Këngëtari i muzikës popullore, Gëzim Hoxha, iu drejtua emisionit Stop për të denoncuar një problem me Ujësjellës-Kanalizimet Tiranë. Ai tregon se banesa e tij nuk është furnizuar asnjëherë me ujë nga ujësjellësi, pasi ka përdorur vazhdimisht ujë pusi. Megjithatë, shumë vite më parë, në derën e banesës i ishte vendosur një numër kontrate.
Disa vite më parë, Gëzim Hoxha mësoi se figuronin në emrin e tij detyrime të papaguara ndaj UKT-së, në vlerën e 5 milionë lekëve të vjetra. Gjatë kësaj kohe, disa grupe verifikimi kanë konstatuar se banesa furnizohej me ujë pusi dhe jo nga rrjeti publik. Por, pavarësisht kësaj, debia vazhdonte të qëndronte në sistem dhe qytetarit i kërkohej të paguante për një konsum që nuk e kishte kryer kurrë.
Gëzim Hoxha shprehet se nuk ka kundërshtuar asnjëherë detyrimet e ligjshme, duke qenë i gatshëm të paguajë taksat që i takojnë banesës, por nuk pranon të faturohet për ujë që nuk e ka konsumuar. Ai tregon se ky shqetësim i vazhdueshëm i ka shkaktuar stres dhe është diagnostikuar me tumor në stomak.
Pas interesimit tonë, drejtori i UKT-së, Flauers Shoshi, bëri me dije se institucioni kishte kryer verifikimet përkatëse. Nga kontrolli rezultoi se nuk kishte një kontratë të nënshkruar mes Gëzim Hoxhës dhe UKT-së. Drejtori garantoi se Gëzim Hoxha do të lirohej nga debia e krijuar ndaj UKT-së dhe do të paguante vetëm taksën e banesës.













