon aftësitë që punëdhënësit kërkojnë nga kandidatët, por edhe pyetjet që u drejtohen gjatë intervistave të punës. Ndërsa më parë pyetjet për IA ishin kryesisht për pozicionet teknologjike, tashmë ato po bëhen të zakonshme edhe për profesione të tjera.
Sipas një sondazhi të ZipRecruiter, të zhvilluar në shtator 2026 me mbi 1,500 punonjës në SHBA, 82.5% përdorin inteligjencën artificiale në punë, por vetëm 62.8% kanë marrë trajnim nga punëdhënësi. Pozicionet joteknike që përmendin IA në përshkrimin e punës përbënin 4.3% të njoftimeve në platformë, nga 1.9% në vitin 2025.
Lisa Dubler, drejtuese e shërbimeve të karrierës në Georgetown University McDonough School of Business, thotë se kandidatët duhet të përgatiten për tri kategori pyetjesh: si e përdorin aktualisht inteligjencën artificiale, si mund ta përdorin në pozicionin për të cilin aplikojnë dhe si i trajtojnë çështjet e sigurisë dhe etikës që lidhen me teknologjinë.
Sinqeriteti dhe njohja e kompanisë janë thelbësore
Sipas Dubler, rekrutuesit kërkojnë të kuptojnë mënyrën se si kandidatët mendojnë për përdorimin e IA në punën e ardhshme, veçanërisht në aspektin e sigurisë dhe etikës.
Ekonomistja e tregut të punës në ZipRecruiter, Nicole Bachaud, këshillon kandidatët të hulumtojnë se si kompanitë e sektorit të tyre e kanë integruar inteligjencën artificiale. Kjo i ndihmon të identifikojnë aftësitë më të kërkuara dhe t’i përshtatin përgjigjet me pozicionin.
“Vetëm rreth 10% e punonjësve i vendosin aftësitë në AI në mënyrë të dukshme në CV kur kërkojnë punë”, thotë Bachaud, duke shtuar se shumë kandidatë ende nuk dinë si t’i paraqesin këto aftësi.
Ekspertët rekomandojnë që kandidatët të jenë të sinqertë, të japin shembuj konkretë nga projektet e mëparshme dhe të shpjegojnë si i ka ndihmuar IA në punë. Për ata që nuk e kanë përdorur më parë, rekomandohen kurse falas në LinkedIn Learning dhe YouTube.
Edhe kandidatët duhet të vlerësojnë kompaninë
Përdorimi i inteligjencës artificiale nuk shihet njësoj nga të gjithë punonjësit. Sipas ZipRecruiter, 52.6% thonë se IA ua ka bërë punën më të këndshme, 17.6% nuk kanë vënë re ndryshim, ndërsa 5.5% e shijojnë më pak punën për shkak të saj.
Një e katërta e punonjësve dëshirojnë të largohen nga puna për shkak të shqetësimeve që lidhen me IA, ndërsa një e treta preferojnë përdorim më të kufizuar të teknologjisë.
Këshilltarja e karrierës Freda Thomas sugjeron që kandidatët ta përdorin intervistën edhe për të vlerësuar punëdhënësin, duke u informuar për kulturën e kompanisë dhe politikat e përdorimit të IA.
Sipas ekspertëve, kandidatët duhet të pyesin se si kompania e përdor inteligjencën artificiale dhe çfarë rregullash zbaton, për të kuptuar nëse praktikat e saj përputhen me pritshmëritë e tyre.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









