Friday / November 6 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Industri Lajmet Kryesore Nga Vendi

Rritja e kostove për përpunim të mishit, brenda pak javësh do t’i kalojë konsumatorit

Share Share Icon

Flet Drini Zusi, industrialist, përfaqësues i grupit të kompanive AZ Group

 

Ndalimi i importit të mishit nga Brazili pritet të sjellë rritje të kostove prodhuese për industrinë përpunuese, e cila është në gjendje ta amortizojë vetëm për pak javë.

Drini Zusi, industrialist, përfaqësues i grupit të kompanive AZ Group, thotë se industria nuk mund t’i amortizojë vetë kostot, pasi prej tre vitesh po përballon rënien e marzhit të fitimeve dhe mungesën e fuqisë punëtore të kualifikuar.

Në këtë situatë, z. Zusi rekomandon për zbatim si masë emergjente në mbrojtje të industrisë, heqjen e taksës doganore 10% për importet e mishit dhe hapjen e eksporteve për produktet me origjinë shtazore.

Në afatgjatë, për rritjen e zinxhirit të vlerës, z. Zusi rekomandon hartimin e një pakete masash të integruar, me qëllim rritjen e prodhimit vendas që duhet të nisë nga ndryshimet e subvencioneve për blegtorët, mbështetjen e industrisë për shtim të investimeve dhe të modernizimit të thertoreve.

 

Z. Zusi, pse industria shqiptare e përpunimit të mishit është kaq e varur nga importet nga Brazili dhe çfarë e bën mishin brazilian më konkurrues se tregjet e tjera?

Në fakt, Brazili është lideri botëror në eksportin e mishit në përgjithësi, dhe i pari në atë të gjedhit dhe të pulës. Pra, nuk është vetëm industria shqiptare që furnizohet nga Brazili – produktet braziliane përdoren në një numër shumë të madh tregjesh ndërkombëtare.

Megjithatë, dallimi mes Shqipërisë dhe shumë vendeve që importojnë këto produkte, po marrim shembull vendet europiane, është niveli i varësisë.

Për një vend europian, importi mund të jetë plotësues i prodhimit vendas. Në Shqipëri, për thuajse të gjitha kategoritë, importi është praktikisht baza e furnizimit të industrisë, sepse prodhimi vendas i gjedhit, derrit dhe të imëtave ka ardhur në rënie për shumë vite, thuajse gati në inekzistencë.

Përjashtim mund të përbëjë vetëm mbarështimi dhe përpunimi i mishit të pulës, ku kemi ende prodhim vendas konkurrues dhe të kënaqshëm.

Arsyeja përse e gjithë bota importon nga Brazili dhe përse ky shtet është kaq konkurrues në këtë sektor, është pikërisht e kundërta e problemit që kemi ne.

Ata kanë ditur të shfrytëzojnë avantazhet natyrore (që i ka edhe Shqipëria) për të krijuar një zinxhir të integruar nga prodhimi i ingredientëve ushqimorë (misër, sojë etj.), te teknologjia e ushqimit, te shkenca e rritjes së kafshëve, e deri në investimet në therje, përpunim e më pas në eksport. Pra bizneset dhe shteti kanë identifikuar një avantazh konkurrues dhe kanë krijuar të gjitha kushtet për zhvillimin dhe shfrytëzimin e atij avantazhi.

E përkthyer në gjuhë më praktike, çdo hallkë e prodhimit të mishit dhe nënprodukteve të tij, fillon dhe mbaron po aty. Njëkohësisht çdo hallkë është strategjikisht e mbështetur dhe e subvencionuar, për të minimizuar kostot e operimit apo të inovacionit si fillim, duke marrë parasysh që fitimi krijohet më vonë në ekonomi shkalle.

Sot Brazili është ndër shtetet kryesore për mbjelljen e sojës apo të misrit dhe prodhon ushqim shumë të lirë, i prodhon plehëruesit po aty dhe sërish fermeri apo mbarështuesi ka kosto më të lirë, thertoret janë ndër më gjigantet dhe kanë volume të jashtëzakonshme e rrjedhimisht kanë mundësinë të ulin fitimin/njësi, pasi përfitojnë në sasi.

Në Shqipëri është e kundërta. Një mbarështues shqiptar nuk subvencionohet sa duhet as për krerët, po as për tokat që mbjell për ushqim. Plehëruesit për rritjen e rendimentit të prodhimit nuk prodhohen në Shqipëri, e rrjedhimisht i kushtojnë më shtrenjtë.

