Komuna e Mitrovicës ka njoftuar se kanë nisur punimet për rregullimin e rrugëve dhe trotuareve në afërsi të shkollës “Eqrem Qabej” në Mitrovicë.

Nga afër fillimin e punimeve e kanë përcjellë nënkryetari i Komunës, Enis Osmani, së bashku me drejtorin e Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe Infrastrukturës, Naser Muja.


Sipas njoftimit të komunës, kjo pjesë e qytetit, pas vitesh pa ndërhyrje të mjaftueshme, po i nënshtrohet rregullimit me qëllim të përmirësimit të infrastrukturës dhe rritjes së sigurisë për qytetarët.

Ndërhyrja pritet të lehtësojë qarkullimin e përditshëm dhe të krijojë kushte më të mira për nxënësit, prindërit dhe banorët që frekuentojnë këtë zonë.

Me këtë rast, nënkryetari Osmani ka theksuar se investimet në përmirësimin e infrastrukturës dhe mirëmbajtjen e hapësirave publike do të vazhdojnë edhe në pjesë të tjera të qytetit.

“Mitrovica po ndërtohet me punë, përkushtim dhe investime konkrete, lagje pas lagjeje”, ka deklaruar Osmani. /Telegrafi/