Lajmi i fundit

LIVE - PIRANJAT/ Me Florian Binaj dhe Dojna Mema

Piranjat/ Taulant Muka: Monologu i Ekselencës

21:57, 06/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Mirëmbrëma.

Unë jam Taulant Muka, dhe beteja ime është gjuetia e plagjiaturave.

A më jep kënaqësi të zbuloj emra ministrash e deputetësh që vjedhin dijen?

Po.

A më jep gëzim?

Jo.

Sepse humbësi më i madh nga hajdutët e doktoraturave, është Shqipëria. Jo Shqipëria e tyre, por Shqipëria jonë.

Disa vite më parë, ftova profesorin tim të doktoraturës nga Universiteti Erasmus në Holandë në një konferencë në Tiranë. Në fund e pyeta: “Profesor, çfarë ju la më shumë përshtypje?”

Prisja të më fliste për natyrën apo mikpritjen.

Jo.

Tha: “Të rinjtë.”

“Nuk kam parë në asnjë vend të rinj kaq të etur për të mësuar.”

Dhe sa herë e kujtoj, më lind një pyetje:

Si ka mundësi që një vend me kaq shumë etje për dije, të ketë kaq shumë pengesa për ta fituar atë?

Kush dëshiron të na lërë, “pranë dijes, të panxënë”?

Sepse problemi i Shqipërisë nuk është mungesa e talentit.

Problemi është se ne shpesh harrojmë një të vërtetë të hidhur: Shkatërrimi i arsimit nuk është thjesht një dështim sektorial; shkatërrimi i arsimit gjunjëzon një komb!

Kur vret meritën, kur jo thjesht toleron, por promovon plagjiaturën në kupolë; kur e trajton universitetin si zyrë punësimi militantësh; ti nuk po dëmton vetëm një diplomë.

Ti po i vjedh një populli të ardhmen.

Ne flasim për ekselencë, por ekselenca nuk krijohet me konferenca dhe fotografi ceremoniale. Ajo kërkon llogaridhënie të rreptë! Nuk mund t'i kërkosh studentit të mos kopjojë, ndërkohë që nuk garanton integritet në nivelet më të larta.

Askush nuk duhet të jetë mbi verifikimin: as profesori, as rektori, as ministri.

Dhe pastaj çuditemi pse të rinjtë largohen...

Por Shqipëria nuk ka luksin të humbasë edhe një brez tjetër!

Megjithatë,

unë nuk jam këtu për t'ju lënë te dëshpërimi. Unë jam këtu sepse besoj te diçka që nuk mund t'ia fshijë askush këtij vendi: te ajo etje e pastër për dije që pashë te sytë e studentëve këto ditë e këto muaj,

dhe te modeli i ndershmërisë që ekziston tashmë në Diasporë dhe brenda vendit.

Ajo që na mungon sot nuk është paraja, as talenti. Ajo që na mungon është guximi për t'i thënë mjaft mediokritetit.

Jo unë,

por ne le t'i japim fund epokës

ku diploma blihet dhe puna fitohet me njohje.

Le të ndërtojmë Shqipërinë e meritës, të shkencës, të dinjitetit!

Fëmijët tuaj,

të rinjtë tanë,

 nuk duan lëmoshë;

ata duan një shans të barabartë.

Dhe po t'u japim atë shans, ata nuk do të ikin më – ata do ta kthejnë Shqipërinë në vendin ku të tjerët vijnë për të mësuar.

Sepse një komb që di të vlerësojë mendjen e tij, nuk gjunjëzohet kurrë.

Prandaj dhe lufta ime nuk është thjesht kundër disa ministrave e deputetëve.

Është kundër atij

e atyre që na e kanë ulur kokën.

Që duan të na lënë pranë dijes, të panxënë.

Dhe ne atë kokë do ta ngremë lart.

Faleminderit!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco