Vila 478 m² në Palasë: SPAK zbulon pronësinë indirekte të Belinda Ballukut dhe lidhjen me Arbër Abazin

Emisioni investigativ “Në Shënjestër” i gazetares Klodiana Lala në News24 ka trajtuar rastin e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke u ndalur te pasuritë që ajo dyshohet se ka fshehur në emër të personave të tretë për t’iu shmangur ligjit.

Në qendër të hetimit është një vilë familjare me numër 188/1, me sipërfaqe 478 metra katrorë, në të cilën janë kryer investime të konsiderueshme. Sipas dosjes hetimore, prona është blerë fillimisht nga Igli Tare për 250 mijë euro, ndërsa punimet dhe investimet e mëtejshme janë marrë përsipër nga biznesmeni Arbër Abazi, administrator i kompanisë “Alko Impex General Construction”. Prokurorët e SPAK-ut dyshojnë se emri i Tares është përdorur për të fshehur pronësinë reale të vilës. Ata kanë analizuar dokumentacionin e pronës, komunikimet elektronike midis kompanive ndërtuese dhe personave të përfshirë në punime, si dhe lidhjet familjare e të biznesit mes tyre.

Të lidhura

None found

Një nga personat që del në dokumentacion është Lorela Reçi, vajza e tezes së Belinda Ballukut dhe bashkëjetuese e Arbër Abazit. Hetimet tregojnë se ajo ka ndjekur nga afër punimet në vilë, ka komunikuar me studiot e projektimit dhe kompanitë ndërtuese dhe ka firmosur dokumente që lidhen me realizimin e investimeve.

SPAK ka arritur në përfundimin se Balluku ka pronësi indirekte mbi vilën, edhe pse ajo është regjistruar në emër të Igli Tares. Pasuria është vendosur nën sekuestro preventive me vendim të GJKKO-së.

Dokumentari i plotë i emisionit nis me një proverb të vjetër, sipas të cilit ligjet janë si rrjetat e merimangave: kapin mizat e vogla, ndërsa grerëzat e mëdha i çajnë ato. Ky proverb, sipas emisionit, i shkon sot më së shumti Belinda Ballukut, ish-zëvendëskryeministres, e cila cilësohet si një nga njerëzit më të fuqishëm në Shqipëri, madje edhe më e fuqishme se vetë kryeministri Edi Rama.

Teksa Rama ka dorëzuar një e nga një para drejtësisë bashkëudhëtarët e tij në 13 vitet e pushtetit, duket se nuk ka ndërmend të bëjë të njëjtën gjë me Ballukun. Ndryshe nga të tjerët, ai ka vendosur ta mbrojë atë deri në fund, duke i kthyer pas Kuvendit kërkesën e ardhur nga SPAK për heqjen e imunitetit të ish-numrit dy të qeverisë.

Balluku u paraqit për herë të fundit në godinën e SPAK-ut më 28 Tetor. Ajo u njoh me mbylljen e hetimeve të hapura ndaj saj dhe me 5 akuzat e ngritura, ndër të cilat korrupsion, pastrim parash, fshehje pasurie dhe abuzim me tenderat. Ish-zëvendëskryeministrja duhet të japë llogari për 9 procedura tenderimi për projekte infrastrukturore dhe punime publike.

Në listën e tenderave më kryesorë përfshihen Tuneli i Llogarasë, Unaza e Jashtme e Tiranës dhe aksi Porto Romano-Durrës. Në kuadër të kësaj dosjeje janë marrë të pandehur edhe ish-zyrtarë të lartë të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, njerëz të besuar të Ballukut, biznesmenë të njohur dhe ish-futbollisti i Kombëtares Igli Tare.

Lidhja e këtyre personazheve me Belinda Ballukun zbulohet përmes gjurmëve që ajo ka lënë në pasuritë e dyshuara si të përfituara nga korrupsioni, si në rastin e vilës së zbuluar në kompleksin “White Rocks” në Dhërmi. Kjo vilë, që mendohet se kap shifrën e investimit 420 mijë euro, ishte fshehur në emrin e ish-futbollistit Igli Tare.

Brenda saj, Balluku ka lënë gjurmët e saj ose të familjarëve në orenditë e vilës. SPAK ka administruar çdo hollësi që lidhte emrin e Ballukut me vilën që ajo ka kërkuar ta mohojë gjatë gjithë kohës. Gjetjet fillojnë te televizori i instaluar në mur, në të cilin është instaluar platforma “Netflix”, por që për ta hapur duhet të kalosh përmes emrit Belinda Balluku ose dy fëmijëve të saj, të cilët duket se e kanë frekuentuar shpesh vilën. Edhe pikturat në mure mbajnë emrin e vajzës së ish-zëvendëskryeministres.

Prova të ngjashme komprometuese janë gjetur edhe në elementët festivë të përdorur në vilë, përfshirë ato të përdorura gjatë ditëlindjes së djalit të Ballukut. Për më tepër, faturat e energjisë elektrike janë paguar nga vartësja e saj, Viola Haxhiademi, e cila është gjithashtu nën hetim nga SPAK.

Lidhja e Ballukut me kompaninë “Eurocol” të biznesmenit Pandeli Carapuli është kyçe. Nga hetimet e SPAK-ut, Carapuli jo vetëm që ka fituar një tender për rikonstruksionin e godinës së “Albcontrol” në kohën kur Balluku ishte drejtuese e këtij institucioni, por si kundërshpërblim i ka dhënë asaj një vilë në zonën e Dhërmiut, në kompleksin “White Rocks”. Hijet e para të kësaj afere korruptive nisin në vitin 2014.

Në atë periudhë, Balluku merr detyrën e drejtoreshës së përgjithshme të “Albcontrol”. Ajo i kërkon studios së arkitekturës “Atelier 4” të hartojë një projekt për “Rikonstruksionin e godinës teknologjike të Albcontrol”. Sipas Ballukut, në mungesë fondesh, projekti iu kërkua falas studios. Po këtë kërkesë ajo ia drejton edhe një studioje tjetër arkitekturore. Në lojë hyn edhe Evis Berberi, i cili më pas, kur Balluku u bë ministre e Transporteve, u shpërblye me pozicionin e drejtuesit të Autoritetit Rrugor Shqiptar. Gjatë kontrollit në banesën e Berberit dhe ekspertimit të telefonit të tij, u gjetën mesazhe dhe emaile që implikonin jo vetëm Ballukun, por edhe të besuar të saj e biznesmenë.

Gjetjet që kanë bindur prokurorët se vila “F6” në kompleksin “White Rocks” në Dhërmi është në posedim të Ballukut dhe se është përfituar nga shoqëria “Eurocol” me administrator Pandeli Carapulin, kanë nisur nga njëra prej vartëseve më besnike të Ballukut, Viola Haxhiademi, në atë kohë drejtoreshë e Departamentit Administrativ në “Albcontrol”.

Ajo ka komunikuar me motrën e saj, Dorela Haxhiademi, dhe e ka informuar se Balluku ka njësi banimi në kompleksin “White Rocks”. Në një email, Viola Haxhiademi i shkruan motrës: “Zemër, po të dërgoj fotot e Belës që të kuptosh në çfarë është shtëpia. Të kam dërguar dhe planin e projektit për të parë për cilën bëhet fjalë. Bela ka ‘F5’ ndërsa ne kemi ‘F6’. Po të shikosh në foton që kam bërë më afër me vilat kam vizatuar dhe ku do bëhet pishina”.

