Një grup misterioz rus, i njohur si “Male State” ose “Male Legion”, është kthyer në qendër të vëmendjes pas një emaili përmes të cilit pretendohet se merret përgjegjësia për kërcënimet me bomba ndaj fluturimeve në Evropë. Megjithatë, lidhja e grupit me këto incidente mbetet e pakonfirmuar dhe vetë drejtuesi i tij i ka mohuar përfshirjen.
Vetëm më 6 nëntor, disa fluturime në vende të ndryshme evropiane u prekën nga kërcënime për vendosjen e bombave. Këto incidente pasuan një seri alarmesh të rreme të regjistruara më 3 dhe 5 nëntor, të cilat shkaktuan ndërprerje dhe kaos në trafikun ajror në disa vende të kontinentit.
Deri më tani, autoritetet nuk kanë identifikuar autorët e kërcënimeve. E vetmja pistë e bërë publike është një email ku pretendohet se përgjegjësinë për incidentet e merr një grup që e quan veten “Luftëtarët e Male State”. Ky emër ka ngritur dyshimet për një lidhje me organizatën ruse “Male State”, e njohur edhe si “Male Legion”.
Kush është grupi rus “Male State”?
Sipas raportimeve të Radio Evropa e Lirë, grupi u themelua në vitin 2016 nga Vladislav Pozdnyakov, një trajner fitnesi, i cili u largua nga Rusia dy vjet më vonë, pasi u dënua me kusht për nxitje të urrejtjes ndaj grave.
Organizata u shpall e jashtëligjshme në Rusi në vitin 2021 dhe njihej për pikëpamjet e saj të ekstremit të djathtë, racizmin, mizogjininë dhe deklaratat kundër komunitetit LGBT. Anëtarët e saj kishin shkuar deri aty sa të festonin edhe ditëlindjen e Adolf Hitlerit.
Grupi u bë fillimisht i njohur për fushatat kundër miratimit të një ligji për dhunën në familje në Rusi. Aktivistë dhe persona që kundërshtonin qëndrimet e tij u përballën me fyerje, kërcënime me vdekje dhe publikimin në internet të adresave të tyre të banimit.
“Male State” u përfshi gjithashtu në sulme ndaj grave që kishin lidhje me burra me ngjyrë. Në një tjetër rast, grupi organizoi një fushatë kundër një zinxhiri restorantesh sushi, pasi ky i fundit kishte përdorur një burrë me ngjyrë në një reklamë.
Aktivitetet e tij u raportuan edhe jashtë Rusisë. Radio Evropa e Lirë shkroi për veprimtarinë e grupit në vitin 2022, kur ai shënjestroi një bar në Tbilisi të Gjeorgjisë, të frekuentuar nga shtetas rusë që kundërshtonin Kremlinin.
Pozdnyakov mohon përfshirjen në kërcënimet ndaj avionëve
Pavarësisht dyshimeve të ngritura nga emaili, ekzistenca e një lidhjeje mes grupit dhe kërcënimeve të fundit nuk është konfirmuar.
BBC-ja iu referua një kanali në Telegram të lidhur me organizatën, ndërsa Reuters citoi vetë Vladislav Pozdnyakovin. Të dyja burimet raportuan se grupi nuk ekziston më dhe se nuk ka lidhje me kërcënimet ndaj fluturimeve.
Pozdnyakov vazhdon të ketë një kanal në Telegram me rreth 5.400 abonentë, ku promovon luftën e Rusisë kundër Ukrainës. Megjithatë, deri më 6 nëntor, ai nuk kishte publikuar ndonjë reagim për emailin që pretendon përgjegjësinë për kërcënimet ndaj avionëve.
Në kanalin e tij janë publikuar postime për tema të ndryshme, nga vendimet e gjykatave ruse dhe zgjedhjet afatmesme në SHBA, deri te rritja e pagave për ushtarët rusë.
