Kostoja e protestave, përtej auditorëve bosh

Ndërsa në Serbi, lëvizja studentore arriti të përmbysë përmes votës një pushtet shumëvjeçar, Tirana u shoqërua sërish me përplasje dhe të rinj të plagosur. Protestat kanë kosto ekonomike, por fatura e tyre nuk mund të matet vetëm me ditët e humbura të mësimit. Në të njëjtën llogari hyjnë edhe shpenzimet e institucioneve, pasojat e dhunës dhe kostoja afatgjatë e problemeve që i kanë nxitur protestat.
Nga Deada Hyka
Në të njëjtën fundjavë, dy kryeqytete të Ballkanit dhanë dy pamje të ndryshme të fuqisë së protestës studentore. Në Beograd, Aleksandar Vuçiç pranoi humbjen në zgjedhjet parlamentare përballë një lëvizjeje të udhëhequr nga studentët, pas gati dy vitesh mobilizimi.
Në Tiranë, protestat vijuan mes përplasjeve me policinë, të plagosurve dhe një debati gjithnjë e më të ashpër mbi mënyrën se si institucionet po u përgjigjen kërkesave të të rinjve.
Rastet nuk janë të njëjta dhe as rezultatet e tyre nuk mund të krahasohen mekanikisht. Megjithatë, ato dëshmojnë se pakënaqësia studentore mund të shndërrohet në një faktor me ndikim shumë më të gjerë sesa funksionimi i universiteteve.
Në Shqipëri, ndërprerja e procesit mësimor ka rikthyer në vëmendje edhe një dimension ekonomik të protestave. Universitetet vijojnë të financohen, pedagogët të paguhen dhe familjet të përballojnë shpenzimet e studimeve, edhe në ditët kur auditorët mbeten bosh.
Por zhvillimet e fundit e bëjnë të pamjaftueshëm një vlerësim të kufizuar vetëm te kostoja e orëve të pazhvilluara.
Bilanci i të lënduarve, ndërhyrjet mjekësore, angazhimi i forcave të rendit, dëmtimet e mundshme të pronës dhe ndërprerja e aktiviteteve të zakonshme krijojnë një tjetër kategori kostosh. Ato nuk janë domosdoshmërisht pasojë e pashmangshme e protestës, por e mënyrës se si ajo zhvillohet, menaxhohet dhe përshkallëzohet.
Në të njëjtën kohë, protesta nuk mund të shihet vetëm si një aktivitet që konsumon burime publike. Ajo është edhe një formë pjesëmarrjeje qytetare, përmes së cilës artikulohen kërkesa për ndryshime në politika dhe institucione. Nëse këto ndryshime përmirësojnë cilësinë e arsimit, transparencën apo përgjegjshmërinë publike, përfitimet afatgjata mund të jenë më të mëdha se kostot e përkohshme të ndërprerjeve.
Këtë raport, mes procesit akademik dhe së drejtës për të protestuar, e vë në dukje edhe Denisa Kele, pedagoge dhe eksperte digjitale. Znj. Kele thekson se “nga ana tjetër, nuk mund ta shkëpusim universitetin nga ajo që ndodh në shoqëri. Studentët janë qytetarë, kanë shqetësime dhe kanë të drejtën të reagojnë. Unë nuk mund t’u flas në auditor për mendimin kritik, përgjegjësinë qytetare dhe lirinë e shprehjes, e pastaj të shqetësohem vetëm për mungesat e tyre kur vendosin të ngrenë zërin.”
Për pedagogët, sipas saj, përgjegjësia është e dyfishtë. Znj. Kele shton se “detyra jonë është të kujdesemi që ata të mos mbeten pas në mësime dhe, njëkohësisht, të kuptojmë çfarë i ka çuar në protestë. Të dyja këto përgjegjësi mund dhe duhet t’i mbajmë.”
Nga këndvështrimi i përfaqësimit të të rinjve, flet edhe Françeska Muço, drejtuese ekzekutive e Rrjetit të Profesionistëve të Rinj, e cila vëren se “protestat studentore janë një investim i drejtpërdrejtë qytetar, sepse përtej kërkesave politike po ndërtojnë një kulturë të re pjesëmarrjeje, ku protesta, llogaridhënia dhe përgjegjësia qytetare kthehen në sjellje të përditshme.
