U arrestua në Greqi si vrasës serial, marrin kthesë hetimet 43-vjeçarin shqiptar, çfarë zbuloi policia për Nikolin Palin 

06/11/2026 18:45

Kthesë kanë marrë hetimet pas arrestimit nga forcat speciale greke EKAM të një 43-vjeçari shqiptar, i dënuar si autor i një vrasjeje të dyfishtë në vitin 2020 në Greqi dhe i dyshuar si vrasës me pagesë.

Fillimisht, ai u identifikua si Nikolin Pali, 43 vjeç, i njohur në Greqi si Niko. Policia greke tha se, veç vrasjes së dyfishtë, ai kërkohej edhe në Shqipëri për “vjedhje me armë”, kryer në bashkëpunim dhe e mbetur në tentativë, ndërsa gjatë kontrollit të banesës në Greqi iu gjetën pistoleta dhe granata.

Para pak minutash, burime ekskluzive për “Top Channel”, mëson gazetari Artur Bibe, pranë policisë greke bëjnë me dije se i arrestuari dyshohet të jetë një person i kërkuar në Shqipëri, i dënuar për vrasje. Bëhet fjalë për shtetasin Fran Preldakaj, alias Zef Preldakaj.

Policia ka nisur një hetim të thelluar për të dyshuarin, pasi informacionet në rrugë operative e përfshijnë në ngjarje të rënda kriminale në të dyja shtetet dhe, për këtë, po hetohen disa ngjarje të viteve të fundit.

Top Channel