Për vilën “F6” rezulton se kontrata e porosisë është lidhur më 5 Dhjetor 2018 midis shtetasit Igli Tare, si porositës, dhe shoqërisë “Eurocol” sh.p.k. Çmimi i plotë i kësaj vile është 145 mijë euro. Nga sa ka zbuluar SPAK, Igli Tare ka paguar vetëm 70 mijë euro, ndërsa pjesa tjetër ka rezultuar e papaguar. Pasi punimet përfunduan në vitin 2019, Balluku dhe familjarët e saj duket se kanë qenë vizitorë të shpeshtë të vilës në “White Rocks”, çka vërtetohet nga gjetjet brenda ambienteve të saj.

Gjatë kontrollit të ushtruar në këtë vilë më 27 Prill 2026, në disa orendi shtëpiake dhe elektronike u zbuluan shenja të gjurmëve të familjes së ish-zëvendëskryeministres. Në dosje thuhet: “Gjatë kontrollit në vilë konkretisht janë konstatuar: Piktura, të cilat janë vendosur në muret e vilës, që kanë të shënuar inicialet e vajzës së shtetases Belinda Balluku; Zbukurime për festa ditëlindjesh, në emër të djalit të shtetases Belinda Balluku; Në televizorin që gjendej në dhomën e ndenjes së vilës, është konstatuar i hapur ‘Netflix’ me email-in e llogarisë ‘[email protected]’, ku gjenden si përdorues emrat e shtetases Belinda Balluku dhe të fëmijëve të saj”.

Në vilë u gjet gjithashtu një “Kontratë qiraje” e palidhur para noterit, me datë 25 Maj 2022. Ajo ishte lidhur midis shtetasit Igli Tare, si qiradhënës, dhe shtetases Joana Bushi, si qiramarrëse, për vilën “F6” në “White Rocks”. Joana Bushi rezulton një nga njerëzit më të besuar të Ballukut. Në kontratë shkruhej se afati i qirasë fillon më 1 Qershor 2022 dhe përfundon më 1 Qershor 2024, dhe se do të rinovohej automatikisht për një periudhë 2-vjeçare nga data e skadencës. Vlera e qirasë ishte 450 euro në muaj, me pagesë vjetore, e cila më pas u bë 600 euro në muaj. Joana Bushi ka bërë një depozitim në bankë për llogari të Igli Tares në vlerën 5 400 euro. Megjithatë, hetimi zbuloi se kjo kontratë qiraje ishte fiktive dhe ishte bërë për të humbur gjurmët e poseduesit real të pasurisë, që sipas SPAK-ut është Belinda Balluku.

Në dosje thuhet se për të fshehur posedimin e vilës, Balluku ka përdorur vartësen e saj Joana Bushi, duke kryer një veprim fiktiv të lidhjes së kontratës së qirasë me personin tjetër të përdorur si porositës, shtetasin Igli Tare. Veprimet e kryera nga Igli Tare për kontratën e porosisë dhe pagesa e pjesshme e formalizuar janë bërë për llogari të Belinda Ballukut. Kjo pasuri rezulton të jetë krijuar si përfitim i parregullt i dhënë nga Pandeli Carapuli, administrator i shoqërisë “Eurocol” sh.p.k, në drejtim të Ballukut.

Balluku ka krijuar për enturazhin e saj në “Albcontrol” edhe një grup WhatsApp të quajtur “Dhërmi”, sipas vendndodhjes së vilës në “White Rocks”. Në këtë grup bëjnë pjesë Belinda Balluku, Viola Haxhiademi, Matilda Kërçaku, Maksim Ethemaj dhe Alketa Pano. Nga aktet e administruara rezulton se njësitë e banimit në “White Rocks” filluan t’u dorëzohen personave të interesuar në qershor 2019. Që nga momenti i marrjes në dorëzim, vila rezulton të jetë përdorur rregullisht nga Balluku. Nga ekspertimi i celularit “Blackberry” të sekuestruar Viola Haxhiademit, rezulton se më 21 Qershor 2019, Balluku, me numrin celular “06960*****”, krijoi grupin “Dhërmi” në WhatsApp, me qëllim që anëtarët të koordinoheshin kur ishin në vilë. Në këtë grup mungon emri i Joana Bushit, e cila ka lidhur fiktivisht kontratën e qirasë me Igli Taren për vilën “F6”, vilë e cila de facto rezulton e Ballukut.

Kërkesat e klientes me status të veçantë ishin të tilla sa kishin vënë në vështirësi edhe studion më të mirë të arkitekturës në Shqipëri. Ata ishin të gatshëm t’i përmbushnin çdo vanitet, mjafton që ajo të ishte e kënaqur. Pas vilës së parë, një tjetër vilë, ku janë investuar mbi 800 mijë euro, është zbuluar në këtë pjesë të lakmuar të rivierës së jugut.

Kjo vilë, e zbuluar dhe më pas e sekuestruar nga SPAK me vendim të GJKKO-së në fillim të shtatorit të këtij viti, është ajo me numër 188/1, në resortin “Green Coast” në Palasë. Sipas gjetjeve, ajo fillimisht u ble nga ish-sulmuesi i njohur i Kombëtares së Shqipërisë dhe, deri pak kohë më parë, drejtor sportiv i Milanit, Igli Tare. Më pas, çuditërisht, vila kaloi në një dorë tjetër, e cila u kujdes që aty të investoheshin qindra mijëra euro. Në aktin final doli emri i vërtetë i klientes speciale me kërkesa të veçanta: Belinda Balluku, e cila e kaloi disa herë investimin kundrejt çmimit të blerjes.

Ndërsa SPAK e ka çuar emrin e saj në Kuvend për heqjen e imunitetit dhe vendosjen para drejtësisë, kryeministri Rama vazhdon ta mbajë peng këtë kërkesë. Balluku, ndonëse ndaj saj si ish-zëvendëskryeministre dhe ish-ministre e Transportit janë ngritur akuza të rënda për korrupsion të lidhura me pabarazinë në tendera, konkretisht në lotet 4, 5, 6 dhe 7 të Unazës së Tiranës, si dhe për aferën e Tunelit të Llogarasë, vazhdon të qarkullojë e lirë në rrugët e Tiranës. Ajo u paraqit në Kuvend mbrëmjen e 8 Tetorit për të ofruar kartonin e saj për shkrirjen e 15 bashkive dhe sfidoi në mënyrë cinike edhe protestuesit që ulërinin në kor emrin e saj.

Balluku ka edhe një hetim të hapur për korrupsion dhe pastrim parash, lidhur me dy tendera me vlerë mbi 1 milion euro gjatë kohës kur ishte drejtoreshë e përgjithshme e “Albcontrol”. SPAK tha se këta tendera iu dhanë në shkelje të ligjit një kompanie ndërtimi, nga e cila Balluku mori ryshfet një vilë në Dhërmi me vlerë 145 mijë euro, e cila është sekuestruar me vendim të GJKKO-së. Paratë e grabitura duket se i ka investuar në një tjetër vilë luksoze në bregdetin e jugut, siç ishte zbulimi i fundit i SPAK-ut për një vilë familjare me sipërfaqe 478 m² në kompleksin “Green Coast” në Palasë, një nga zonat më të lakmuara dhe luksoze të rivierës shqiptare, për të cilën është vendosur sekuestro preventive nga GJKKO.

Lidhja e Ballukut me vilën në “Green Coast” zbulohet përmes komunikimeve me email, fillimisht midis Lorela Reçit, vajzës së tezes së Ballukut, dhe projektuesve të vilës. Reçi rezulton edhe bashkëjetuese e Arbër Abazit, administrator i “Alko Impex General Construction”. Këtu zbulohet më tej lidhja e Igli Tares me vilën në Palasë dhe dyshimet se emri i tij shërbeu thjesht si koperturë për të mbuluar faktin që vila në të vërtetë i përkiste Ballukut.