Ky ndryshim ka vlerë të veçantë në kontekstin shqiptar, ku brezat e vjetër u formësuan nga frika, indoktrinimi dhe mungesa e të drejtave politike, duke lënë pas mosbesim tek institucionet dhe apati sociale.
Të rinjtë sot e thyejnë këtë trashëgimi të diktaturës, pasi po e kthejnë protestën në një veprim normal për vendin, pa frikë apo turp, dhe kërkojnë llogari nga pushteti, në vend që t’i nënshtrohen. Ndryshe nga brezi i viteve ’90, që shpresën e shihte jashtë kufijve, ata kërkojnë të jetojnë me dinjitet në Shqipëri dhe ndryshimin e shohin brenda vendit.
Në këtë kuptim, kostoja e menjëhershme është investim në një kulturë të re politike, që mbyll ciklin e tranzicionit post-diktatorial dhe dëshmon maturinë demokratike që kërkon edhe integrimi në BE.”
Kjo nuk e përjashton nevojën për të analizuar pasojat ekonomike të protestave, as për të vlerësuar dëmet e shkaktuara nga aktet e dhunshme, pavarësisht autorëve të tyre. Përkundrazi, e bën të domosdoshme ndarjen e kostove të protestës paqësore nga ato të dhunës dhe nga problemet strukturore që ekzistonin përpara se studentët të dilnin në rrugë.
Për ekonominë, çështja nuk kufizohet te numri i ditëve pa mësim. Ajo lidhet me eficiencën e financimit të universiteteve, investimin e familjeve në arsim dhe aftësinë e institucioneve për të trajtuar pakënaqësitë pa prodhuar kosto të reja për shoqërinë.
Klasat bosh apo…?
Një auditor bosh nuk prodhon dije, por vazhdon të kushtojë. Dritat, ngrohja, pagat e personelit akademik, mirëmbajtja e godinave dhe një pjesë e konsiderueshme e shpenzimeve të funksionimit nuk ndalen bashkë me leksionet. As qiraja e studentit që ka ardhur nga një qytet tjetër. As shpenzimet e familjes që, muaj pas muaji, investon në një diplomë me shpresën se ajo do t’i sigurojë fëmijës një të ardhme më të mirë.
Ndërprerja e procesit mësimor si pasojë e protestave studentore ka një kosto që nuk kufizohet vetëm në orët e pazhvilluara. Financimi publik i universiteteve, shpenzimet e familjeve dhe ndikimi i mundshëm në kalendarin akademik janë pjesë e një ekuacioni më të gjerë ekonomik. Megjithatë, kostot e përkohshme të protestave duhen vlerësuar në raport me problemet strukturore të arsimit të lartë, të cilat mund të kenë pasoja më të mëdha në afat të gjatë, veçanërisht në cilësinë e kapitalit njerëzor dhe produktivitetin e ekonomisë.
Protestat studentore kanë rikthyer në vëmendje një dimension të debatit për arsimin e lartë që zakonisht mbetet në plan të dytë, atë për koston ekonomike të funksionimit të universiteteve dhe eficiencën e investimit publik e privat në arsim.
Ndërprerja e mësimit, pavarësisht kohëzgjatjes, nuk shoqërohet me një reduktim proporcional të shpenzimeve të institucioneve universitare. Pagat e personelit akademik dhe administrativ, mirëmbajtja e infrastrukturës, shërbimet dhe pjesa më e madhe e kostove operative vijojnë të financohen edhe gjatë periudhave kur aktiviteti akademik nuk zhvillohet normalisht.
Nga ana tjetër, familjet vazhdojnë të përballojnë shpenzimet e shkollimit dhe jetesës së studentëve, ndërsa çdo ndryshim i mundshëm i kalendarit akademik mund të krijojë kosto shtesë, veçanërisht për ata që studiojnë larg vendbanimit të tyre.
Megjithatë, nga pikëpamja ekonomike, ndërprerja e përkohshme e mësimit nuk mund të barazohet automatikisht me humbje financiare. Një pjesë e shpenzimeve do të kryheshin pavarësisht zhvillimit të leksioneve, ndërsa ndikimi real varet nga kohëzgjatja e ndërprerjes, mundësia e rikuperimit të orëve dhe pasojat në përmbushjen e programit akademik.
