Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Cotia-s, në Sao Paulo të Brazilit, ku një avokate 29-vjeçare dhe djali i saj 6-vjeçar janë gjetur të pajetë në dhomën e gjumit të banesës së tyre. Për vrasjen e dyfishtë dyshohet ish-partneri i gruas, biznesmeni 41-vjeçar Eric Conrado Alves de Almeida, i cili është arrestuar nga policia.
Viktimat janë identifikuar si Anna Gabriela Faria Lima dhe djali i saj, Raphael. Trupat e tyre u gjetën të shtrirë së bashku në një krevat dopio. Ngjarja u zbulua të martën në mbrëmje, pasi një koleg i avokates mori një telefonatë nga biznesmeni, i cili e njoftoi se në banesën e Annës ndodheshin dy trupa.
Pamjet e kamerave të sigurisë kanë regjistruar biznesmenin duke hyrë në kompleksin e banimit së bashku me viktimat të dielën në mbrëmje dhe duke u larguar në orët e para të së hënës në mëngjes. Sipas informacioneve të publikuara, gjatë kësaj periudhe nuk është regjistruar hyrja e ndonjë personi tjetër në kompleks.
Hetimet kanë zbardhur edhe një histori të tensionuar mes çiftit. Sipas dëshmive të familjarëve dhe personave të afërt me 29-vjeçaren, marrëdhënia e tyre ishte karakterizuar nga ndarje të përsëritura, përndjekje dhe kërcënime me vdekje. Dëshmitarët kanë deklaruar gjithashtu se biznesmeni kishte shkuar në të kaluarën për t’i treguar armët e zjarrit, me qëllim frikësimin e saj.
Shkaqet zyrtare të vdekjes ende nuk janë përcaktuar përfundimisht, ndërsa pista kryesore e hetimit është asfiksia. Autoritetet po hetojnë rrethanat në të cilat humbën jetën nëna dhe fëmija, si dhe mundësinë që djali të jetë vrarë përpara nënës së tij.
Pas ngjarjes, 41-vjeçari dyshohet se u largua drejt banesës së prindërve, ku u arrestua nga policia. Gjatë arrestimit, ai deklaroi se “gruaja e jetës së tij vdiq në krahët e tij”, sipas raportimeve të mediave braziliane.
