Jason Reding Quiñones, prokurori i Distriktit Jugor të Floridës, i cili mbikëqyrte rishqyrtimin e dosjeve të vjetra penale ndaj Donald Trump, ka dhënë dorëheqjen nga detyra.
Lajmi u konfirmua të premten nga Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-së, Todd Blanche. Quiñones ishte në krye të një prej proceseve të rëndësishme të administratës Trump, që synonte të analizonte mënyrën se si ishin zhvilluar hetimet e mëparshme ndaj presidentit amerikan.
Zyra e tij ishte ngarkuar me shqyrtimin e dy çështjeve kryesore: hetimin për dokumentet e klasifikuara që Trump mbajti pas largimit nga Shtëpia e Bardhë në vitin 2021 dhe hetimin mbi kontaktet e fushatës së tij me Rusinë gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016. Deri më tani, këto përpjekje nuk kanë prodhuar rezultate konkrete.
Institucioni i drejtuar prej tij kishte ngritur gjithashtu një padi penale ndaj ish-presidentit kubanez Raul Castro, në kuadër të politikës së presionit të administratës Trump ndaj Kubës.
Dorëheqja e Quiñones shënon largimin e dytë të një zyrtari të lartë të Departamentit të Drejtësisë brenda dy ditësh. Një ditë më parë, të enjten, dha dorëheqjen edhe Harmeet Dhillon, e cila drejtonte njësinë për të drejtat civile.
Këto largime lënë pa drejtues dy prej nismave të rëndësishme të Departamentit të Drejtësisë, që lidhen me rishqyrtimin e hetimeve të mëparshme dhe çështjet e arsimit të lartë.
Arsyet e dorëheqjes së Quiñones nuk janë bërë publike. Në një reagim në rrjetin social X, ai konfirmoi se vendimi hyri në fuqi të premten, duke e cilësuar shërbimin në këtë detyrë si një nder.