Për këtë arsye, vlerësimi i kostos së protestave kërkon një ndarje mes shpenzimeve të zakonshme të sistemit, kostove shtesë që mund të krijohen nga ndërprerja dhe humbjeve të mundshme që lidhen me cilësinë e shërbimit arsimor.

Kostoja e ndërprerjes së mësimit
Arsimi i lartë përfaqëson një nga format kryesore të investimit publik në kapitalin njerëzor. Ndryshe nga shumë aktivitete ekonomike, ku ndërprerja e prodhimit shoqërohet me ulje të menjëhershme të konsumit të lëndëve të para dhe shpenzimeve të tjera të ndryshueshme, universitetet kanë një strukturë kostosh ku mbizotërojnë shpenzimet relativisht fikse.
Në vitin akademik 2025–2026, sipas INSTAT, në institucionet e arsimit të lartë në Shqipëri rezultonin të regjistruar 115,782 studentë, përfshirë universitetet publike dhe private.
Ndërkohë, për vitin 2026, granti i njoftuar për mësimdhënien dhe mbështetjen studentore në institucionet publike të arsimit të lartë arrin në rreth 11.2 miliardë lekë.
Ky financim përfshin kategori të ndryshme shpenzimesh dhe nuk përfaqëson në tërësi koston e drejtpërdrejtë të zhvillimit të leksioneve. Megjithatë, madhësia e tij tregon rëndësinë e burimeve publike që angazhohen çdo vit për funksionimin e sistemit universitar.
Në kushtet e ndërprerjes së mësimit, një pjesë e këtyre burimeve vijon të përdoret pa u shoqëruar domosdoshmërisht me ofrimin e shërbimit arsimor sipas kalendarit të planifikuar.
Nëse orët e humbura rikuperohen brenda vitit akademik, ndikimi financiar mund të mbetet i kufizuar, veçanërisht kur rikuperimi realizohet pa pagesa shtesë për personelin apo shpenzime të tjera operative. Në të kundërt, zgjatja e ndërprerjeve mund të kërkojë riorganizimin e programeve, shtimin e orëve të mësimdhënies ose ndryshime në kalendarin e provimeve.
Për ndikimin konkret në ritmin e studimeve, Denisa Kele, pedagoge dhe eksperte digjitale, vëren se “si pedagoge, e marr shumë seriozisht vazhdimësinë e procesit mësimor. Çdo ndërprerje ndikon në ritmin e studentëve, në mënyrën si ndiqet programi dhe në kohën që kemi në dispozicion për të shpjeguar, për të diskutuar dhe për të punuar me ta. Kjo ndihet veçanërisht në lëndët ku njohuritë ndërtohen hap pas hapi, si edhe në seminare, laboratorë apo praktikë profesionale.”
Pikërisht te dallimi mes zëvendësimit të orëve dhe përvetësimit të njohurive ndalet sërish znj. Kele, e cila shpjegon se “orët mund të rikuperohen përmes një organizimi të kujdesshëm, por unë do të isha e rezervuar të thosha se gjithçka rikuperohet automatikisht. Të zhvillosh disa orë shtesë nuk do të thotë domosdoshmërisht se studentët kanë pasur kohën dhe përqendrimin e nevojshëm për t’i përvetësuar njohuritë. Rikuperimi duhet të ketë kuptim akademik, të marrë parasysh ngarkesën e tyre dhe të mos kthehet në një formalitet për të mbyllur programin.”
Efekti ekonomik nuk lidhet vetëm me shpenzimet shtesë. Përqendrimi i një programi mësimor në një periudhë më të shkurtër mund të ndikojë në cilësinë e përvetësimit të njohurive, sidomos në degët ku formimi praktik, puna laboratorike dhe ushtrimet profesionale kanë peshë të konsiderueshme.
Kjo është veçanërisht e rëndësishme për arsimin e lartë, ku rezultati i investimit nuk matet vetëm me numrin e orëve të zhvilluara, por edhe me aftësitë që studentët fitojnë gjatë procesit të formimit.
Rrezikun e ndërprerjeve të gjata për përgatitjen profesionale e thekson edhe Erion Muço, ekspert punësimi dhe pedagog, i cili shpjegon se “ndërprerja e procesit akademik si rrjedhojë e protestave sigurisht që ka efekte negative të përkohshme.
