Forcimi i Lekut ul më tej peshën e borxhit të jashtëm në valutë të huaj

Forcimi i mëtejshëm i Lekut në kursin e këmbimit e ka ulur peshën e borxhit në valutë të huaj në një minimum të ri për më shumë se një dekadë.
Sipas Ministrisë së Financave, rreziku i kursit të këmbimit, i shprehur si raporti i borxhit në monedhë të huaj ndaj totalit të borxhit publik, në fund të 9-mujorit 2026 ishte 38.8%, nga 40.1% që ishte në tremujorin e mëparshëm dhe 41.6% që kishte qenë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Në vlerë absolute, borxhi i jashtëm neto në fund të 9-mujorit 2026 ishte rreth 5.9 miliardë euro, në vlera afërsisht të përafërta me fundin e vitit 2025.
Teprica e borxhit të jashtëm, e shprehur në Euro, shfaqet relativisht e qëndrueshme që prej vitit 2024. Por, ndërkohë efekti i kursit të këmbimit e ka ulur si vlerën e tij në Lekë, ashtu edhe peshën në strukturën e borxhit të përgjithshëm publik.
Kursi i këmbimit Euro-Lek ka shënuar një rënie me ritme të përshpejtuara gjatë vitit 2026.
Në fund të shtatorit, kursi zyrtar i këmbimit të Euros ra në nivelin 92.05 lekë, afërsisht 5% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Gjithmonë sipas shifrave nga Ministria e Financave, edhe treguesit e tjerë të rrezikut të borxhit publik paraqiten në përmirësim.
Rreziku i rifinancimit të borxhit të brendshëm publik, i shprehur si vlera e borxhit të brendshëm që maturohet brenda një viti ndaj totalit, në fund të qershorit arriti në 32.9%, në rënie të mëtejshme nga niveli prej 40.7% i një viti më parë. Ky tregues ka arritur aktualisht në nivelin më të ulët historik.
Në dekadën e fundit, Ministria e Financave ka ndjekur një strategji të zgjatjes graduale të maturitetit të borxhit publik, me qëllim kryesor uljen e rrezikut të rifinancimit, por edhe përfitimin nga cikli i normave të ulëta të interesit.
Në fund të muajit shtator, maturiteti mesatar i instrumenteve të borxhit të brendshëm u rrit më tej në 1180 ditë, nga 1028 ditë që kishte qenë një vit më parë. Kjo rritje dëshmon pikërisht përdorimin më të madh të instrumenteve me maturim afatgjatë.
Gjithashtu, edhe rreziku i normave të interesit, i shprehur si përqindja e borxhit që rifiksohet brenda një viti kundrejt totalit të borxhit publik zbriti në 32.9%, nga 40.7% që kishte qenë në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në treg vitet e fundit, borxhi publik i Shqipërisë po ndjek një tendencë rënëse, i mbështetur nga forcimi i Lekut në kursin e këmbimit dhe një politikë fiskale më e konsoliduar, me deficite buxhetore më të ulëta.
Pasi arriti një nivel rekord prej më shumë se 74% të PBB-së në vitin 2021, borxhi publik ka ardhur në rënie vitet në vazhdim dhe në fund të shtatorit 2026 vlerësohej në nivelin e 49.35% të PBB-së.

Burimi: Ministria e Financave
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.





