Dissidenti i njohur bjellorus dhe ish-i burgosuri politik nga regjimi i Aleksandër Lukashenkos, Paval Sieviaryniec, ka shprehur mbështetjen e tij për protestat e studentëve dhe të rinjve në Shqipëri kundër korrupsionit.
Përmes një videomesazhi drejtuar qytetarëve shqiptarë, Sieviaryniec u bën thirrje të mos kenë frikë të dalin në rrugë për të protestuar dhe të qëndrojnë të vendosur në kauzën e tyre për luftën kundër korrupsionit dhe për liri.
Duke iu referuar përvojës së tij në përballjen me regjimin bjellorus, ku ka vuajtur edhe burgun politik, ai thekson se nuk duhet hequr dorë nga përpjekjet për liri, pavarësisht sakrificave që mund të kërkojë kjo rrugë.
Sipas Sieviaryniec, të njëjtën forcë dhe vendosmëri duhet të gjejnë edhe qytetarët shqiptarë, pasi lufta për lirinë e vendit dhe të ardhmen e tij mund të kërkojë sakrifica personale.
“Duhet t’ju them një gjë, qytetarë të dashur shqiptarë: kur ne luftojmë për lirinë, për vendin tonë, për gjërat që na ka dhënë Zoti, duhet të kuptojmë se ndonjëherë duhet të sakrifikojmë lirinë tonë, shëndetin tonë, madje edhe jetën tonë. Më besoni, ia vlen. Zoti i do ata që ngrihen dhe luftojnë për vendin e tyre, për njerëzit e tyre. Kurrë, kurrë mos u dorëzoni. Ne mundemi, ne besojmë, ne do t’ja dalim!”, shprehet Sieviaryniec në videomesazhin e tij.