Detaje të reja janë zbuluar pas arrestimit nga forcat speciale greke EKAM të 43-vjeçarit shqiptar Nikolin Pali, i dënuar në mungesë me dy burgime të përjetshme për vrasjen e ish-partneres dhe të dashurit të saj në vitin 2020, në Loutraki të Greqisë.
Sipas informacioneve të publikuara nga mediat greke, shqiptari dyshohet se ka pranuar para autoriteteve edhe autorësinë e dy vrasjeve të tjera të kryera në Shqipëri, përpara se të largohej drejt Greqisë.
Burime bëjnë me dije se dy viktimat janë vëllezërit Sejdin dhe Seldjan Vucaj, të cilët u ekzekutuan në vitin 2002, në fshatin Shtoj i Vjetër në Shkodër. Këto dyshime pritet të verifikohen në kuadër të hetimeve që po zhvillohen nga autoritetet greke dhe shqiptare.
Ndërkohë, vijojnë dyshimet se Nikolin Pali mund të jetë në të vërtetë Fran Preldakaj, i njohur edhe si Zef Preldakaj, 44 vjeç, i dënuar më parë për vrasje në Shqipëri dhe i shpallur në kërkim nga Interpol Tirana për veprën penale të tentativës së grabitjes në bashkëpunim.
Autoritetet shqiptare kishin publikuar edhe një njoftim kërkimi, ku bëhej me dije se personi në fjalë ishte dënuar me 22 vite burg për vrasje.




