Kongresmeni demokrat Robert Garcia, i cili në janar, do marrë detyrën e kryetarit të Komitetit të Mbikëqyrjes dhe Reformës së Qeverisë në Dhomën e Përfaqësuesve ka paralajmëruar katër plane për të vënë nën hetim administratën Trump.
Në një deklaratë të publikuar të martën në mbrëmje, Garcia tha se planifikon të merret me “Familjen Kriminale Trump, korrupsionin e korporatave, abuzimet e DHS-së dhe ICE-së, si dhe mbulimin e së vërtetës për dosjet Epstein”, pas një paralajmërimi prej dy fjalësh: “Gjeni avokat.”
Gjatë një konference për shtyp të mbajtur të mërkurën në Huntington Beach, ish-kryebashkiaku i Long Beach tha se Komiteti i Mbikëqyrjes do jetë “i përqendruar si një rreze lazeri” te hetimi i katër çështjeve që lidhen me administratën Trump: anëtarët e familjes së presidentit, zbatimi i ligjeve të emigracionit nga Shërbimi i Emigracionit dhe Doganave (ICE), korrupsioni i korporatave dhe Jeffrey Epstein.
Duke përmendur në mënyrë të veçantë fëmijët e presidentit, kryetari i ardhshëm i Komitetit të Mbikëqyrjes tha se “niveli i përfitimeve të padrejta dhe korrupsionit” nga ana e familjes ka qenë “i paprecedentë”.
“Ke Don Jr., dasma e të cilit po paguhet nga një oligark rus. Ke Jared Kushnerin, i cili mori 2 miliardë dollarë nga sauditët pasi u largua nga Shtëpia e Bardhë”, tha Garcia, duke lënë të kuptohet se ata mund të jenë mes personave ndaj të cilëve do të lëshohen thirrje për të dëshmuar në kuadër të hetimeve.
Garcia shprehu gjithashtu kundërshtimin e tij ndaj operacioneve të zbatimit të ligjeve të emigracionit nga administrata Trump, të cilat kanë shkaktuar shqetësim në Kaliforninë Jugore.
Duke iu referuar një raportimi për “rrëmbimin e personave nga ICE” në Los Angeles të mërkurën, 48-vjeçari me origjinë nga Peruja i përshkroi taktikat e përdorura nga ICE dhe Departamenti i Sigurisë Kombëtare (DHS) si “çnjerëzore” dhe “të gabuara”.
“Këta janë njerëz. Dhe pavarësisht nëse ndodhen këtu si emigrantë, disa prej të cilëve kanë vite që punojnë këtu”, tha Garcia.
“Ne e dimë se, në disa raste, edhe shtetas amerikanë janë qëlluar dhe vrarë nga agjentë të ICE-së dhe DHS-së. Kjo është e papranueshme. Dhe për këtë nuk ka pasur përgjegjësi.”
Me zyrtarëve të përfshirë në operacionet e ICE-së, Garcia veçoi ish-Sekretaren e DHS-së, Kristi Noem, ndihmësin e saj Corey Lewandowski dhe Stephen Millerin, i cili konsiderohet gjerësisht si arkitekti i politikave të emigracionit të Trumpit.
Garcia tha gjithashtu se komiteti do të hetojë korrupsionin në korporata, duke pretenduar se drejtuesit ekzekutivë dhe kompanitë po realizojnë “fitime rekord”, ndërkohë që amerikanët e zakonshëm po përballen me vështirësi ekonomike.
Çështja e fundit që Garcia planifikon të hetojë është ajo për të cilën ai ka këmbëngulur gjatë dy viteve të fundit, pa arritur shumë përparim: Jeffrey Epstein. Mes një vërshimi të madh lajmesh, skandali Epstein kishte filluar të zhdukej nga titujt kryesorë, por Garcia u zotua ta rikthente në qendër të vëmendjes, duke thënë: “Nëse abuzoni me fëmijët, do të mbaheni përgjegjës përpara Komitetit të Mbikëqyrjes.”
Garcia, i cili hyri në histori si anëtari i parë emigrant i komunitetit LGBTQ+ në Dhomën e Përfaqësuesve, do të hyjë sërish në histori kur të bëhet emigranti i parë LGBTQ+ që drejton Komitetin e Mbikëqyrjes.
Në përgjigje të fitoreve të gjera të Partisë Demokratike dhe kërcënimeve për hetime që priten të nisin, presidenti dha mesazhe kontradiktore të mërkurën, duke sugjeruar se do të bashkëpunonte përtej vijave partiake, ndërsa theksoi fuqinë e tij presidenciale për të vënë veton.
Në një intervistë telefonike për POLITICO, presidenti tha se ishte i gatshëm të bashkëpunonte me demokratët për të “siguruar që gjërat të shkojnë mirë për vendin tonë”.
“Do të shqyrtoja çdo gjë që mendoj se është e përshtatshme dhe e mirë për vendin”, i tha ai POLITICO-s, kur u pyet për mundësinë e bashkëpunimit me demokratët për çështjet e emigracionit.
Trump tha gjithashtu se nuk do t’i kalonte dy vitet e ardhshme thjesht duke vënë veton ndaj legjislacionit demokrat, në kontrast me një postim në rrjetet sociale ku kishte shpërndarë imazhin e një kapeleje të kuqe me fjalën “VETO” të shkruar mbi të.
Garcia, distrikti i të cilit tani do të përfshijë edhe Huntington Beach, një qytet i drejtuar nga konservatorët, deklaroi se ky komunitet bregdetar nuk do të jetë më një “qytet i çmendurisë”.
Ndër zhvillimet e fundit në qytet, Huntington Beach e ka shpallur veten qytet që nuk ofron mbrojtjen e statusit të strehimit për emigrantët pa dokumente, duke u zotuar të bashkëpunojë me agjentët federalë të emigracionit, pavarësisht kufizimeve të Kalifornisë për bashkëpunimin e forcave vendore të rendit me autoritetet federale të emigracionit. Qyteti gjithashtu ndaloi vendosjen e flamujve të Krenarisë LGBTQ+ në pronat publike të bashkisë.
“Është e qartë se qyteti votoi për ndryshim”, tha Garcia. “Ne mezi presim ta sjellim këtë ndryshim, duke u përqendruar te çështjet që kanë rëndësi për njerëzit këtu: mbrojtja e kulturës, investimet në infrastrukturë, trajtimi i njerëzve me mirësi dhe qeverisja e mirë — si dhe rikthimi i fondeve federale për investime, në mënyrë që të mund të financojmë bibliotekat, rrugët dhe komunitetet tona.”
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e NBC