Kosova, 8 gra të vrara në familje/ Dhuna në familje, 2052 raste në nëntë muaj dhe 70 të tjera pas vrasjes së Arlinda Zekajt

06/11/2026 19:58

Vetëm në muajin tetor në Kosovë u vranë tre gra, një foshnjë 3 muajsh dhe një 27 vjeçar nga familjarët e tyre.

Zojë Zeneli, 81 vjeçare vdiq në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë, pas plagëve të shkaktuara nga djali i saj.

Nafije Bogujevci, bashkë me vëllain u vranë në Gjilan, nga bashkëshorti i saj. Arlinda Zekaj u vra në Vitomiricë të Pejës nga kunati dhe foshnja muajsh e babai i saj u vranë nga gjyshi.

Për dhjetë muaj të vitit 2026 në Kosovë u vranë në tërësi 8 gra nga familjarët e tyre, ndërkohë gjatë vitit 2025 u vra një grua. Rastet e dhunës në familje janë në rritje krahasuar me vitin paraprak.

Që prej 25 tetorit, kur edhe u vra Arlinda Zekaj, sipas raporteve ditore të Policisë së Kosovës janë raportuar 70 raste të dhunës në familje, ku 59 viktima janë gra.30 raste të tjera të raportuara janë cilësuar si kanosje brenda dhunës në familje dhe 22 prej viktimave janë gra.

Gjashtë raste janë raportuar për shkelje të urdhrit të mbrojtjes të lëshuar nga gjykatat. Sipas raporteve ditore të Policisë së Kosovës brenda periudhës 12 ditore janë arrestuar 52 persona si të dyshuar për dhunë në familje, prej të cilëve 51 janë meshkuj e një grua.

Ndërkohë për shkeljen e urdhrit të mbrojtjes janë arrestuar katër persona, një rast nuk raportohet nëse ka ose jo arrestim, ndërkohë që në rastin tjetër thuhet se i dyshuari ndodhet jashtë vendit dhe ka kërcënuar bashkëshorten që është në proces divorci përmes telefonit.Policia e Kosovës ka ofruar edhe të dhëna mbi rastet e dhunës në familje të raportuara në periudhën janar-shtator 2026. Sipas statistikave për vetëm nëntë muaj në Kosovë janë raportuar 2052 raste të dhunës në familje.

Deri tani evidentohet rritje e numrit të rasteve të raportuara krahasuar me vitin paraprak ku përgjatë 12 muajve ishin raportuar 2815 raste të dhunës në familje. Nga të dhënat, 1626 gra janë viktima të dhunës në familje deri tani në vitin 2026.

Të dhënat e Policisë së Kosovës tregojnë që prej numrit total të rasteve të dhunës në familje të raportuar këtë vit, 176 janë të përsëritura. Derisa, të dhënat nga Ministria e Drejtësisë tregojnë që për këtë periudhë janë shqiptuar edhe 110 urdhra emergjent mbrojtës për viktimat.

Top Channel