Shtetet e Bashkuara kanë regjistruar 5,182 raste të konfirmuara të fruthit që nga fillimi i vitit 2026, duke shënuar numrin më të lartë vjetor të rasteve në 35 vitet e fundit. Të dhënat janë publikuar të premten nga Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), agjencia kryesore e shëndetit publik në SHBA.

Shifra është më shumë se dyfishi i rasteve të raportuara gjatë gjithë vitit 2025, kur u regjistruan 2,289 të infektuar. Sipas të dhënave zyrtare, ky është niveli më i lartë që prej vitit 1991. Ndërkohë, autoritetet shëndetësore shtetërore kanë raportuar të paktën tetë viktima nga sëmundja, mes tyre edhe fëmijë shumë të vegjël.

Specialisti i sëmundjeve infektive pediatrike, Adam Ratner, i tha agjencisë AFP se vdekjet nga fruthi janë tragjike dhe mund të parandalohen përmes vaksinimit.

Fruthi u shpall i eliminuar në SHBA në vitin 2000, kryesisht falë përhapjes së gjerë të vaksinimit. Megjithatë, sëmundja është rikthyer ndjeshëm vitet e fundit, në një kohë kur normat e vaksinimit kanë rënë dhe mosbesimi i publikut ndaj autoriteteve shëndetësore është rritur.

Në këtë debat është përfshirë edhe sekretari amerikan i Shëndetësisë, Robert F. Kennedy Jr., i cili prej kohësh ka shprehur skepticizëm ndaj vaksinave dhe është përballur me kritika për qëndrimet e tij.

“Robert F. Kennedy Jr. nuk beson se fruthi është një problem i madh dhe nuk dëshiron të besojë se ka vdekje nga fruthi”, deklaroi Ratner, duke shtuar se pasojat e këtyre qëndrimeve do të rëndojnë mbi fëmijët, të cilët nuk janë ata që marrin vendimet për vaksinimin.

Fruthi është një sëmundje shumë ngjitëse që zakonisht shkakton temperaturë, simptoma të frymëmarrjes dhe skuqje karakteristike të lëkurës. Në rastet më të rënda, mund të sjellë komplikacione si pneumonia dhe inflamacioni i trurit, të cilat mund të shkaktojnë probleme afatgjata shëndetësore ose edhe vdekje.

Sipas CDC-së, përpara se vaksina kundër fruthit të futej në përdorim në vitin 1963, në SHBA vdisnin çdo vit rreth 400 deri në 500 persona nga kjo sëmundje.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb