Europa po e ndjek sërish me dhëmbët shtrënguar atë që po ndodh në Shtëpinë e Bardhë.

Një propozim ende i paqartë i administratës Trump për një marrëveshje të re sigurie në të gjithë Europën, që përfshin edhe Rusinë, është pritur me skepticizëm nga kryeqytetet europiane. Ato druhen se nisma mund ta lërë kontinentin jashtë vendimmarrjes dhe t'i japë më shumë hapësirë kreut të Kremlinit, Vladimir Putin.

“Ne tashmë kemi një arkitekturë europiane të sigurisë, NATO-n dhe Bashkimin Europian, që kanë secila rolet e tyre përkatëse”, tha të premten shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, duke komentuar propozimin amerikan.

“Duhet të sigurohemi që Ukraina të integrohet në këtë arkitekturë. Problemi mbetet se Rusia vazhdon të shkelë traktatet mbi të cilat ajo mbështetet. Putini nuk ka të drejtë vetoje mbi sigurinë europiane”, shtoi ajo.

Propozimi i fundit amerikan nxjerr në pah shqetësimin në rritje për afrimin e ri të Trumpit me Rusinë, në një kohë kur presidenti amerikan po shton presionin ndaj Ukrainës dhe administrata e tij po përpiqet të ringjallë bisedimet e bllokuara prej kohësh për t'i dhënë fund luftës në shkallë të plotë që Moska ka nisur kundër Kievit.

POLITICO foli me 12 diplomatë të NATO-s, përfaqësues të BE-së dhe zyrtarë të qeverive europiane, të cilëve iu garantua anonimati për të folur lirshëm mbi këtë çështje të ndjeshme.

Sipas tre diplomatëve të Aleancës, aleatët e NATO-s nuk ishin informuar paraprakisht për planet amerikane dhe shumë prej tyre vazhdojnë të jenë skeptikë ndaj idesë. Presidenti amerikan Donald Trump foli të enjten vonë për një “marrëveshje të madhe dhe të bukur”, pas takimit me të dërguarin e Putinit, Kirill Dmitriev.

“Ajo do të përfshijë më shumë sesa Ukrainën dhe madje mund të them se mund të përfshijë të gjithë Europën”, deklaroi Trump.

Pak më vonë, dhëndri i Trumpit dhe i dërguari i tij, Jared Kushner, dha më shumë hollësi mbi synimet e nismës.

“Objektivi ynë është të zhvillojmë marrëveshje praktike që trajtojnë shqetësimet e sigurisë të të gjitha palëve, ulin rrezikun e konflikteve të ardhshme dhe krijojnë një mjedis sigurie më të qëndrueshëm dhe më të parashikueshëm”, tha Kushner.

Sipas tij, marrëveshja do të kishte pesë objektiva: konsultime të përhershme për sigurinë, komunikime të besueshme gjatë krizave, transparencë më të madhe ushtarake, masa reciproke për të ulur rreziqet e përshkallëzimit dhe një kuadër të qëndrueshëm për sigurinë dhe stabilitetin afatgjatë europian.

Megjithatë, diplomatët europianë nuk janë të bindur.

“Është disi e paqartë se çfarë donte të thoshte Kushner”, tha një diplomat i NATO-s.

“Ndjesia e përgjithshme në Europë është se çdo diskutim me Rusinë për arkitekturën e ardhshme të sigurisë, në këtë moment, thjesht do të përdoret nga Moska për të legjitimuar argumentet e saj. Kjo nuk do të pranohet nga aleatët europianë”, shtoi ai.

Një zyrtar i lartë europian u shpreh: “Fjalë për fjalë, nuk ka asgjë për t'u kritikuar, por ne e dimë se po ndodh diçka tjetër”.

“Elefanti në dhomë”

Këshilltari kryesor i presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, Björn Seibert, informoi të premten ambasadorët e BE-së, sipas dy diplomatëve europianë. Takimi pasoi një diskutim mes këshilltarëve të sigurisë kombëtare për këtë çështje.

“Ka gatishmëri për t'u angazhuar në Kiev dhe në pjesën tjetër të Europës, megjithëse besimi te rusët është i pakët. Por BE-ja nuk po e bllokon këtë”, tha një prej diplomatëve të BE-së pas takimit.

Megjithatë, ai shtoi se “grupi rreth Trumpit e ka nënvlerësuar se sa i rëndësishëm është ky konflikt për Europën dhe sa i rrezikshëm është për Europën një rezultat i keq për Ukrainën”. Një zyrtar i lartë europian i sigurisë theksoi se qëndrimi i Europës për këtë çështje ka qenë prej kohësh i qartë.

“Është një qëndrim i kahershëm i yni dhe i shumë të tjerëve që arkitektura europiane e sigurisë nuk duhet të diskutohet ndërkohë që ka një luftë. Dhe, natyrisht, jo pa europianët”, tha ai.

Edhe presidenti i Lituanisë, Gitanas Nauseda, kërkoi që Europa të jetë pjesë e negociatave.

“Europa duhet të ketë një vend në tryezën e negociatave për paqen në Ukrainë dhe për arkitekturën e ardhshme të sigurisë europiane”, deklaroi ai të premten, pas një takimi të tetë vendeve nordike dhe baltike.

Gjatë kësaj jave janë zhvilluar dy raunde takimesh në nivel pune në Bruksel për një marrëveshje paqeje në Ukrainë, përpara bisedimeve të ndërmjetësuara nga SHBA-ja mes Ukrainës dhe Rusisë, të planifikuara për 10 dhe 11 nëntor në Abu Dhabi. Kryeministri polak Donald Tusk bëri thirrje për kujdes ndaj synimeve të Moskës.

“Duhet të jemi realistë për bisedimet e paqes dhe duhet të jemi shumë të kujdesshëm kur bëhet fjalë për synimet e vërteta të Rusisë”, u tha Tusk një grupi gazetarësh, mes tyre edhe atyre të POLITICO-s, në fillim të kësaj jave.

“Në dimër, Putini mund të ketë më pak nxitje për të arritur një marrëveshje”, shtoi ai.

Stefan Kornelius, zëdhënësi i kancelarit gjerman Friedrich Merz, i cili bisedoi me Trumpin të enjten në mbrëmje, tha se pas zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA këtë javë është krijuar “një ndjenjë e re urgjence” për negociatat.

Ai shtoi se çështja do të rikthehet në diskutim gjatë një takimi joformal të udhëheqësve të BE-së në Dublin, javën e ardhshme. Takimi ishte planifikuar të përqendrohej te inteligjenca artificiale, por zhvillimet në Ukrainë mund t'i lënë në hije këto diskutime, tha një diplomat i tretë i BE-së.

“Gjërat po lëvizin mjaft shpejt”, u shpreh ai.

Megjithatë, disa aleatë druhen se SHBA-ja mund ta lidhë nismën e re me një rishikim të ardhshëm të pranisë së trupave amerikane në Europë, që pritet në dhjetor.

“Ky është elefanti në dhomë”, tha një diplomat i dytë i NATO-s, duke iu referuar çështjes që shqetëson të gjithë, por që mbetet pa u trajtuar hapur.

“Një gjë është të flasësh për arkitekturën europiane të sigurisë me një qëndrim ‘normal’ të SHBA-së, dhe tjetër gjë është të flasësh për arkitekturën europiane të sigurisë ‘siç do të jenë gjërat’, ndërkohë që askush nuk e di se si do të jenë”, përfundoi ai. /Politico