Kjo ndërprerje jo vetëm që privon studentët nga marrja e plotë e materialeve të leksioneve dhe seminareve, por dhe krijon një klimë pasigurie të përgjithshme që i demotivon duke i krijuar një projeksion jopremtues mbi të ardhmen personale dhe profesionale. Kohëzgjatja e ndërprerjes është një tjetër tregues nëse ndërprerja mund të jetë e rikuperueshme apo zëvendësueshme.
Nëse një protestë zgjat pak p.sh. nga 2 javë deri në 1 muaj dhe nëse zgjat më shumë se një muaj bëhet vështirë e rikuperueshme. Protestat që zgjasin përbëjnë një pengesë që vë në rrezik jo vetëm humbjen e semestrit akademik dhe mundësinë e studentëve për më shumë dije por edhe nëse zëvendësohet, i privon studentët nga mundësia e punësimit ‘part time’ apo dhe punësimit sezonal.”
Shpenzimet e familjeve, një investim që vijon
Përtej financimit publik, një pjesë e rëndësishme e kostos së arsimit të lartë përballohet drejtpërdrejt nga familjet.
Për studentët që zhvendosen drejt Tiranës apo qyteteve të tjera universitare, shpenzimet e shkollimit përfaqësojnë vetëm një pjesë të faturës së përgjithshme. Qiraja, ushqimi, transporti, materialet mësimore dhe shpenzimet e tjera të jetesës përbëjnë kosto të vazhdueshme gjatë gjithë periudhës së studimeve.
Këto shpenzime kanë kryesisht karakter mujor dhe nuk ndryshojnë në mënyrë të ndjeshme nga ndërprerja e përkohshme e aktivitetit akademik. Një student që jeton me qira vijon të paguajë për banesën edhe nëse për disa ditë nuk zhvillohen leksione.
Megjithatë, nuk do të ishte e saktë që e gjithë kostoja ditore e jetesës të konsiderohej humbje e shkaktuar nga protesta. Shpenzimet do të kryheshin edhe në kushtet e zhvillimit normal të mësimit.
Kosto shtesë për familjet mund të krijohen nëse ndërprerja e procesit akademik shoqërohet me zgjatjen e periudhës së studimeve, shtyrjen e provimeve apo nevojën për qëndrim më të gjatë në qytetin universitar.
Ndikimi mund të jetë më i ndjeshëm për familjet me të ardhura të ulëta, ku shpenzimet për arsimimin e fëmijëve zënë një pjesë të konsiderueshme të buxhetit familjar.
Nga pikëpamja ekonomike, këto shpenzime përfaqësojnë investim privat në kapitalin njerëzor. Familjet heqin dorë nga një pjesë e konsumit aktual për të financuar një proces që pritet të krijojë përfitime të ardhshme, kryesisht përmes mundësive më të mira të punësimit dhe pagave më të larta.
Për rrjedhojë, eficienca e këtij investimi lidhet jo vetëm me koston e drejtpërdrejtë të studimeve, por edhe me kohëzgjatjen, cilësinë e formimit dhe mundësinë e të diplomuarve për t’u integruar në tregun e punës.
Për të shmangur përplasjen mes pjesëmarrjes qytetare dhe jetës universitare, znj. Kele nënvizon rëndësinë e dialogut të përditshëm: “Unë do të doja një universitet ku studentët të dëgjohen përpara se të ndihen të detyruar të dalin në rrugë.
Kur ata kanë hapësirë të ndikojnë në jetën universitare, rritet edhe ndjenja e përkatësisë dhe e përgjegjësisë së tyre ndaj institucionit. Kjo është një marrëdhënie që duhet ta ndërtojmë çdo ditë.”

Vonesat në diplomim dhe kostoja e mundësive të humbura
Një tjetër element që duhet marrë në konsideratë është ndikimi i mundshëm i ndërprerjes së mësimit në përfundimin e ciklit të studimeve.
Në ekonominë e arsimit, periudha e studimit përfaqëson një investim jo vetëm financiar, por edhe kohor. Studentët që ndjekin studimet me kohë të plotë shpesh kufizojnë pjesëmarrjen në tregun e punës, duke hequr dorë nga të ardhurat që mund të siguronin nëse do të punonin gjatë së njëjtës periudhë.
Kjo njihet si kosto oportune e arsimimit dhe përbën një nga komponentët e rëndësishëm të vlerësimit ekonomik të investimit në arsim.