Pra ushqimin do ta blejë më shtrenjtë, koston e rritjes më të lartë, ilaçet dhe antibiotikët më të lartë, e kështu me radhë shkon zinxhir. Kjo është për atë ardhur keq, sepse realisht, Shqipëria ka të gjitha mundësitë natyrore për të krijuar një industri tejet të shëndetshme dhe përfituese blegtorale.

 

Në opinionin tuaj, pas vendimit për ndalimin e importeve nga Brazili, sa pritet të rriten kostot e industrisë dhe a do të reflektohet kjo në çmimet që paguan konsumatori?

Do të isha i kujdesshëm të jepja sot një shifër fikse, sepse janë disa variabla që ndikojnë dhe sidomos në vitet e fundit pas pandemisë së Covid-19, zhvillimet tregtare janë bërë gjithmonë e më të vështira për t’u parashikuar.

Por një gjë është e qartë: nëse largohet nga tregu një nga furnizuesit më konkurrues në botë, kostoja e zgjidhjes alternative do të rritet, pra kostot e industrisë do të rriten.

A do të kalojë kjo kosto te çmimet e konsumatorit? Besoj se jo që në fillim. Në afat shumë të shkurtër (2-4 javë) një pjesë e industrisë mund ta absorbojë një pjesë të kostos në marzh, paçka se me dhimbje shumë të madhe, pasi marzhet e industrisë janë tkurrur shumë gjatë 2-3 viteve të fundit.

Por një industri nuk mund të absorbojë pafundësisht rritjen e kostos së lëndës së parë. Duhet sjellë në vëmendje se po flasim për një sektor që tashmë përballet me rritje artificiale të pagave, rritje të çmimit të naftës dhe të kostove operative në përgjithësi. Nëse diferenca bëhet strukturore, një pjesë e saj herët ose vonë kalon në çmimin e produktit final.

Parashikohet që kostot e industrisë do të rriten minimumi me 20-25% për këto lëndë të para, dhe nëse kjo situatë zgjat, ndoshta nga nëntori apo dhjetori mund të ketë një rritje prej 7-11% të çmimeve të produkteve finale për konsumatorin. Megjithatë, uroj të jem 100% gabim, e të mos ketë asnjë rritje apo presion çmimesh.

 

Në kushtet kur furnizimi nga Europa është më i shtrenjtë, çfarë masash konkrete duhet të marrë qeveria për të mbështetur industrinë dhe për të shmangur rritjen e kostove dhe të çmimeve? Cilat janë propozimet tuaja konkrete?

Unë do ta ndaja reagimin në masa emergjente të menjëhershme e më pas në masa strukturore.

Në afat të shkurtër, shteti duhet së pari të sigurojë që industria të ketë akses sa më të gjerë në tregje alternative të aprovuara dhe të mos krijojë pengesa administrative shtesë në një moment kur furnizimi nga kanalet kryesore deri më sot, është kufizuar.

Pra industritë duhet të vazhdojnë të operojnë pa pasur ndalesa apo vonesa që mund të përkthehen në kosto të shtuara për ta e për konsumatorin.

Së dyti, masa emergjente do të ishte heqja e tarifës doganore 10% për importin e mishit, por vetëm për ato produkte apo nënprodukte që shkojnë për industrinë, pra ato produkte të cilat nuk cenojnë prodhimin e mishit të freskët vendas.

Mishi vendas duhet të shitet 100%.

Tarifat doganore janë instrumente proteksioniste që gjejnë përdorim për disa arsye, por një shtet i përdor kryesisht në mbrojtje të prodhimit vendas ose në negociata tregtare me vendet e tjera.

Po ne me kë po negociojmë, ose çfarë po mbrojmë? Industrinë vendase të mishit inekzistente? Për sa kohë të paktën e kemi ende industrinë përpunuese ekzistente dhe madje me standard shumë të mirë, duhet të mbrojmë ata.

Më pas, me rritjen e prodhimit vendas dhe garantimin e furnizimit nga prodhimi vendas, ajo tarifë mund të rivihet ose rishikohet sipas situatës gjeopolitike dhe makroekonomike.

Së treti, sërish masë emergjente, do të ishte ulja e TVSH në 10% si në blerje ashtu edhe në shitje për produktet e mishit, që përbëjnë edhe produkte të shportës, pasi nuk ka kuptim që këto produkte esenciale jo vetëm për qytetarin, por edhe për mirëfunksionimin e ekonomisë, të tatohen në të njëjtën mënyrë si produktet jothelbësore, po themi pjesë makinash.

Së katërti, e vetmja industri që duket më e përgatitur për këtë situatë është ajo e mishit të pulës, ku në Shqipëri ekzistojnë kapacitetet për furnizimin e tregut vendas.

