Nga janari i vitit 2027, 54 produkte ushqimore pritet të përfitojnë nga ulja e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), nga 20% në 6%. Por për të garantuar që kjo masë të reflektohet realisht në faturën e konsumatorëve, qeveria ka nisur monitorimin e çmimeve në të gjitha hallkat e zinxhirit tregtar. Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, bëri të ditur se kontrolli do të mbështetet te platforma “Pasqyra e Çmimeve”, përmes së cilës autoritetet mund të ndjekin ndryshimet e çmimeve që nga furnizimi dhe importi, deri te shitja përfundimtare.
Sipas ministres, synimi është të identifikohen hallkat ku aplikohen marzhe më të larta fitimi apo ku krijohen kosto shtesë, të cilat mund të ndikojnë në çmimin që paguan konsumatori. “Platforma pikërisht synon të bëjë transparencë në çmimet e ushqimeve. Brenda saj nuk bëhen vetëm transparente çmimet e konsumatorit, por kemi raportim nga i gjithë zinxhiri, nga furnitorët, importuesit dhe prodhuesit”, deklaroi Ibrahimaj.
Ajo theksoi se kjo analizë do t’i shërbejë identifikimit të problematikave dhe garantimit që ulja e taksës të përkthehet në ulje reale të çmimeve. Një tjetër instrument kontrolli do të jenë faturat elektronike të fiskalizuara. Përmes tyre, institucionet synojnë të evidentojnë çdo rritje të pazakontë të çmimeve përpara hyrjes në fuqi të TVSH-së së reduktuar. Shqetësimi i qeverisë lidhet me mundësinë që disa biznese të rrisin paraprakisht çmimet, për t’i ulur ato më pas, duke krijuar përshtypjen se po zbatojnë efektin e reduktimit të TVSH-së.
“Meraku i madh që kemi është që bizneset mund të bëjnë spekulime duke rritur çmimet paraprakisht, në mënyrë që pas 1 janarit, kur të hyjë në fuqi tatimi i reduktuar, të mund t’i ulin”, u shpreh ministrja në ”Report TV”. Ibrahimaj nënvizoi se procesi i verifikimit ka nisur që tani, ndërsa faturat e lëshuara nga tregtarët do të shërbejnë si bazë për të krahasuar ecurinë e çmimeve.
