Bota

30 vite pa përgjigje për vrasjen e JonBenét Ramsey, vëllai i saj thyen heshtjen!

Pothuajse 30 vite pas vrasjes së 6-vjeçares JonBenét Ramsey, një prej mistereve më të bujshme kriminale në SHBA vijon të mbetet i pazbardhur. Vajza u gjet e pajetë në bodrumin e shtëpisë së familjes në Kolorado, rreth shtatë orë pasi ishte raportuar e zhdukur. Pavarësisht hetimeve të shumta, deri më sot askush nuk është akuzuar për vrasjen e saj.

Rasti rikthehet në vëmendje përmes një dokumentari të ri të Netflix, i cili pritet të transmetohet muajin e ardhshëm dhe do të shqyrtojë disa nga teoritë kryesore për vrasjen. Ndërkohë, vëllai i saj, Burke Ramsey, tashmë 39 vjeç, ka përsëritur thirrjen drejtuar autoriteteve për të identifikuar personin përgjegjës.

Në një intervistë për Daily Mail, Burke pretendoi se hetuesit nuk i kanë kushtuar vëmendjen e duhur provave të ADN-së, të cilat, sipas tij, mund të përjashtojnë familjarët nga dyshimet.

“ADN-ja thotë se nuk e bëmë ne. E di që asnjë nga familja ime nuk e bëri”, deklaroi ai, duke këmbëngulur se nuk kishte asnjë përfshirje në vrasjen e motrës së tij. Burke u ndal veçanërisht te gjurmët e ADN-së të gjetura nën thonjtë e JonBenét, të cilat, sipas tij, nuk përputhen me profilin gjenetik të asnjërit prej familjarëve.

“Duhet ta gjejmë këtë përputhje. Është prova më e mirë që kemi. Ndoshta është personi që e bëri dhe shansi më i mirë që kemi për ta zgjidhur”, tha ai.

Ish-detektivi i policisë së Boulder, Steve Thomas, ka pretenduar se nëna e JonBenét, Patsy Ramsey, mund ta ketë mbytur vajzën pasi ajo kishte pësuar aksidentalisht një dëmtim në kokë, ndërsa babai, John Ramsey, kishte vendosur ta mbronte bashkëshorten. Kjo teori është kundërshtuar ashpër nga avokatja e Patsy-t, Lynn Wood, e cila i ka cilësuar pretendimet si të pavërteta dhe në kundërshtim me provat mjekësore.

Dyshimet ndaj prindërve u shtuan edhe për shkak të një shënimi të gjatë për shpërblim, të gjetur në shtëpi mëngjesin e ngjarjes. Në të kërkoheshin 118 mijë dollarë, shumë që përkonte me bonusin e Krishtlindjeve që John Ramsey kishte marrë nga puna. Gjithashtu, u ngritën dyshime se shënimi ishte shkruar në letra që i përkisnin Patsy-t.

Teoria e dytë ngre mundësinë që në shtëpi të ketë hyrë një person i jashtëm, i cili ka kryer krimin. Në librin e tyre “Vdekja e pafajësisë”, prindërit e JonBenét kanë mbështetur idenë se një ndërhyrës ishte përgjegjës, duke iu referuar edhe provave të ADN-së që, sipas tyre, tregonin për përfshirjen e një personi të tretë.

John Ramsey ka kërkuar vazhdimisht që provat të analizohen me teknologjinë më të fundit të ADN-së, duke shpresuar se testimet e reja mund të çojnë në identifikimin e autorit.

Teoria e tretë përfshinte edhe vëllain e saj, Burke, i cili ishte vetëm 9 vjeç në kohën e vrasjes. Në një dokumentar të CBS, disa ekspertë ngritën dyshime mbi mundësinë që një elektrik dore i gjetur në vendngjarje të ishte përdorur për t’i shkaktuar dëmtimin në kokë vajzës. Megjithatë, kjo pistë është kundërshtuar.

Burke ndërmori veprime ligjore ndaj pretendimeve të ngritura në dokumentarin e CBS, duke paditur rrjetin televiziv për 750 milionë dollarë. Çështja u zgjidh në vitin 2019.

Në intervistën e fundit, ai deklaroi se është i gatshëm të bashkëpunojë për zbardhjen e ngjarjes: “Do të bëj gjithçka që mundem për të ndihmuar në zgjidhjen e këtij rasti. Unë jam një libër i hapur. Ua kam thënë të gjithëve gjithçka që di”.

Edhe pas dekadash hetimesh, vrasja e JonBenét Ramsey mbetet pa një autor të identifikuar dhe pa një përgjigje përfundimtare për atë që ndodhi brenda shtëpisë së familjes në Kolorado.

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.