Por edhe këtu, duhet ndërhyrë me mbështetje specifikisht në teknologji të reja për shtimin e kapacitetit prodhues, pasi garanton jo vetëm ulje të çmimit, por një oportunitet edhe për eksportin e këtyre produkteve (që aktualisht nuk është i lejuar, por në kuadër të situatës, duhet të jetë në fokus).

Sa më sipër janë masat emergjente që duhet të merren si vendime sa më parë pasi ndikojnë në ruajtjen e stabilitetit aktual. Por zgjidhja reale afatgjatë nuk do të ishte ruajtja e status-quo. Nuk mund të jetë një zgjidhje e qëndrueshme ekonomike për industrinë dhe për një shtet varësia nga importi.

Zgjidhja afatgjatë nuk mund të jetë që sa herë që mbyllet një treg, ne të kërkojmë një vend tjetër nga ku të importojmë. Duhet të rindërtojmë blegtorinë shqiptare e të ndjekim të njëjtin model të integrimit vertikal të prodhimit të mishit dhe nënprodukteve të tij si Brazili apo shtetet e tjera europiane.

Ndaj masa afatgjatë do të ishte hartimi dhe miratimi i një pakete të integruar strategjike për nxitjen e prodhimit vendas të mishit. Paketë e integruar strategjike do të thotë që njësoj si në Brazil, të mbështetet çdo hallkë. Edhe ato pak elemente të bujqësisë që sot subvencionohen, janë të shkëputur nga njëri-tjetri, dhe mbështeten pa një strategji të caktuar.

Në ndryshim, duhet të subvencionojmë komplet zinxhirin e vlerës, duke filluar nga fermeri që mbjell lëndët e para për ushqim, nga mbështetja e industrive të plehëruesve, mbështetja e blegtorëve, mbështetja për studimet e zooteknikëve dhe integrimi i tyre në ferma, subvencionimi për shtim kapacitetesh dhe investim në teknologji të reja në ferma, mekanizimin, mbështetje e thertoreve të standardizuara dhe kontratat afatgjata fermer–industri.

Në këtë mënyrë, kjo problematikë mund të kthehet në katalizatorin e duhur që më në fund, kjo industri të marrë vëmendjen e duhur për peshën që ka në ekonomi.

E në mendimin tim, nëse do të trajtohej me seriozitetin e duhur, drafti paraprak i kësaj pakete nuk do të donte më shumë se tre muaj për t’u përgatitur, e në janar apo shkurt të vitit 2027 mund të miratohet e të jetë gati për implementim.

Nëse do të fillonte implementimin në shkurt 2027, brenda një afati 8-10 muaj, jam i bindur që do të nisnim të merrnim frytet e kësaj nisme.

 

Çfarë dëmesh i shton në tërësi zinxhirit të ekonomisë ky vendim, në një kohë kur shumë industri përpunuese agroushqimore, po vuajnë problemet e rritjes së kostos, fuqisë punëtore të kualifikuar dhe kërkesës në rënie?

E kam prekur edhe më sipër, pasi është e rëndësishme të kuptojmë që prej vitesh tashmë industria shqiptare është në një presion të madh në shumë sektorë – rritje artificiale të pagave pa u rritur produktiviteti, mungesa e punonjësve, rritja e naftës, mungesa e ndihmës dhe politikave për tregje të reja etj., rënia e euros dhe shtimi i konkurrencës nga produktet e importit etj.

E megjithatë, për vite me radhë, këto kosto përgjithësisht nuk janë transferuar në çmimet finale, është parë gjithmonë mundësia për optimizim operacional, ose është transferuar shumë pak. Në një situatë të tillë, kjo rritje e menjëhershme dhe e madhe e kostove, është një problem që do të shkaktojë një efekt domino, i cili përfundon në tkurrjen e industrisë.

Opsioni 1 do të ishte mosreflektimi i kostove të shtuara në çmimin përfundimtar. Aktualisht industria ushqimore është nën optikën e institucioneve ligjzbatuese, por edhe atë të BE-së për t’u audituar rreth plotësimit të standardeve për integrimin në Bashkimin Europian. Plotësimi i standardeve kërkon investime dhe likuiditet.

Normalisht duhet të subvencionohet edhe nga shteti – pasi prodhuesi europian që ka arritur në standardet e sotme nuk arriti vetëm, por me ndihmën dhe subvencionet e BE-së. Në Shqipëri, industrialistët po i përballojnë të vetëm, duke ulur marzhet dhe fitimet mujore në një shifër.