Në rast se ndërprerjet e zgjatura të mësimit do të shkaktonin shtyrjen e diplomimit, kostoja për një pjesë të studentëve mund të përfshinte edhe vonesën në hyrjen në tregun e punës.
Ndikimi do të ishte më i drejtpërdrejtë për profesionet ku pajisja me diplomë apo përmbushja e detyrimeve akademike përbën kusht për punësimin ose ushtrimin e profesionit.
Një vonesë e tillë, nëse ndodh, mund të përkthehet në të ardhura të munguara dhe në shpenzime shtesë për studentët e familjet.
Megjithatë, këto efekte nuk mund të përgjithësohen pa të dhëna mbi kohëzgjatjen reale të ndërprerjeve dhe ndryshimet e mundshme në kalendarin akademik. Një protestë disaditore që nuk ndikon në përfundimin e programit nuk ka domosdoshmërisht pasoja të matshme në punësim apo të ardhura.
Por përtej vonesave të mundshme, znj. Kele e sheh problemin edhe në një horizont më të gjatë: “Për mua, kostoja më e madhe është mosadresimi i problemeve për një kohë të gjatë. Ndërprerja e mësimit ka pasoja dhe kërkon punë për t’u rikuperuar, por problemet e pazgjidhura mund të ndikojnë te jeta e një studenti shumë më gjatë sesa një semestër. Ato prekin besimin e tij tek arsimi, tek institucionet dhe te mundësia për të ndërtuar të ardhmen në vendin e vet.”
Ajo e lidh këtë kosto me besimin që të rinjtë krijojnë te vlera e arsimimit dhe e pjesëmarrjes qytetare: “Si pedagoge, më shqetëson shumë ideja që një i ri mund të kalojë vite duke studiuar dhe, në fund, të ndiejë se dijet dhe përpjekja e tij nuk kanë peshën që duhet. Po aq më shqetëson kur krijohet bindja se të kërkosh të drejtën është e kotë, sepse askush nuk të dëgjon. Një shoqëri paguan një çmim të lartë kur të rinjtë e saj heqin dorë nga përpjekja për të ndryshuar diçka.”
Në këtë kuptim, sipas saj, matja e kohës së humbur nuk mund të ndalet te kalendari akademik: “Prandaj, kur flasim për orët e humbura, duhet të flasim edhe për kohën që është humbur duke mos u dhënë përgjigje shqetësimeve të tyre. Duhet të pyesim nëse ka pasur komunikim, nëse kërkesat janë marrë seriozisht dhe çfarë është bërë konkretisht për zgjidhjen e tyre.”
Përgjegjësinë për rikthimin e këtij besimi, ajo ua atribuon edhe institucioneve: “Unë dua t’i shoh studentët në auditor, të përqendruar, kureshtarë dhe me dëshirë për të mësuar. Por dua që të jenë aty me besimin se ajo që po ndërtojnë ka vlerë. Për këtë kemi përgjegjësi ne pedagogët, drejtuesit e universiteteve dhe institucionet publike. Studentëve nuk mund t’u kërkojmë vetëm durim; duhet t’u japim edhe përgjigje.”
Kostoja afatgjatë e problemeve strukturore në arsim
Përtej ndikimit të menjëhershëm të protestave, debati ekonomik mbi arsimin e lartë lidhet me eficiencën e investimeve publike dhe private në formimin e kapitalit njerëzor.
Shqipëria përballet prej vitesh me sfida që lidhen me emigrimin e të rinjve, përputhjen e kualifikimeve me kërkesat e tregut të punës dhe aftësinë e ekonomisë për të krijuar vende pune me produktivitet e paga më të larta.
Lidhjen mes mosbesimit institucional, largimit të të rinjve dhe kostove demografike e analizon Françeska Muço, drejtuese ekzekutive e Rrjetit të Profesionistëve të Rinj.
Ajo thekson se “pakënaqësia e vazhdueshme dhe mosbesimi tek institucionet bëjnë që pjesa më vitale e popullsisë të mos ketë dëshirë të investojë në ekonominë e vendit apo të krijojë familje këtu. Këtë e tregon edhe rënia e lindjeve sipas INSTAT, që kombinuar me pakënaqësinë e përgjithshme qytetare, flet për mungesa të politikave sociale por edhe sigurinë për të investuar në vend.
