Një deputet i opozitës dhe tre oficerë policie janë vrarë gjatë një sulmi të armatosur të ndodhur të premten në mbrëmje në Guatemalën lindore. Kongresmeni u identifikua si Julio Portillo, anëtar i partisë opozitare Uniteti Kombëtar i Shpresës (UNE).

Ngjarja ndodhi në fshatin Rio Odo, në provincën e Zacapës. Sipas Ministrisë së Brendshme të Guatemalës, tre efektivët e policisë humbën jetën teksa po përpiqeshin të parandalonin një sulm të drejtpërdrejtë ndaj deputetit.

“Oficerët u vranë nga të shtënat me armë zjarri ndërsa po zmbrapsnin një sulm që synonte drejtpërdrejt kongresmenin, të kryer nga individë të panjohur”, thuhet në deklaratën e ministrisë.

Autorët hapën zjarr dhe më pas u larguan me shpejtësi nga vendngjarja. Deri më tani, ata nuk janë identifikuar dhe autoritetet nuk kanë dhënë detaje të tjera mbi motivet e sulmit.

Provinca e Zacapës konsiderohet zonë e kontrolluar nga karteli i familjes Lorenzana, i lidhur me kartelin meksikan Sinaloa. Dhuna mes grupeve kriminale ka qenë e pranishme edhe më herët në këtë zonë.

Më 27 shtator, tetë civilë u vranë në provincë gjatë përleshjeve që autoritetet ia atribuuan konfliktit mes bandave rivale.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb