Lewandowski për Yamal: Të luaja me dikë që mund të ishte djali im për nga mosha ishte çmenduri

7 Nëntor 2026
9:28
Alfred Lleshi
back button

Robert Lewandowski ka reflektuar mbi shpërthimin e hershëm të Lamine Yamal dhe sfidat që talenti i Barcelonës do të duhet të përballojë gjatë karrierës. Sulmuesi polak, i cili nisi të luante profesionist në moshën 18-19 vjeç, vëren se brezi i ri po mbërrin shumë më herët në elitë, por ruajtja e këtij niveli për shumë vite mund të jetë një sfidë e vërtetë.

Lewandowski kujtoi edhe takimin e parë me Yamal, kur ky i fundit ishte vetëm 15 vjeç, duke bërë shaka me diferencën e madhe të moshës mes tyre. “Jam dy vjet më i madh se babai i tij, e kuptoni? Imagjinojeni pak: të luash me dikë që mund të ishte djali im… Është çmenduri”, – u shpreh ai.

Pavarësisht diferencës së moshës, polaku e kuptoi që në fillim se Yamal ishte një futbollist i veçantë: “Që në fillim dukej se ishte një lojtar ndryshe, një lojtar special”. Megjithatë, sipas tij, sfida më e madhe për talentin spanjoll nuk është vetëm arritja në majën e futbollit, por qëndrimi aty për një kohë të gjatë.

“Mendoj se sfida e tij kryesore do të jetë të qëndrojë në majë për shumë vite. Kur nis kaq i ri, është shumë më e vështirë të ruash nivelin më të lartë kur mbërrin në moshën 28, 30 apo 32 vjeç”, – paralajmëroi sulmuesi polak.

Lewandowski e lidhi këtë fenomen edhe me ndryshimet ekonomike në futboll. Sipas tij, talentet e rinj nisin të përfitojnë kontrata milionëshe në një moshë shumë të hershme, ndryshe nga brezat e mëparshëm.

“Tani fillojnë të fitojnë para shumë shpejt. Nuk është si dikur, kur duhej të ishim më të duruar, – theksoi ai. – Dikur futbollistëve iu duhej më shumë kohë për t’u konsoliduar. Për të kaluar te një klub tjetër duhej që një skuadër të paguante për transferimin e tyre. Tani mjafton të shënosh dy gola dhe kaq. Hajde, paguani, aktivizoni klauzolën e largimit”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit