Vendosni fjalën kyçe....

Jep dorëheqjen prokurori amerikan që drejtoi hetimet ndaj hetimeve të mëparshme për Trumpin


Jason Reding Quiñones, prokurori federal që drejtoi në Miami hetimet mbi çështjet penale të mëparshme ndaj presidentit amerikan Donald Trump, ka dhënë dorëheqjen nga detyra.

Lajmi u bë i ditur të premten nga Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-së, Todd Blanche, sipas Reuters.

Quiñones drejtonte zyrën e prokurorit federal për Distriktin Jugor të Floridës, e cila ishte ngarkuar me shqyrtimin e hetimeve të mëparshme ndaj Trumpit, përfshirë çështjen e dokumenteve të klasifikuara që ai kishte marrë me vete pas largimit nga Shtëpia e Bardhë në vitin 2021, si dhe hetimet mbi kontaktet e fushatës së tij me Rusinë gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016.

Këto hetime ishin pjesë e përpjekjeve të administratës Trump për të rihapur çështjet e mëparshme penale ndaj presidentit dhe për të shqyrtuar veprimet e institucioneve që kishin drejtuar hetimet ndaj tij. Deri më tani, këto përpjekje nuk kanë prodhuar rezultate konkrete.

Dorëheqja e Quiñones shënon largimin e zyrtarit të dytë të nivelit të lartë nga Departamenti i Drejtësisë që prej zgjedhjeve të mesmandatit të së martës, në të cilat republikanët e Trumpit humbën kontrollin e Kongresit.

Një ditë më parë kishte dhënë dorëheqjen edhe Harmeet Dhillon, e cila drejtonte njësinë për të drejtat civile në Departamentin e Drejtësisë.

Arsyet e largimit të Quiñones nuk janë bërë ende të qarta. Në një reagim në rrjetin social X, ai konfirmoi se dorëheqja hynte në fuqi të premten, duke e cilësuar një nder shërbimin në këtë detyrë.

Gjatë drejtimit të tij, zyra e prokurorit federal në Florida ishte përfshirë edhe në ngritjen e akuzave penale ndaj ish-presidentit kubanez Raúl Castro, në një përshkallëzim të fushatës së presionit të administratës Trump ndaj Kubës.