Mali i Zi ka shënuar një tjetër përparim në rrugën drejt Bashkimit Evropian, duke mbyllur edhe dy kapituj negociues gjatë Konferencës Ndërqeveritare në Bruksel. Me këtë zhvillim, numri i kapitujve të mbyllur arrin në 23, ndërsa kanë mbetur edhe 10 të tjerë. Kapitujt e përmbyllur janë ai 1, për lëvizjen e lirë të mallrave, dhe kapitulli 12, që përfshin sigurinë ushqimore, politikat veterinare dhe mbrojtjen e bimëve. Kryeministri Milojko Spajić e cilësoi këtë si një hap të rëndësishëm drejt fazës përfundimtare të integrimit evropian. “Sot dërguam një mesazh se Mali i Zi është gati për fazën përfundimtare të integrimit evropian”, deklaroi ai.
Podgorica synon të përfundojë negociatat deri në dhjetor 2026, ndërsa në qershor 2027 parashikohet nënshkrimi i Marrëveshjes së Anëtarësimit. Gjatë nëntorit pritet të mbyllen pesë kapituj të tjerë, ndërsa në dhjetor fokusi do të jetë te kapitujt 23 dhe 24, që lidhen me drejtësinë, sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit. Ministri irlandez për Çështjet Evropiane, Thomas Byrne, theksoi se përparimi drejt anëtarësimit varet nga vijimi i reformave.
“Jemi të përkushtuar që Mali i Zi të mbyllë të gjithë kapitujt deri në fund të vitit. Por reformat duhet të vazhdojnë, sidomos për sundimin e ligjit, pavarësinë e institucioneve dhe luftën kundër krimit të organizuar”, u shpreh ai. Pas nënshkrimit të marrëveshjes, ajo duhet të ratifikohet nga të gjitha 27 vendet anëtare të BE-së dhe nga Mali i Zi. Megjithatë, Brukseli paralajmëron se afatet janë orientuese dhe se çdo regres në reforma mund të shtyjë procesin e anëtarësimit.