Emri i Pozdnyakovit u rikthye në vëmendje edhe në tetor të vitit të kaluar, kur ai inskenoi vdekjen e tij gjatë qëndrimit në Indonezi. Në atë kohë u publikua një fotografi me cilësi të ulët, ku shfaqej një burrë me pamje të ngjashme me të, i shtrirë në tokë dhe me këmishën e mbuluar me gjak.
Dy ditë më vonë, Pozdnyakov u shfaq sërish dhe pranoi se gjithçka ishte një skenë e inskenuar për të tërhequr vëmendjen e publikut.
Ndërkohë, fakti që autoritetet ruse nuk duket se kanë ndërmarrë masa ndaj tij, ndryshe nga rastet e kundërshtarëve të tjerë të Kremlinit që janë larguar nga vendi, ka nxitur spekulime për lidhje të mundshme me Shërbimin Federal të Sigurisë (FSB). Dyshimet janë ushqyer edhe nga deklaratat e vetë Pozdnyakovit.
Disa aktivistë rusë për të drejtat e njeriut kanë sugjeruar se ai mund të ketë nisur bashkëpunimin me FSB-në pas arrestimit të tij. Megjithatë, nuk ka prova publike që konfirmojnë këto pretendime.
Evropa paralajmëron për agresion hibrid
Ndërsa autorësia e kërcënimeve mbetet e paqartë, zyrtarët evropianë kanë ngritur shqetësime për mundësinë e një fushate të koordinuar që synon të shkaktojë pasiguri dhe të pengojë funksionimin normal të shërbimeve publike.
Ministri i Jashtëm i Spanjës, Jose Manuel Albares, e ka cilësuar situatën si një përpjekje të mundshme për agresion hibrid.
“Supozimi më i arsyeshëm është se po përballemi me një përpjekje për agresion hibrid dhe me një formë të luftës psikologjike”, deklaroi ai.
Kërcënimet ndaj fluturimeve vijnë në një periudhë kur zyrtarët perëndimorë po paralajmërojnë gjithnjë e më shpesh për një fushatë të fshehtë ruse në vendet evropiane, që sipas tyre përfshin ndërhyrje me dronë, akte sabotimi dhe përpjekje për atentate në shtetet anëtare të NATO-s.
Gjatë kësaj jave janë raportuar gjithashtu sulme kibernetike ndaj sistemeve të ftohjes në frigoriferët e supermarketeve të mëdha në disa vende evropiane.
Megjithatë, nuk është konfirmuar nëse këto incidente kanë të njëjtën origjinë apo nëse lidhen me Rusinë.
David Cattler, ish-ndihmëssekretar i përgjithshëm i NATO-s për Inteligjencën dhe Sigurinë, paralajmëroi më 5 nëntor se edhe veprimet e kufizuara mund të shkaktojnë pasoja të konsiderueshme në jetën e përditshme.
“Sulmet ndaj sistemeve të ftohjes dhe kërcënimet me bomba ndaj fluturimeve mund të mos jenë të lidhura me Rusinë, ose me njëri-tjetrin. Megjithatë, të dyja tregojnë se si veprime relativisht të kufizuara mund të çrregullojnë jetën e përditshme, të shkaktojnë kosto ekonomike dhe të vënë në provë besimin e publikut te shërbimet thelbësore”, shkroi ai.
“Evropa nuk mund të presë derisa të gjenden gjurmë të përfshirjes ruse për të mbrojtur sistemet nga të cilat varen qytetarët e saj”, shtoi Cattler.
Nga ana tjetër, Kremlini ka mohuar çdo përfshirje të Rusisë në sulmet ndaj sistemeve të ngrirjes në supermarkete.
“Këto janë pretendime absurde. Si gjithmonë, ato nuk mbështeten në asnjë arsyetim dhe në asnjë provë. E megjithatë, sërish kemi të bëjmë me akuza të pabazuara kundër vendit tonë, duke e përfshirë atë në gjithçka”, deklaroi më 5 nëntor zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
Deri më tani, Kremlini nuk ka komentuar kërcënimet me bomba ndaj fluturimeve në Evropë.