E gjitha kjo përkthehet në një dëshirë të madhe për ta lënë vendin dhe për ta ndërtuar të ardhmen diku tjetër. Sipas “Balkan Barometer 2025” të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, 44% e shqiptarëve duan të jetojnë ose të punojnë jashtë vendit, niveli më i lartë në rajon.
Pasoja më e madhe në afatshkurtër është shpopullimi që mbështetet edhe nga të dhënat e Censit 2023 të INSTAT që dëshmon se popullsia e Shqipërisë ra me rreth 14% krahasuar me vitin 2011, ndërsa sipas Eurostat, vetëm në 2024, shtetasit shqiptarë morën rreth 66 mijë leje qëndrimi për herë të parë në BE, numri më i lartë në rajon. Këto pasoja ndihen më pas në ekonominë e vendit, ku mungon forca punëtore, por edhe në sistemin e pensioneve, shërbimet publike dhe në çdo sferë tjetër të shoqërisë.”
Këto zhvillime nuk lidhen drejtpërdrejt me protestat studentore, por përbëjnë kontekstin ekonomik në të cilin duhen vlerësuar problemet e arsimit të lartë.
Investimi në arsim krijon përfitime për individin dhe për ekonominë në tërësi. Një forcë pune më e kualifikuar mund të kontribuojë në rritjen e produktivitetit, përmirësimin e aftësisë konkurruese të bizneseve dhe zhvillimin e sektorëve me vlerë të shtuar më të lartë.
Megjithatë, këto përfitime varen nga cilësia e formimit dhe nga aftësia e tregut për të përdorur kapitalin njerëzor të krijuar.
Kur ekziston një mospërputhje e vazhdueshme mes aftësive të të diplomuarve dhe kërkesave të punëdhënësve, kthimi ekonomik i investimit në arsim mund të jetë më i ulët se potenciali i tij.
Për pasojat e mospërputhjes së arsimit me tregun e punës, Erion Muço, ekspert punësimi dhe pedagog, argumenton se “në terma afatgjatë, tregun e punës e dëmton ecuria e ngadaltë e ndryshimit të sistemit arsimor karshi zhvillimeve dhe modernizimit aktual të tregut të punës.
Duhet të ndryshojë metodologjia dhe aspektet pedagogjike të cilat duhet të përqendrohen jo vetëm në formimin e përgjithshëm të nxënësit dhe studentit, por sidomos në zhvillimin e aftësive profesionale. Lipset të ndryshojnë programet dhe kurrikulat dhe të përditësohen dhe përshtaten me formimin kompleks të të riut që të jetë gati për punën përgjatë dhe pas studimit.
Kërkohet një ndryshim dhe integrim në zbatim i një mësimdhënie aplikative ku eksperienca e punës të merret në shkollë përgjatë mësimdhënies dhe mësimnxënies.
Duhet të mbështeten më shumë të rinjtë të kultivojnë prirjet e zhvilluara dhe talentin dhe ta promovojnë atë duke u përpjekur ta komercializojnë.
Duhet të forcohen programet e këshillimit në karrierë dhe orientimit në tregun e punës. Duhet të incentivohen më shumë të rinjtë të zhvillojnë aftësitë dhe dijet praktike mbi nevojat e tregut të punës dhe jo të hutohen në degë e programe pa perspektivë për punësim dhe karrierë.
Duhet që sistemi arsimor të filtrohet duke u pastruar nga të gjithë problematikat e mungesës së meritokracisë në vlerësim apo dhe nga heqja dore nga besnikëria ndaj mënyrës si jemi mësuar të marrim shkollën por pa u edukuar dhe pa u arsimuar cilësisht. Sistemi arsimor duhet të përputhë karakteristikat e nxënësve dhe studentëve me kërkesat e tregut duke shërbyer si rregullatori kryesor i përputhjes mes kërkesës dhe ofertës për punë në treg bazuar në arsim, formim dhe kualifikime.”
Po kështu, emigrimi i profesionistëve të kualifikuar mund të kufizojë përfitimet që ekonomia vendase merr nga investimi në formimin e tyre, ndonëse lëvizja ndërkombëtare e fuqisë punëtore mund të sjellë edhe përfitime përmes remitancave, transferimit të njohurive dhe lidhjeve ekonomike me jashtë.