Lidhja midis Igli Tares dhe Belinda Ballukut duket se daton fillimisht në vitin 2019. Në atë kohë, kompania e themeluar nga Igli Tare mori një leje ndërtimi në Tiranë me firmë të ministres Balluku, e cila ishte ministre e Infrastrukturës dhe Transportit dhe kishte ndikim në Këshillin Kombëtar të Territorit. Sipas dosjes, Igli Tare më 25 Janar 2019 ka regjistruar shoqërinë “AgroRoma 2019” sh.p.k, ku zotëron 100% të kuotave. “AgroRoma 2019” sh.p.k, së bashku me “EB Construction” sh.p.k, me vendimin nr. 07 datë 10 Qershor 2021 të Këshillit Kombëtar të Territorit, kanë marrë lejen e ndërtimit për “Objekt me funksione komplekse, shërbim, hoteleri dhe rezidencial”, pranë Zogut të Zi në Tiranë. Ky vendim është nënshkruar edhe nga Belinda Balluku, në cilësinë e Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Igli Tare rezulton se ka në pronësi dy vila në kompleksin “Green Coast” në Palasë. Vila familjare me nr. 188/1, megjithëse e regjistruar në emër të Tares, dyshohet se në fakt është e Belinda Ballukut. Sipas gjetjeve, çmimi i paguar për këtë vilë ka qenë 250 mijë euro, i paguar në dy këste. Është rënë dakord që sipërmarrësi i punimeve t’ia dorëzojë objektin palës blerëse, z. Tare, pasi objekti të jetë kolauduar. Kontrata e shitjes është formalizuar më 12 Shtator 2020 midis palës shitëse “Green Coast” shpk dhe palës blerëse Igli Tare.

Nga dokumentacioni i zbuluar del se vila nr. 188/1 në Palasë, deri në fazën e karabinasë, është investuar nga Igli Tare, ndërsa më tej punimet janë marrë përsipër nga biznesmeni Arbër Abazi, djali i ish-deputetit socialist Sadri Abazi. Abazi rezulton në bashkëjetesë me Lorela Reçin, vajzën e tezes së Belinda Ballukut. Sipas dosjes, ndërtimi i pasurisë “Vila familjare 2F nr.188/1, Nukli 27” në “Green Coast” Palasë është në posedim të Ballukut. Konkretisht, deri në fazën e karabinasë ka investuar Igli Tare, ndërsa punimet e tjera janë marrë përsipër dhe janë bërë nga Arbër Abazi, pronar i shoqërisë përbërëse të bashkimit ekonomik fitues të prokurimit “Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 7”, shoqëria “Alko Impex General Construction”.

Lorela Reçi ka marrë përsipër të mbikëqyrë çdo punim në vilën 188/1, por edhe atë ngjitur me të. Ajo jo vetëm komunikon me studiot dhe brigadat që merren me punimet, por është e para që informohet për çdo lëvizje që ka të bëjë me investimet në vilë. Në dokumentacionin e praktikës së pasurisë ndodhet dokumenti “Formular-Deklaratë punimesh”, nënshkruar nga Lorela Reçi, ku përshkruhet si e autorizuar nga zyra e investitorit për kryerjen e punimeve në vilën nr. 188/1. Ajo merr përsipër me firmë të saj të kryejë punime të ndryshme, duke filluar nga fasada deri në përfundimin e tyre. Reçi del garant se punimet do të kryhen në mënyrë cilësore dhe brigadat kanë përvojë e burime njerëzore për t’i përfunduar brenda afatit. Sipas marrëveshjes, punimet duhet të mbyllen brenda 30 ditëve nga nënshkrimi, pra deri më 30 maj 2022. Ky dokument është nënshkruar edhe nga shtetasi A.H., përfaqësues i shoqërisë ndërtuese të vilës 188/1. Krahas tij ekziston edhe një dokument tjetër i nënshkruar midis Igli Tares, përfaqësuesit të firmës ndërtuese dhe Lorela Reçit.

