Vendosni fjalën kyçe....

Studentët rikthehen në protestë kombëtare, mblidhen sot para Ministrisë së Arsimit


Studentët kanë paralajmëruar zhvillimin e protestës së radhës kombëtare këtë të shtunë, në orën 14:00, përpara Ministrisë së Arsimit në Tiranë.

Pas më shumë se 150 ditësh protestë dhe qëndrese, lëvizja studentore ka vendosur të intensifikojë aksionin, duke kaluar në një strategji të re organizimi me dy protesta kombëtare në javë.

Sipas njoftimit të grupimit “Studentët n’protestë”, tubimet do të zhvillohen çdo të mërkurë dhe të shtunë, në të njëjtën orë, 14:00. Organizatorët synojnë të ruajnë mobilizimin dhe të shtojnë presionin ndaj qeverisë për plotësimin e kërkesave të tyre.

Në qendër të protestës vijon të jetë kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, të cilën studentët e konsiderojnë të panegociueshme. Ata shprehen se, pavarësisht muajve të protestave, ende nuk kanë marrë përgjigjen që kërkojnë nga qeveria dhe se janë të përgatitur për një betejë të gjatë.

Ndërkohë, bojkoti i procesit mësimor vijon. Nga ana e tij, kryeministri Edi Rama ka përsëritur thirrjet për dialog dhe ka shprehur gatishmërinë për komunikim me studentët, por kjo ofertë nuk ka sjellë deri më tani ndryshim në qëndrimin e protestuesve.

Në mbështetje të lëvizjes studentore janë rreshtuar edhe pedagogë e qytetarë, të cilët kanë shprehur solidaritet me kauzën e tyre.

Organizatorët kanë bërë gjithashtu të ditur se do të mbështesin protestat e tjera qytetare kundër qeverisë, pavarësisht kohës dhe vendit ku zhvillohen.

Protesta e sotme pritet të jetë një tjetër moment i rëndësishëm për lëvizjen studentore. Mbetet për t’u parë se sa do të jetë pjesëmarrja dhe nëse tubimi do të shoqërohet me marshime apo forma të tjera reagimi.

Studentët u kanë bërë thirrje të rinjve dhe qytetarëve që mbështesin kauzën e tyre t’u bashkohen në orën 14:00, përpara Ministrisë së Arsimit.