Në të njëjtën linjë, duke u ndalur te humbjet e bizneseve nga emigrimi, z. Muço argumenton se “ekonomia shqiptare humbet potencialin dhe energjinë e të rinjve por dhe kreativitetin dhe inteligjencën e tyre në dobi të punës që bëjnë dhe zhvillimin e mëtejshëm të çdo sektori të ekonomisë.
Largimi i të rinjve si rrjedhojë e mungesave dhe mundësive të kufizuara për punësim dhe karrierë, apo dhe rritja e të papunëve të dekurajuar brenda vendit, përbën një alarm për sipërmarrjen private e cila humbet një kontingjent punonjësish për të cilët ka nevojë jo vetëm si forcë pune, por dhe si mendje pune.
Zhvillimi ekonomik pa kapital njerëzor aktiv si në predispozicion ashtu dhe në numër është i vështirë dhe deri i pamundur duke krijuar vështirësi reale, si për bizneset dhe kompanitë, ashtu dhe për planet dhe objektivat e tyre të zhvillimit të mëtejshëm të biznesit.
Shumë prej sipërmarrjeve do të kishin vështirësi reale për krah pune dhe do të vononin porositë duke mos arritur afatet e kësisoj do të bëheshin shpejt viktima të prishjeve të njëanshme të kontratave të porosive dhe atyre të biznesit.”
Në këtë kontekst, pakënaqësitë studentore mund të shihen edhe si një tregues i nevojës për të vlerësuar funksionimin e sistemit, cilësinë e shërbimeve dhe përputhjen e pritshmërive të studentëve me rezultatet që ofron arsimi i lartë.
Sipas znj. Kele, protestat mund të krijojnë edhe përfitime institucionale, nëse nxjerrin në pah problemet e mbartura: “Po, besoj se mund të sjellin një përfitim të rëndësishëm, sidomos kur arrijnë të nxjerrin në vëmendje probleme që janë anashkaluar për një kohë të gjatë. Studentët e përjetojnë çdo ditë universitetin: kushtet, mënyrën e mësimdhënies, komunikimin me administratën, kostot dhe pasigurinë për punësimin pas diplomimit.
Për këtë arsye, zëri i tyre duhet të ketë peshë në vendimet që merren për arsimin.”
Përfitimi, shpjegon ajo, nuk kufizohet te studentët që protestojnë: “Nëse një protestë çon në përmirësimin e këtyre kushteve, në më shumë transparencë apo në mekanizma realë përfaqësimi, përfitimi shkon përtej atyre që kanë dalë në shesh. Ai u mbetet edhe studentëve që do të ulen nesër në auditorë.
Për mua, ky është një nga argumentet më të forta për t’i dëgjuar me seriozitet.”
Megjithatë, ajo kushtëzon rezultatin me reagimin konkret të institucioneve: “Por përfitimi afatgjatë nuk vjen vetvetiu. Duhet që institucionet të ulen me studentët, të kuptojnë kërkesat, të marrin angazhime të qarta dhe të japin llogari për zbatimin e tyre. Një takim apo një premtim publik nuk mjafton, nëse më pas gjithçka vazhdon si më parë.”
Kjo nuk nënkupton se çdo problem i ngritur në një protestë përbën domosdoshmërisht një dështim të sistemit, apo se çdo kërkesë mund të përmbushet pa kosto. Përkundrazi, politikat arsimore kërkojnë vlerësimin e përfitimeve, burimeve financiare dhe ndikimit afatgjatë të ndërhyrjeve.
Një rritje e shpenzimeve publike, për shembull, nuk garanton vetvetiu përmirësim të cilësisë nëse nuk shoqërohet me mekanizma të qartë të shpërndarjes së fondeve, matjes së performancës dhe përgjegjshmërisë institucionale.
Për këtë arsye, debati për koston e protestave nuk mund të shkëputet nga analiza e eficiencës së financimit të universiteteve.
Në vlerësimin e Françeska Muços, drejtuese ekzekutive e Rrjetit të Profesionistëve të Rinj, kostoja e mosveprimit është më e rëndë: “Padyshim, që mosadresimi i problemeve që i nxjerrin të rinjtë dhe qytetarët në protestë është më e kushtueshme në afatshkurtër dhe afatgjatë.
Kemi nevojë për një qeverisje mbi të gjitha lokale, që ofron më shumë shërbime publike cilësore dhe për një qeverisje që nuk është e shkëputur nga realiteti në të cilën jetojnë qytetarët e saj.”
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.






