Hetimet ndaj kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës, Erion Veliaj, duket se po marrin një tjetër drejtim. Krahas dosjes ekzistuese, ku Veliaj përballet me 13 akuza për 5 vepra penale, mësohet se po vijojnë hetimet për një çështje tjetër, të njohur si “Veliaj 2”.
Në qendër të verifikimeve janë vendosur të gjitha transaksionet financiare të kompanisë së vëllait të tij. Hetuesit po shqyrtojnë nëse kjo kompani ka përfituar tendera nga Bashkia e Tiranës dhe nëse ekzistojnë lidhje të mundshme mes aktivitetit të saj dhe institucionit të drejtuar nga Veliaj.
Një tjetër pjesë e hetimeve lidhet me udhëtimet e kryebashkiakut që prej marrjes së detyrës. Mësohet se po kontrollohen lëvizjet e tij jashtë vendit, mënyra e organizimit të udhëtimeve dhe zyrtarët me të cilët mund të ketë udhëtuar apo zhvilluar takime.
Dosja “Veliaj 2” raportohet se është ende në fazën e hetimeve, ndërsa mbetet për t'u parë nëse verifikimet do të zbulojnë shkelje të tjera të mundshme.