"Foleja e Shqiponjës" e Adolf Hitlerit ishte një çajtore në majë të një mali, mbi qytetin bavarez të Berchtesgadenit. Por ajo u bë qendra e frikës gjatë luftës për ekzistencën e një fortese naziste në male.
Më poshtë janë shtatë fakte për "Folenë e Shqiponjës", që tregojnë se si ishte në të vërtetë ky vend dhe cilat ishin disa nga mitet që u krijuan rreth tij.
1. "Foleja e Shqiponjës" ishte pjesë e një kompleksi malor nazist

"Foleja e Shqiponjës" ishte ndërtesa e fundit e madhe e ndërtuar në kompleksin e Obersalzbergut, i cili pas vitit 1933 u shndërrua në një strehë të fortifikuar mirë për Adolf Hitlerin dhe elitën naziste. Hitleri kishte aty shtëpinë e tij, të quajtur Berghof ("Rezidenca Malore"), ashtu si edhe disa prej figurave të tjera të larta naziste, përfshirë Hermann Göringun, Heinrich Himmlerin dhe Martin Bormannin.
Kompleksi i Obersalzbergut patrullohej nga një njësi ushtarësh të SS-së, të cilët ishin vendosur në kazerma brenda tij. Aty kishte edhe kilometra të tëra tunelesh nëntokësore, ku ndodheshin qendra komandimi, strehime luksoze kundërajrore, depo ushqimore dhe qemerë ku ruheshin vepra të vjedhura arti.
E njohur zyrtarisht si Kehlsteinhaus, sipas malit ku u ndërtua, "Foleja e Shqiponjës" ishte një nga ndërtesat e fundit të mëdha të Obersalzbergut që i mbijetoi Luftës së Dytë Botërore dhe shembjeve të pasluftës. Në vitin 1952, qeveria e landit të Bavarisë shembi shumë nga ndërtesat e mbetura të periudhës naziste, nga frika se ato mund të nxisnin pelegrinazhe të neonazistëve. Më vonë, "Foleja e Shqiponjës" u kthye në një atraksion turistik. Por në tetor të vitit 2026, ajo u shkatërrua nga një zjarr i madh.
2. Në "Folenë e Shqiponjës" shkohej përmes një tuneli dhe një ashensori gjigant