Por nëse tashmë do t’ju kërkohet që të përballojnë këtë kosto e sërish të ulin marzhet, aftësia e tyre investuese do të ulet, rrjedhimisht disa nuk do t’i plotësojnë disa standarde jo për fajin e tyre, e mund të mos mbijetojnë.

Opsioni 2 do të ishte reflektimi i kostove në rritjen e çmimeve. Problemi qëndron se të gjithë prodhuesit shqiptarë nuk lejohet të eksportojnë, dhe konkurrojnë me njëri-tjetrin për një treg shumë të vogël siç është Shqipëria, duke i ofruar produkte një konsumatori që është shumë i ndjeshëm ndaj rritjes së çmimeve.

Pra nëse do të përpiqen të rrisin çmimet, do të favorizohen produktet e importit edhe më shumë pasi ata nuk kanë nevojë të rrisin çmimet – prodhuesit shqiptarë nuk kanë burimet e duhura, qoftë ekonomike qoftë njerëzore për ta luftuar – dhe sërish një pjesë e mirë e tyre, ata të vegjël e të mesëm mund të shkojnë drejt falimentit.

Kështu industrialistët ushqimorë shqiptarë gjenden mes tre presioneve: lëndë e parë më e shtrenjtë, punë më e shtrenjtë dhe konsumator që nuk përballon lehtësisht rritje të mëtejshme çmimesh. Kjo është arsyeja pse ky vendim që në pamje të parë duket si “problem i importit të mishit”, në realitet krijon një efekt domino shumë më të përshkallëzuar në ekonomi.

 

Sa e rëndësishme është për industrinë hapja e tregut europian për eksportet e produkteve të përpunuara të mishit dhe çfarë duhet të bëjë Shqipëria për ta realizuar këtë?

Për mua kjo është çështja më e rëndësishme nga të gjitha. Nuk mund të kërkojmë që industria shqiptare të modernizohet, të certifikohet, të investojë miliona euro në teknologji dhe standarde, dhe pastaj ta lëmë të kufizuar në një treg prej më pak se 2.5 milionë konsumatorësh.

Në një kohë gjithashtu ku politikat qeveritare kanë ulur ndjeshëm euron dhe kanë favorizuar edhe konkurrueshmërinë e produkteve të importit.

Tregu shqiptar ka një tavan ekstremisht të ulët, dhe asnjë industri apo sektor industrial nuk mund të rritet pa akses në eksport. Sot produktet shtazore shqiptare nuk eksportohen në BE jo se stabilimentet nuk plotësojnë kushtet, pasi më besoni që shumë prej tyre operojnë me standard tejet rigoroz.

Problemi qëndron se BE-ja kërkon që vendet e treta të demonstrojnë sisteme të plota kontrolli veterinar, gjurmueshmërie, kontroll të antimikrobikëve dhe certifikim zyrtar përpara se një kategori produkti shtazor të lejohet të hyjë në tregun europian. Pra autorizimi bëhet në nivel vendi fillimisht.

Prandaj përpara se të jetë detyrë e fabrikave, është detyrë e institucioneve shqiptare që të tregojnë kapacitetet e duhura monitoruese për garantimin e sigurisë ushqimore.

Duhet të kemi sistem veterinar të besueshëm, gjurmueshmëri nga ferma deri te produkti final, laboratorë dhe plane monitorimi të njohura nga BE-ja, dhe një administratë që punon me objektivin konkret: hapjen e kategorive të reja të eksportit.

E them me bindje të plotë, që nëse do të ekzistonte vullneti i duhur politik, dhe mbështetja e duhur ekonomike në mënyrë strategjike, ne nuk do kemi nevojë të diskutojmë si të zëvendësojmë mishin brazilian që importojmë.

Përkundrazi, do të ishim duke diskutuar se si mund ta kthejmë Shqipërinë nga një vend që importon pothuajse të gjithë lëndën e parë, në një vend që prodhon, përpunon dhe eksporton produkte me vlerë të shtuar.

 

LEXONI EDHE:

Efektet e “izolimit” të tregtisë së mishit me Brazilin

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

Efektet e “izolimit” të tregtisë së mishit me Brazilin

Pas kufizimit të importeve nga Brazili për mishin e gjedhit dhe të shpendëve, industria përpunuese rrezikon të përballet edhe me kufizime për mishi...

6 minutes më parë 20 Min Lexim

Forcimi i Lekut ul më tej peshën e borxhit të jashtëm në valutë të huaj

Forcimi i mëtejshëm i Lekut në kursin e këmbimit e ka ulur peshën e borxhit në valutë të huaj në një minimum të ri për më shumë se një dekadë. Sipa...

11 minutes më parë 3 Min Lexim
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!