Frikë në qiejt e Europës, të tjera alarme për bombë, verifikohet burimi i kërcënimeve

06/11/2026 18:26

Një valë e re kërcënimesh për vendosjen e bombave në avionë ka shkaktuar ndërprerje dhe masa të shtuara sigurie në disa aeroporte evropiane edhe gjatë ditës së sotme.

Sipas raportimeve të deritanishme, të paktën 17 fluturime janë prekur nga incidentet, ndërsa autoritetet vijojnë verifikimet për të përcaktuar origjinën dhe vërtetësinë e kërcënimeve. Aeroporti i Pragës është ndër më të prekurit, ku alarmed për bomba kanë përfshirë të paktën tetë fluturime, në mbërritje dhe në nisje.

Sipas zëdhënëses së aeroportit, Denisa Hejtmánková, kërcënimet kanë prekur avionë që mbërrinin nga Danimarka, Spanja dhe Mbretëria e Bashkuar, si dhe fluturime që niseshin drejt Holandës, Qipros, Rumanisë, Italisë dhe Britanisë. Një tjetër incident u regjistrua nga Praga drejt Romës, me avionin që u detyrua të ndryshonte itinerarin dhe të ulej në mënyrë të sigurt në Venecia.

Edhe një avion i kompanisë ajrore rumune TAROM, në linjën Pragë-Bukuresht, u prek nga një alarm sigurie. Avioni deklaroi gjendje emergjence gjatë fluturimit, përpara se të ulej i sigurt në Bukuresht. Kërcënimi rezultoi i pakonfirmuar. Nga ana tjetër edhe një kërcënim ndaj një fluturimi Roma drejt Lisbonës, u konfirmua si alarm i rremë nga policia portugeze.

Autoritetet po hetojnë origjinën dhe rrethanat e incidentit, i cili preku gjithashtu edhe fluturimin e kthimit në të njëjtën rrugë. Shqetësime të ngjashme u raportuan edhe në Francë.

Zyra e kryeministrit francez konfirmoi se gjatë ditës janë marrë katër kërcënime të reja për bomba ndaj avionëve që fluturonin mbi territorin francez. Të gjithë avionët u ulën në mënyrë të sigurt, ndërsa njësitë e specializuara për çaktivizimin e eksplozivëve kryen kontrolle. Autoritetet kanë nisur hetimet për identifikimin e burimit të kërcënimeve.

Edhe në Sofje u raportuan dy alarme për fluturime që vinin nga Londra Stansted dhe Brukseli. Sipas një zëdhënësi të Ministrisë bullgare të Transportit, të dy avionët u ulën pa probleme. Përveç aeroporteve, vala e kërcënimeve është shtrirë edhe në mediat irlandeze.

Disa organizata mediatike, përfshirë transmetuesin publik RTÉ, u detyruan të ndërprisnin transmetimet dhe të evakuonin stafin pas marrjes së kërcënimeve me bombë. Transmetimi i zakonshëm i Radio One rifilloi më vonë gjatë paradites, ndërsa policia vijoi kontrollet në ambientet përkatëse.

Top Channel