Demokratët në SHBA po përgatiten të paraqesin një numër të madh nismash ligjore që synojnë rregullimin e inteligjencës artificiale dhe zhvillimin e qendrave të të dhënave, pasi të marrin kontrollin e Kongresit në janar.
Planet përfshijnë masa për mbrojtjen e konsumatorëve nga rritja e faturave të energjisë elektrike, testimin e pavarur të sistemeve të avancuara të inteligjencës artificiale dhe përcaktimin e përgjegjësisë ligjore të kompanive për dëmet që mund të shkaktojnë produktet e tyre.
Kjo qasje shënon një ndryshim të ndjeshëm nga politika e Kongresit të drejtuar deri më tani nga republikanët, ku fokusi ka qenë kryesisht nxitja e zhvillimit të teknologjisë, pa miratuar kufizime të detyrueshme për sektorin, shkruan Reuters.
Ndërkohë, shqetësimet e qytetarëve për zgjerimin e shpejtë të qendrave të të dhënave dhe konsumin e madh të energjisë që ato kërkojnë janë rritur.
Senatori demokrat Chuck Schumer, i cili pritet të marrë drejtimin e shumicës në Senat, deklaroi se mbrojtja e konsumatorëve nga kostot më të larta të energjisë, të lidhura me zgjerimin e qendrave të të dhënave, do të jetë një nga prioritetet e tij për vitin e ardhshëm.
Ndërsa përfaqësuesja demokrate Lori Trahan synon të paraqesë një projektligj që do të detyrojë ekspertë të pavarur të vlerësojnë modelet kryesore të inteligjencës artificiale sipas standardeve të sigurisë. Ajo do të kërkojë gjithashtu që kompanitë të mbajnë përgjegjësi kur sistemet e tyre shkaktojnë dëme.
Edhe demokratë të tjerë kanë paralajmëruar se do të kërkojnë një mbikëqyrje më të fortë të sektorit. Përfaqësuesja Zoe Lofgren, e cila synon të drejtojë Komitetin e Shkencës në Dhomën e Përfaqësuesve, tha se synimi është krijimi i “rregullave të përgjegjshme për inteligjencën artificiale, duke nxitur njëkohësisht inovacionin”.
Ndërsa Abdul El-Sayed, demokrat i zgjedhur në Senat nga Miçigani, ka propozuar krijimin e një agjencie të pavarur që do të mbikëqyrë kompanitë teknologjike dhe zhvillimin e kësaj teknologjie.
Demokratët pritet të përdorin edhe kompetencat e reja në komisionet parlamentare për të kërkuar dëshmi nga drejtuesit e kompanive më të mëdha të teknologjisë, përfshirë OpenAI, Anthropic, Meta, Google dhe SpaceX.
Në tetor, Lofgren dhe disa drejtues të tjerë demokratë të komisioneve u kërkuan këtyre kompanive të japin shpjegime mbi masat e sigurisë dhe rastet kur sistemet e inteligjencës artificiale kanë ndërmarrë veprime të paparashikuara nga krijuesit e tyre. Përfaqësuesi Greg Casar ka kërkuar që drejtuesit e kompanive të thirren për të dëshmuar nën betim.
Megjithatë, miratimi i këtyre nismave mund të përballet me pengesa të mëdha për sa kohë Donald Trump mbetet president. Ai ka kundërshtuar vazhdimisht vendosjen e rregullave të detyrueshme për inteligjencën artificiale. Të premten, Trump deklaroi se do të bashkëpunojë me shtetet amerikane që “duan të bëhen të pasura” duke përqafuar zhvillimin e kësaj teknologjie, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Sipas një sondazhi të Reuters të publikuar në tetor, shumica e votuesve amerikanë mendojnë se administrata Trump dhe Kongresi nuk po i marrin mjaftueshëm seriozisht rreziqet e inteligjencës artificiale dhe kërkojnë rregulla të reja për këtë sektor.
Analisti i politikave Ed Mills, nga Raymond James, vlerëson se një krizë e mundshme e shkaktuar nga kjo teknologji mund të krijojë mbështetjen e nevojshme për miratimin e ligjeve, pavarësisht kundërshtimit të presidentit.
“Mundësia e miratimit të legjislacionit është shumë më e lartë nga sa mendojnë njerëzit”, u shpreh ai.
Ndërkohë, shqetësimet për ndikimin e rregullave të reja kanë reflektuar edhe në tregjet financiare. Aksionet e kompanive të teknologjisë pësuan rënie të ndjeshme, pasi investitorët shprehën frikën se Kongresi i ri mund të ngadalësojë zhvillimin e inteligjencës artificiale dhe se investimet e mëdha në ndërtimin e infrastrukturës së saj mund të mos sjellin fitimet e pritshme.