Interesante janë emailet e shkëmbyera midis shoqërisë sipërmarrëse “Green Coast”, punonjësve të shoqërisë ndërtuese “Mane TCI” sh.p.k, punonjësve të “Balffin Construction” përbërëse e saj, punonjësve të “Alko Impex General Construction” dhe Lorela Reçit, që kanë të bëjnë me ndryshimet në strukturën e objektit, planifikimin e punimeve pas përfundimit të karabinasë dhe ndërtimin e pishinës.

Nga komunikimet rezulton se palët bien dakord për ndryshimet strukturore në vilat 187/2 dhe 188/1. Në një email të datës 14 Shkurt 2022, nga adresa [email protected] drejtuar lorela.reç[email protected] me dijeni [email protected], thuhet: “Përshëndetje Lorela… Në vazhdim të bisedës telefonike për ndryshimet dhe punimet në vilat 187/2 dhe 188/1, këto janë konfirmuar… Sikurse kemi komunikuar, punimet në këto vila duhet të përfundojnë në Prill 2022, dhe është e domosdoshme të dërgohet nga ana juaj një grafik punimesh që të koordinojmë me punimet e fasadës që do të kryhen nga kompania. Do ta vlerësoja veçanërisht nëse brenda dy ditësh mund të dërgoni: 1. grafik punimesh të strukturës: prishje shkalle, shtesat konstruktive që do kryhen nga ju… Nëse është e mundur, me autorizimin tuaj të komunikojmë me arkitektin tuaj për çështjet teknike… Grupet tuaja të punës mund të fillojnë punimet menjëherë për të përfituar në kohë…”

Një ditë më pas, Lorela Reçi ia dërgon këtë email arkitektit R. Xh., që punon në “Alko Impex General Construction”. Arkitekti më pas mban kontakte me përfaqësuesen e shoqërisë ndërtuese të vilës 188/1, të cilën e njofton për punimet në pishinë dhe faktin që janë ende në fazën e gërmimeve. Këto informacione i shërbejnë edhe Reçit, e cila mbahet e informuar për punimet në të dyja vilat, atë nr. 187/2 dhe nr. 188/1. Muri që kërkohet të prishet është ai që ndan dy vilat, pra atë të porositur nga Igli Tare dhe vilën ngjitur. Këtë ndryshim e kërkon Lorela Reçi, e cila është njëkohësisht bashkëjetuese e biznesmenit Arbër Abazi, përfitues i tenderit të ndërtimit të Lotit 7 të Unazës së Jashtme të Tiranës. Në komunikime flitet edhe për kërkesat e luksit, siç është xhakuzi në pjesën e brendshme.

Punimet në të dyja vilat u vonuan, duke tejkaluar afatet e vendosura fillimisht. Megjithëse afati i përfundimit ishte maji 2022, nga komunikimet del se punimet u shtynë deri në nëntor të atij viti, edhe për shkak të kërkesave të klientes speciale, e cila deri në atë moment kishte mbetur e pazbuluar.

Në një email të datës 16 Nëntor 2022, nga adresa [email protected] drejtuar Merita Kushit me dijeni Lorela Reçin, bashkëlidhur gjendet “formular dorëzimi fizik.pdf”. Dokumenti është lëshuar nga shoqëria “Mane TCI” sh.p.k për projektin “Green Coast” Palasë, për objektin “Vila Familjare 2F nr.188/1, Nukli 27”.

Fakti që Lorela Reçi merret me të dyja vilat provohet edhe nga komunikimet midis punonjësve të kompanisë ndërtuese. Në një email të datës 17 Nëntor 2022, Hendi Kono pyet: “Lorela Reçi ka 187/2, jo 188/1… Mos është lapsus?” Merita Kushi përgjigjet “E autorizuar”, ndërsa Hendi Kono kthen përgjigjen “Tërhiqem”. Në një email tjetër të datës 8 shkurt 2022, një nga dërguesit shkruan se “njëra nga 188-at i është dorëzuar një tjetër klienti të ndryshëm nga porositësi… Mbi ç’bazë dhe konfirmim?” Përgjigjja e shtetases F.B. është: “188/1 është marrë në dorëzim nga klientja Lorela Reçi. Sipas infos që kemi është marrë në dorëzim me autorizim për llogari të porositësit sipas kontratës (I. Tare). Është rast pak specifik në fakt, pasi komunikimin me këtë klient është mbajtur gjithmonë nga ju.”

Këtu dalin edhe fijet e lidhjes së studios arkitekturore “Atelier 4” me Lorela Reçin. Studio është e vëllezërve Alban dhe Olsi Eftimi; Alban Eftimi është ish-drejtor i përgjithshëm i Urbanistikës në Bashkinë e Tiranës. Nga komunikimet me email midis punonjësve të “Atelier 4” sh.p.k dhe punonjësve të “Alko Impex General Construction” për preventivin e punimeve, del se zërat e punimeve janë në dy variante: varianti i parë me vlerë totale 288 616 euro dhe varianti i dytë me 410 526 euro. Xhakuzi, sipas komunikimeve, do të vendosej midis vilave nr. 187 dhe 188/1.

Pishina ishte porositur në kompaninë “SuperPoolKimya” me administrator Mirand Seferi. Këtu për herë të parë shënohet me të zeza mbi të bardhë emri i Belinda Ballukut, në një shënim të lënë nga Arbër Abazi, i cili merret me mbikëqyrjen e investimit në vilën nr. 188/1. Në sistemin informatik të “Superpool Kimya”, në tabela me të dhëna klientësh, në rubrikën “Klient” gjendet e shënuar “Pishina Arbër Abazi (Dhërmi) +Belinda”, sasi 2, faza 1, me vlerë të rënë dakord 25 000 euro, vlerë e paguar 10 000 euro dhe detyrim 15 000 euro.

Punimet e pishinës u realizuan nga “Superbeton Construction” sh.p.k, kompani në pronësi të bashkëshortes së Mirand Seferit, ndërsa fatura iu faturua “Alko Impex Construction” me pronar Arbër Abazin. Nga sistemi i fiskalizimit rezultuan dy fatura nga “Superbeton Construction” sh.p.k drejt “Alko Impex Construction” me vlerë totale 25 000 euro: fatura nr. 103 datë 26 Prill 2022 me vlerë 15 000 euro, me përshkrimin “Shtrim linja tubash, faza 1”, dhe fatura e datës 20 Qershor 2022 me vlerë 10 000 euro, me përshkrimin “Parapaguar”.

Sistemi i ventilimit u realizua nga shoqëria “Billi AL” sh.p.k dhe iu faturua “Alko Impex General Construction”. Nga sistemi i fiskalizimit rezulton se “Billi Al” sh.p.k ka lëshuar faturën nr. 122 datë 19 Korrik 2022 drejt “Alko Impex General Construction” me vlerë totale 15 122 42 euro dhe përshkrimin “Situacion bashkëngjitur faturës”.

Në një email të datës 14 Shtator 2020, Alban Eftimi i dërgon Belinda Ballukut një render të titulluar “Plane Rev 01”. Ai shkruan: “Po të dërgoj një rishikim. Kemi idenë që edhe nëse do e japësh me qera, përdoruesit të mund të ndihen ‘të llastuar’ njësoj si në hotel. Shkallët mes 2 godinave kanë gjelbërim kacavjerrës në 2 muret anësore. Në një krah të pishinës zbritet me shkallë dhe ka një tavolinë ngrënie në një nivel me ujin që të shijohet në max infinity pool. Pishina në skajin drejt detit ka ashtu një plan për të vendosur gota e ndonjë pjatë. Treadmill mund të nxirret edhe afër pishinës nëse do bëhet një seancë e gjatë me pamje të gjerë nga deti. Tarraca e godinës ka veshje kryesisht me teak, gjelbërim për freski dhe pengim pamje dhe tavolinë ngrënie & barbequ. Në 2 krahët anësore të shtëpive, niveli i hyrjes dhe i suitave janë bërë 2 vaska hidromasazhi (shih hotel Roccabella në Santorini). Suitat do i punojmë akoma me variante. Ndarjen e kuzhinës dhe të garderobës tek master bedroom janë fizarmonike. Një pjesë e mirë e ambienteve rreth pishinave janë veshur me teak për një feeling pak më të ngrohtë e pak si jaht. Shihe si alternativë kur të perfundojmë edhe renderat dhe nëse s’të ngjit, kthehemi te mermerët blu”.

Nga komunikimet midis Alban Eftimit dhe Ballukut, ideja e vilave binjake daton dy vjet para se ato të ndërtoheshin dhe investoheshin. Këtë e lë të kuptohet edhe një email i datës 18 Shtator 2020, ku gjendet një dokument i titulluar “Vilat Binjake 188 _ Palasë pdf” me planimetri dhe projekte të sipërfaqeve të dy vilave. Preokupimi është maksimal, pasi klientja e ka shumë të rëndësishëm zbatimin me përpikmëri të projektit. Në një email thuhet: “Gjithashtu gjatë zbatimit, do donim të njoftoheshim në kohë për çdo vështirësi që mund të keni në zbatim, që t’ju propozojmë zgjidhjet tona. Investitori e ka shumë të rëndësishëm zbatimin me përpikmëri të projektit.”

Nga emailet e shkëmbyera lihet të kuptohet se Olsi Efthimi ka pasur një takim me klientin. Pas kërkimeve të SPAK-ut, rezulton se nuk ishte Igli Tare, pasi ai në ditën e takimit nuk ndodhej në Shqipëri. Këto fakte, sipas organit të akuzës, krijojnë bindjen se Balluku ka shfrytëzuar postin e saj si ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë për të favorizuar kompani të ndryshme në tenderat e rrugëve, përfshirë “Alko Impex Construction” me administrator Arbër Abazin. Pasi i dha tenderin e Lotit 7 të Unazës së Jashtme të Tiranës, ajo mori si shpërblim investimet në vilën e saj nr. 188/1 në kompleksin “Green Coast” në Palasë.

Këtë vilë ajo e fshehu fillimisht në emër të Igli Tares, i cili investoi 250 mijë euro deri në fazën e karabinasë. Më pas investimin e mori përsipër dhe e vazhdoi Arbër Abazi. Sipas preventivit të punimeve të marra përsipër nga Abazi, vlera e këtij investimi varion nga 288 616 deri në 410 526 euro. Për të fshehur pasurinë e krijuar si produkt i veprës penale të korrupsionit, Belinda Balluku ka përdorur Igli Taren, duke kryer veprime fiktive për dokumentacionin e pronësisë dhe regjistrimin e pronës në emër të tij.

Në vijim të hetimit, nga aktet e administruara rezulton se Belinda Balluku ka pronësi indirekte mbi pasurinë e regjistruar në emër të personit nën hetim Igli Tare, objektin “Vila familjare 2F nr.188/1, Nukli 27”, në kompleksin “Green Coast”, Palasë. Ndryshe nga shokë të tjerë të partisë që sot janë pas hekurave ose kanë vuajtur dënimin për afera të ngjashme korruptive, Balluku mbrohet me kthetra nga kryeministri Rama.


Quantcast
dünyanın en iyi bahis siteleriBursa Escortgüvenilir bahis sitelerijojobetyasal bahis siteleritürkiye yasal bahis sitelerijojobetjojobet girişjojobet güncel girişjojobetjojobet girişjojobet güncel giriştürkiye yasal bahis sitelerislot sitelerijojobetjojobet girişjojobetjojobet girişjojobetjojobet girişjojobetjojobet girişjojobetjojobet girişjojobetjojobet girişjojobetjojobet girişjojobetjojobet girişgrandpashabetkahraman haber