Gjykata Kushtetuese miratoi më 2 nëntor aneksin e Rregullores për Procedurat Gjyqësore gjatë shqyrtimit të çështjeve që kanë të bëjnë me vetingun e magjistratëve, për të cilat Strasburgu ka gjetur shkelje të kryera gjatë gjykimit të tyre në ish-Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ose të çështjeve për të cilat subjektet kanë kërkuar ose do të kërkojnë rishikim. Vendimi është marrë me votat e kryetares së Gjykatës Kushtetuese, Fiona Papajorgji dhe anëtarëve Sandër Beci, Genti Ibrahimi, Ilir Toska, Marsida Xheferllari, Asim Vokshi e Marjana Semini. Kundër ka dalë vetëm gjyqtarja Sonila Bejtja.
Në aneksin e publikuar në Fletoren Zyrtare, theksohet se qëllimi tij është të sigurojë ushtrimin efektiv të juridiksionit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve nga Gjykata Kushtetuese, nëpërmjet përcaktimit të rregullave procedurale që garantojnë zhvillimin e një procesi të rregullt ligjor, si dhe respektimin e të drejtave të pjesëmarrësve në gjykim.
Sipas dokumentit, kërkesat e magjistratëve të cilët kanë marrë një vendim pozitiv në Gjykatën e Strasburgur do të shqyrtohen nga një kolegj i përbërë prej tre gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, ku bën pjesë edhe relatori.
Kur kërkesa nuk përmbush kriteret e parashikuara, kolegji vendos moskalimin e çështjes në seancë plenare. Kur ndonjë nga gjyqtarët e Kolegjit nuk është i një mendimi me të tjerët, kërkesa i kalon për shqyrtim paraprak Mbledhjes së Gjyqtarëve. Sipas Aneksit, Kolegji ose Mbledhja e Gjyqtarëve nuk shqyrton themelin e çështjes në këtë fazë.
Në Aneks përcaktohet se vendimi për moskalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare nga Kolegji merret njëzëri, ndërsa nga Mbledhja e Gjyqtarëve merret me shumicën e votave. Shqyrtimi i çështjeve në seancë plenare përcaktohet se duhet të bëhet me jo më pak se dy të tretat e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, ndërsa vendimi merret me shumicën e votave të të gjithë gjyqtarëve të saj.
Abstenimi nuk lejohet dhe vendimi duhet të nënshkruhet nga të gjithë gjyqtarët e pranishëm në shqyrtimin e çështjes.
Ashtu si gjatë procesit të vetingut, edhe në shqyrtimin e këtyre çështjeve do të jenë të pranishëm vëzhguesit e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, të cilat ruajnë kompetencat e përshkruara në aneksin e Kushtetutës. Ata do të kenë akses në dosjen gjyqësore dhe në dokumentacionin që lidhet me çështjen e rivlerësimit, si dhe do të jenë të pranishëm gjatë të gjitha fazave të shqyrtimit, përfshirë dhomën e këshillimit dhe marrjen e vendimit.
Po ashtu, do të mund të paraqesin gjetje mbi çështje të rivlerësimit kalimtar që shqyrtohen nga Gjykata Kushtetuese, duke përfshirë mendime me shkrim për rrethana konkrete ose për fakte që rezultojnë gjatë shqyrtimit të çështjes. Sipas Aneksit, këto mendime mund të merren në konsideratë nga Gjykata Kushtetuese gjatë vendimmarrjes, por nuk kanë vlerën e provës.
“Në çdo rast, prania e vëzhguesve ka karakter monitorues dhe nuk përfshin të drejtën e votës ose pjesëmarrjen në vendimmarrje”, citohet në Aneksin e Rregullores.
Të gjitha kërkesat e kryera nga subjektet e rivlerësimit në ish-Kolegjin e Posaçëm të Apelimit për rishikimin e vendimeve, që nuk janë përfunduar, konsiderohen të vlefshme dhe ruajnë efektet e tyre juridike. Po kështu, konsiderohen të vlefshme dhe ruajnë efektet e tyre juridike edhe veprimet procedurale të kryera nga Gjykata Kushtetuese deri në hyrjen në fuqi të këtij aneksi.
Aktualisht, janë katër magjistratët Ervin Metalla, Gentian Osmani, Adnan Kosova, Ferdinand Elezi si dhe ndihmësi ligjor, Eugen Papandile, për të cilët Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut ka konstatuar shkelje të nenit 8 të Konventës gjatë procesit të tyre të vetingut. Për këta magjistratë, shkarkimet janë cilësuar joproporcionale. Po ashtu, janë gjetur shkelje të nenit 6 të Konventës edhe në vetingun e magjistratëve të tjerë, lidhur me procesin e rregullt ligjor.






