Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se Qeveria ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm për mbështetjen e zhvillimit të Shahut në shkolla.

Gjatë një takimi me shahistë nga mbarë vendi në Federatën Shqiptare të Shahut, kryeministri Rama është shprehur se kjo mbështetje vjen në një moment kur sipas tij, mendjet e fëmijëve janë të kërcënuara nga një furi të dhënash që vijnë përmes rrjeteve sociale.

“Shahu në shkolla, për fëmijët, është sot më i rëndësishëm se asnjëherë tjetër. Për faktin se është një ushtrim shumë i shëndetshëm i mendjes, në kushtet kur mendja e fëmijëve tanë është e kërcënuar nga një furi e tërë të dhënash që hyjnë përmes celularëve, rrjeteve sociale, përmes një bote të re, që për fëmijët ka shumë më tepër rreziqe e dëme, sesa ka të mira. Ne e kemi nisur procesin për të zgjeruar lëvizjen sportive në shkolla duke futur disiplina të reja. Shahu është futur që vjet, por do i japim një vëmendje e buxhet të veçantë për ta shtrirë në sa më shumë shkolla", tha mes të tjerash Rama.

Reagimi i Ramës në rrjetet sociale:

Shahu ka shtëpinë e tij

Një hap i rëndësishëm për komunitetin shahistik dhe një mbështetje e re për shahun në shkolla, me buxhet të dedikuar për ta shtrirë në sa më shumë shkolla të vendit

Më shumë shah, më shumë mendje të mprehta