Rrëzimi i një avioni të vogël në një zonë të banuar të Limburgerhofit, në jugperëndim të Gjermanisë, u ka marrë jetën dy personave.
Aksidenti ndodhi më 16 maj, rreth orës 11:30 sipas kohës lokale. Transmetuesi publik gjerman SWR raportoi se avioni dyshohet të ketë shpërthyer në ajër, përpara se të përplasej në zonën e banuar.
Të lidhura
None found
Zëdhënësi i policisë, Thorsten Mischler, konfirmoi se viktimat ishin dy personat që ndodheshin në bord. Sipas SWR-së, nga ngjarja mbeti i plagosur të paktën edhe një person tjetër.
Sipas dëshmitarëve okularë, avioni preku një banesë përpara se të rrëzohej, ndërsa pjesët e tij u shpërndanë në një hapësirë të gjerë përreth. Forca të shumta policie dhe ekipe emergjence shkuan në vendngjarje, ku zona u rrethua për të lehtësuar hetimet.
Për dokumentimin e vendit të aksidentit, një helikopter policie realizoi fotografime nga ajri. Autoritetet gjermane kanë nisur hetimet për të zbuluar shkaqet e rrëzimit.








