Manchester United, Carrick: Mund të kthehemi në nivelet e Ferguson, por duhet kohë
Më 6 nëntor 1986, Sir Alex Ferguson kaloi portat e Old Trafford, duke nisur epopenë më të lavdishme në futbollin ndërkombëtar. Pikërisht dyzet vjet nga ajo ditë, trashëgimia e legjendës vazhdon të paraqesë një kërcënim për këdo që ulet në stolin e Manchester United. Sot barra bie rëndë mbi supet e Michael Carrick, një trajner në mes të zjarrit të kritikave, i cili sapo ka rifituar pak oksigjen falë fitores 3-2 kundër Romës, e cila erdhi pas nëntë ndeshjeve radhazi pa sukses.
I pyetur për mundësinë e rikthimit të klubit në ato nivele legjendare, Carrick u përgjigj kështu: “Nuk është e pamundur. Duhet të ndërtojmë. Duhet të jemi realistë dhe t’i vendosim gjërat në perspektivën e duhur. Shikoni historinë tonë të kohëve të fundit, ku po përpiqemi të arrijmë dhe çfarë duam të arrijmë. Nuk do të ndodhë sa hap e mbyll sytë. Nuk do të ndodhë brenda natës. Suksesi kërkon kohë, kërkon kohë për ta ndërtuar atë. Nuk ka rrugë tjetër dhe nuk ka rrugë të shkurtra”.
Një e vërtetë që epoka moderne tenton ta fshijë: Fergusoni vetë trashëgoi një ekip pa tituj që nga viti 1967 dhe iu desh të luftonte për gati shtatë vjet përpara se të fitonte trofeun e tij të parë, duke i hapur më pas rrugën drejt trembëdhjetë titujve të Premier League dhe dy Ligave të Kampionëve. Nga fjalët e Carrick del edhe emocioni i marrëdhënies aktuale me trajnerin skocez: “Ndoshta jam më afër tij tani dhe flas me të më shpesh sesa kur luaja. Që kur kam ardhur këtu, ndikimi që ai ka pasur tek unë si person ka qenë i jashtëzakonshëm. Marrëdhënia jonë ka evoluar në një miqësi të vërtetë, është vërtet e këndshme”.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