"Foleja e Shqiponjës" ndodhej e veçuar nga ndërtesat e tjera të kompleksit të Obersalzbergut, në fund të një rruge 6,4 km të gjatë, të hapur në granitin e malit. Në atë kohë, kjo rrugë konsiderohej një mrekulli inxhinierike.
Vizitorët hynin në ndërtesë përmes një tuneli 122 metra të gjatë dhe më pas merrnin një ashensor luksoz, që mund të transportonte më shumë se 50 persona njëherësh. Ashensori kishte panele prej bronzi të lëmuar, sedilje prej lëkure të gjelbër dhe pasqyra të zbukuruara.
Ai ngjitej më shumë se 122 metra nga tuneli deri te çajorja, për vetëm 41 sekonda. Nga maja e malit, në lartësinë 1.834 metra mbi nivelin e detit, "Foleja e Shqiponjës" ofronte pamje të gjera të Alpeve bavareze dhe austriake, si edhe të qytetit austriak të Salzburgut, rreth 24 km larg, në ditët me mot të kthjellët.
3. Iu dhurua Hitlerit për ditëlindjen e tij të 50-të
Shumë burime thonë se "Foleja e Shqiponjës" u ndërtua nga Martin Bormann si dhuratë për ditëlindjen e 50-të të Hitlerit, por kjo nuk është e vërtetë.
Bormann, i cili më vonë mori nën kontroll shumicën e aspekteve të jetës së Hitlerit, e nisi projektin në vitin 1937, me synimin për ta paraqitur si një dëshmi të aftësive inxhinierike gjermane për diplomatët e huaj që vizitonin vendin. Megjithatë, ndërtesa përfundoi në kohë për ditëlindjen e 50-të të Hitlerit, me 20 prill 1939. Për këtë arsye, Bormann ia paraqiti atë si dhuratë, të pajisur me orendi luksoze, mes të cilave edhe një oxhak të zbukuruar prej mermeri të kuq, dhuratë nga diktatori italian Benito Mussolini.
"Nuk ishte porositur si dhuratë, por përkoi në mënyrë të përsosur me ditëlindjen e tij të 50-të", thotë Despina Stratigakos, historiane e arkitekturës në Universitetin e Buffalo-s dhe autore e librit të vitit 2015 Hitler at Home.
4. Hitlerit nuk i pëlqente "Foleja e Shqiponjës"
"Foleja e Shqiponjës" ishte ndërtesa më e spikatur e kompleksit të Obersalzbergut dhe u bë simboli i tij, por Hitlerit nuk i pëlqente fort, thotë Stratigakos.
Sipas raportimeve, ai e vizitoi vetëm 14 herë dhe preferonte të shkonte në këmbë te çajorja Mooslahnerkopf, shumë më poshtë në mal dhe shumë më pak luksoze.
"Thuhet se Hitleri nuk i pëlqente lartësitë", shprehet Stratigakos. Sipas dëshmive të kohës, ai nuk e duronte as ajrin e hollë malor në "Folenë e Shqiponjës" dhe shqetësohej se rrufeja mund të godiste ashensorin e veshur me bronz.
5. "Foleja e Shqiponjës" lidhej me frikën e aleatëve për një fortesë naziste në male
Në fund të luftës, aleatët ishin të shqetësuar për mundësinë që nazistët të organizonin një mbrojtje të fundit në një "fortesë alpine", në Alpet bavareze dhe austriake. "Foleja e Shqiponjës" u bë simboli i kësaj fortese të supozuar.
Edhe pse nuk ishte gjë tjetër veçse një çajtore që Hitleri e vizitonte rrallë, në disa raporte të aleatëve ajo paraqitej si qendër komandimi e kësaj fortese malore. Ministri i Propagandës naziste, Joseph Goebbels, shfrytëzoi frikën për një fortesë alpine, duke përhapur përmes vendeve neutrale informacione se forcat aleate do të përballeshin me rezistencë të ashpër nëse do të sulmonin.
6. Bombarduesit aleatë u përpoqën ta shkatërronin plotësisht
Nga frika se udhëheqësit nazistë mund të tërhiqeshin në një fortesë malore, aleatët e vunë në shënjestër kompleksin e Obersalzbergut në një sulm të madh ajror.
Me 25 prill 1945, më shumë se 300 bombardues Lancaster të Forcave Ajrore Mbretërore britanike sulmuan kompleksin, duke dëmtuar rëndë shumë prej ndërtesave, përfshirë rezidencën e Hitlerit, Berghof.
Megjithatë, "Foleja e Shqiponjës" nuk pësoi dëme nga bombardimet, ndoshta sepse maja e malit ishte tepër e vështirë për t'u goditur me metodat e bombardimit masiv që përdoreshin në atë kohë.
7. U shfaq në serialin "Band of Brothers"

Me 4 maj 1945, katër ditë para kapitullimit të Gjermanisë, njësi të Divizionit të 3-të të Këmbësorisë së SHBA-së morën nën kontroll kompleksin e Obersalzbergut, pasi hasën vetëm një rezistencë të vogël.
Këta ushtarë arritën deri te rruga që të çonte në "Folenë e Shqiponjës", por nuk përparuan më tej. Disa orë më vonë, atyre iu bashkuan ushtarë të Divizionit të 2-të të Blinduar francez. Ishin pikërisht këta trupa franceze që mbërritën të parët në "Folenë e Shqiponjës", në majë të malit, dhe morën nën kontroll ndërtesën.
Megjithatë, të nesërmen mbërritën ushtarë të Regjimentit të 506-të të Këmbësorisë me Parashutë, pjesë e Divizionit të 101-të Ajror të SHBA-së, të cilët morën përsipër kontrollin e kompleksit të Obersalzbergut.
Më vonë, atyre iu atribuua edhe marrja e çajtores në majë të malit. Kjo u pasqyrua edhe në librin Bandof Brothers të Stephen Ambrose dhe në miniserialin e HBO-së të bazuar në të.
Ushtarët amerikanë që dolën fitimtarë morën për vete verëra të rralla europiane dhe puro, të cilat ishin grumbulluar për elitën naziste.
© SYRI.net