Nikolin Pali, 43-vjeçari shqiptar i arrestuar në Athinë pas gjashtë vitesh
Nikolin Pali, 43-vjeçari shqiptar i arrestuar në Athinë pas gjashtë vitesh në arrati, dyshohet se ka pranuar përfshirjen në dy vrasje të tjera të kryera në Shqipëri, përveç krimit të dyfishtë për të cilin ishte dënuar në Greqi.
Sipas mediave greke, Pali është arrestuar në një apartament në zonën Kato Patisia të Athinës, gjatë një operacioni të forcave speciale EKAM dhe policisë greke. Ai ishte shpallur në kërkim dhe dënuar në mungesë për vrasjen e ish-partneres së tij, një 43-vjeçare me origjinë ukrainase, dhe partnerit të saj, një farmacist grek.
Sipas raportimit të “Proto Thema”, gjatë marrjes në pyetje, 43-vjeçari dyshohet se ka rrëfyer edhe dy vrasje të tjera të kryera në Shqipëri. Ndërkohë, autoritetet greke po hetojnë nëse ai ka qenë i përfshirë edhe në ngjarje të tjera të rënda kriminale, përfshirë ekzekutime me pagesë.
Gjatë kontrollit në apartamentin ku fshihej, policia zbuloi një pistoletë, dy granata funksionale, dy mekanizma ndezës, tre palë pranga metalike, si dhe një leje qëndrimi të falsifikuar, në të cilën ishte vendosur fotografia e të arrestuarit.
Sipas autoriteteve greke, ndaj Palit rëndonin vendime dënimi për vrasje me dashje, grabitje dhe zjarrvënie me dëmtim të pronës. Gjithashtu, nëpërmjet bashkëpunimit me Interpolin, u konfirmua se ai kërkohej edhe nga autoritetet shqiptare për një grabitje me armë të mbetur në tentativë, të kryer në bashkëpunim.
Krimi i dyfishtë për të cilin ishte dënuar në Greqi ndodhi natën mes 10 dhe 11 tetorit 2020, në një banesë pushimi në zonën e Loutrakit. Sipas hetimeve, Pali dyshohet se sulmoi me sëpatë ish-partneren e tij dhe partnerin e saj, duke i goditur për vdekje.
Pas vrasjes, ai mori para dhe bizhuteri nga viktimat, ndërsa automjetin e gruas e transportoi në një zonë të izoluar dhe i vuri flakën, me qëllim zhdukjen e gjurmëve të krimit.
Në të njëjtin operacion policor u arrestua edhe një 41-vjeçare shqiptare, e akuzuar për përkrahje të autorit të krimit dhe shkelje të ligjit për të huajt.
Hetimet vijojnë për të verifikuar pretendimet mbi dy vrasjet e tjera në Shqipëri dhe për të zbardhur nëse 43-vjeçari ka lidhje me ngjarje të tjera kriminale në të dyja vendet.

