Historia e një prej familjeve më të njohura të Jugut të Shqipërisë që la gjurmë, Mero Baze sjell librin “Oxhaku i Këlcyrës”

07/11/2026 09:23

Mero Baze prezanton librin e tij më të ri, “Oxhaku i Këlcyrës”, një studim historik dhe gjenealogjik që sjell në vëmendje rrugëtimin shumëshekullor të një prej familjeve më të njohura të Jugut të Shqipërisë.

Libri i ri rindërton historinë shumëshekullore të familjes Këlcyra, nga rrënjët e hershme dhe periudha osmane deri në fund të Luftës së Dytë Botërore. Përmes dokumenteve arkivore, pemës gjenealogjike dhe kujtesës familjare, vepra sjell edhe një këndvështrim mbi marrëdhëniet mes familjeve të mëdha shqiptare dhe rolin e grave në historinë e vendit.

Libri ndjek rrënjët e hershme të familjes Këlcyra, lidhjet e saj me Muzakajt dhe periudhën osmane, për të vijuar me zhvillimet e shekullit XIX, Pavarësinë, formimin e shtetit shqiptar dhe brezat e fundit të kësaj familjeje. Në qendër të punimit është përpjekja për të rindërtuar një histori të shpërndarë ndër vite mes dokumenteve historike, kujtesës familjare dhe gojëdhënave.

Për realizimin e këtij botimi, Baze i është drejtuar një kërkimi të gjatë në arkiva dhe burime të ndryshme historike, me vëmendje të veçantë ndaj dokumentacionit osman. Një pjesë e rëndësishme i kushtohet pemës gjenealogjike të Këlcyrajve dhe dallimit mes fakteve të mbështetura në dokumente dhe traditës gojore të trashëguar ndër breza.

Në parathënien e librit, historiania prof. dr. Nevila Nika vlerëson rëndësinë e familjes si mjedis i ruajtjes dhe transmetimit të kujtesës historike. Sipas saj, familjet e mëdha, përmes mbiemrit, pasurisë dhe trashëgimisë së tyre, kanë ndërtuar ndër shekuj jo vetëm fuqinë dhe prestigjin, por edhe një rol të rëndësishëm në përcjelljen e historisë.

Përtej historisë së një familjeje, libri sjell edhe një panoramë të marrëdhënieve mes oxhaqeve të mëdha shqiptare. Në faqet e tij trajtohen lidhjet e Këlcyrajve me familjet Vrioni, Vloraj, Frashëri, Libohova, Konica, Luarasi dhe me familjen e Ali Pashë Tepelenës. Martesat, aleancat dhe konfliktet familjare paraqiten si pjesë e zhvillimeve më të gjera politike dhe shoqërore të Shqipërisë.

Një tjetër aspekt i veçantë i veprës është trajtimi i rolit të grave në historinë familjare. Baze nuk i kufizon ato vetëm në pemën gjenealogjike, por ndalet edhe te ndikimi i tyre në ruajtjen e kujtesës dhe krijimin e lidhjeve mes familjeve të mëdha. Ky këndvështrim merr rëndësi të veçantë në një historiografi ku, siç vëren Nika, roli i vajzave, bashkëshorteve dhe nënave ka qenë shpesh i lënë në hije.

Në këtë kontekst, historia e “Oxhakut të Këlcyrës” mbyllet përmes figurave të dy grave, Shegë dhe Hëna Këlcyra. Kjo e fundit zë një vend të veçantë edhe në vetë veprën, të cilën autori ia kushton si homazh bijës së fundit të Oxhakut të Këlcyrës.

Ndërsa Ali Këlcyra, figura më e njohur e familjes, trajtohet në këtë botim si pjesë e historisë së saj më të gjerë. Jeta dhe veprimtaria e tij politike do të jenë në qendër të një vepre të veçantë të Mero Bazes, me titull “Ali Këlcyra, Tribuni i papranuar”, e konceptuar në dy vëllime: “Përndritja” dhe “Përbaltja”.

Libri është botuar nga UET Press, me parathënie të prof. dr. Nevila Nikës, ndërsa redaktimi dhe arti grafik mbajnë firmën e Arben Bllacit.

Top Channel